Foto: KALLXO.com Ilustrim
Policia: Hetimet intensive dërgojnë në pranga të dyshuarin për ‘Fajde’ në Mitrovicë
37 vjeçari me iniciale R. G. ka rënë në prangat e Policisë, më 19.11.2025, pasi që në kohën e e arrestimit po kryente veprën penale të ‘Fajdesë’.
Arrestimi ka ndodhur në Mitrovicë të Jugut ndërkaq me urdhër të gjykatës është kryer kontrolli në objektin banesorë dhe objektet ndihmëse, pronë e të dyshuarit, ku janë konfiskuar dëshmi që lidhen me rastin.
“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria Rajonale Mitrovicë-Jugu, në vazhdën e veprimeve operativo/hetimore me qëllim të parandalimit të veprave penale, kanë zhvilluar hetime intensive lidhur me një person të dyshuar, për të cilin kishte dyshim të bazuar për përfshirje në veprën penale të ‘Fajdesë’”- thuhet në njoftim.
Organet e rendit bëjnë të ditur se i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes.
Më tej, Policia thekson se mbetet e përkushtuar në parandalimin e veprave penale, ruajtjen e rendit publik dhe jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim.