Sendet e vjedhura - Foto: Policia e Kosovës
Prishtinë, arrestohen tre persona për vjedhje, Policia ekspozon sendet e vjedhura
Policia në Prishtinë ka arrestuar sot, më 12.11.2025, tre persona për vjedhje në Prishtinë.
Sipas Policisë, Njësia e Inteligjencës e stacionit policor “Qendra” në Prishtinë ka identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale – vjedhje, si dhe një person tjetër të dyshuar për veprën penale – blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara nga kryerja e veprës penale.
“Puna hetimore ka vazhduar nga Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, të cilët kanë bërë mbledhjen e dëshmive për rreth 10 raste, ku dyshohet se personat e dyshuar janë të përfshirë. Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar disa sende të dyshuara si të përfituara nga këto vepra penale, të cilat pas përfundimit të procedurave do t’ju rikthehen pronarëve”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërsa, të arrestuarit, A.H. (44 vjeç), E.I. (32 vjeç) dhe A.Z. (25 vjeç), raportohet se në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.