Ilustrim
Prizren, vjedhje në vlerë mbi 21 mijë euro, arrestohet 38-vjeçari, në Polici e pranon kryerjen e veprës
Një person është arrestuar më 12.11.2025 si i dyshuar për një rast të vjedhjes në vlerë prej 21 mijë eurove brenda një banese në Prizren.
Policia e Kosovës ka njoftuar se më 04.11.2025 kishte pranuar një raportim për vjedhje në një banesë.
Sipas Policisë, raportuesit kishin deklaruar të vjedhura: stoli të arit në vlerë 15 mijë euro, para të gatshme rreth 3 mijë euro, si dhe 7-8 çanta krahu në vlerë 3 mijë euro.
Lidhur me këtë Policia njofton se ka kryer bastisje në dy lokacione, në Gjakovë dhe Prizren.
“Pas një pune intensive hetimore, më datën 12 nëntor 2025 janë realizuar dy bastisje në lokacione të ndryshme, në fshatin Doblibare (Komuna e Gjakovës) dhe në rrugën “William Walker” në Prizren.” – thuhet në raportin e Policisë më 12.11.2025.
Pas veprimeve hetimore, Policia arriti ta identifikojë e arrestojë të dyshuarin R.GJ., 38-vjeçar nga Doblibari i Gjakovës.
“I njëjti është shoqëruar në zyrat e Sektorit Rajonal të Hetimeve -DRP Prizren, ku është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës” – thekson Policia.
Policia deklaron se gjatë intervistimit i dyshuari ka pranuar kryerjen e veprës penale, ndërsa me aktvendim të prokurorit 38-vjeçari u ndalua për 48 orë.
Policia ndër të tjera sqaron se hetimet janë duke vazhduar dhe se po bëhen përpjekje për sigurimin e provave shtesë.