Profesorët Arben Hajrullahu dhe Enver Hasani, Ilustrim: KALLXO.com
Përplasja për avancimet akademike
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 13 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 14 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 15 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 16 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 17 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 18 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 19 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 20 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 21 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 22 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 23 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 24 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Ish-rektori i UP-së, Enver Hasani ka akuzuar Rektorin e tanishëm për avancimin në profesor të rregullt gjatë vitit 2022. Në anën tjetër, Arben Hajrullahu ka mohuar akuzat, duke iu përgjigur Këshillit të Etikës me një dokument 13-faqesh.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu është denoncuar në Këshill të Etikës të UP-së nga profesori në Fakultetin Juridik në UP, Enver Hasani, më 23.12.2024, me pretendimet se ka bërë shkelje etike.
Përveç rektorit Hajrullahu, profesori Hasani ka denoncuar edhe kolegun e tij në Fakultetin Juridik në UP dhe ish-kryesuesin e Këshillit të Etikës të UP-së, Iset Morinën.
Denoncimi i Hasanit përmban pretendimet e tij se Hajrullahu dhe Morina në raste të veçanta nuk e kanë shmangur konfliktin e interesit.
Profesori Hasani pretendon se Hajrullahu nuk e kishte shmangur konfliktin e interesit kur ishte avancuar nga profesor i asocuar në profesor i rregullt – sipas Konkursit të 4 majit 2022, në Fakultetin Filozofik, në UP.

Sipas ekstrakteve të procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Fakultetit Filozofik në UP, të datave 19.05.2022, 26.05.2022 dhe 21.06.2022, përveç Hajrullahut si kandidat i Konkursit të datës 04.05.2022, në këto mbledhje kanë marrë pjesë edhe profesorë e profesoresha, të cilët kishin qenë po ashtu kandidatë të këtij Konkursi.
Nga data 24.02.2025, KALLXO.com i ka pyetur nëntë profesorët, kandidatë të Konkursit të datës 04.05.2022 nëse kanë votuar apo janë vetëpërjashtuar në mbledhjet e Këshillit të Fakultetit Filozofik, ku në Ekstraktet e Procesverbaleve të këtyre mbledhjeve figurojnë se kanë qenë pjesëmarrës, por asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur në këto pyetje.
Në të njëjtën ditë, KALLXO.com e ka pyetur Enver Hasanin se pse nuk i ka denoncuar në Këshill të Etikës të UP-së edhe këta profesorë, të cilët sipas Ekstrakteve të Procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Fakultetit Filozofik, kishin marrë pjesë në mbledhjet e këtij Këshilli ku është shqyrtuar e miratuar Propozimi për avancimin, emërimin, riemërimin e tyre, sipas Konkursit të datës 04.05.2022. Por, as Hasani nuk është përgjigjur.
Kurse, Iset Morina vitin e kaluar sa ishte Kryesues i Këshillit të Etikës të UP-së e kishte trajtuar denoncimin e dekanit të Fakultetit Juridik në UP, Avni Puka ndaj Hasanit dhe Hasani pretendon se edhe pse kishte pasur konflikt interesi me të, Morina kishte marrë Vendim që të merrte pjesë dhe të votonte për Rekomandimin e masave ndaj Hasanit.
Pasi i ka shprehur pretendimet e tij për shkelje etike nga Hajrullahu e Morina, Hasani i propozon Këshillit të Etikës të UP-së edhe çfarë Vendimesh të marrë ndaj tyre, si: ulje në thirrje akademike nga profesor i rregullt në profesor i asocuar, mosavancim deri në tre vjet, mohim i përfshirjes në Komisione vlerësuese për tre vjetët vijues dhe mohim i përfshirjes në mentorim të të gjitha niveleve për një vjet vijues.
Këto janë masat që vitin e kaluar, më 25.09.2024, Këshilli i Etikës i UP-së, i kryesuar nga Morina i kishte rekomanduar ndaj Hasanit, por nuk u miratuan nga Senati i UP-së, më 27.11.2024, pasi i kishte kaluar koha e miratimit që kur ishin rekomanduar.
Hajrullahu i ka dërguar një deklarim 13-faqesh Këshillit të Etikës të UP-së më 30.01.2025 dhe ka bashkangjitur disa dokumente, si referenca të asaj që ka deklaruar.
Në këtë deklarim Hajrullahu mohon të ketë votuar për avancimin e tij në Fakultetin Filozofik në UP dhe thekson se denoncimi i Hasanit ndaj tij ka ardhur pas diskutimit të rastit të Hasanit në mbledhjen e Senat të UP-së, më 27.11.2024, i cili ishte denoncuar nga dekani Puka në Këshill të Etikës, më 2024.
Ndërsa, për profesorin Iset Morina, i cili ka deklaruar po ashtu në Këshillin e Etikës më 30.01.2025, denoncimi i Hasanit duhet të hidhet poshtë që më parë si “i palejueshëm” dhe të refuzohet si “i pathemeltë”.
Pretendimi 1: “Hajrullahu ka marrë pjesë dhe ka votuar për vetveten, me qëllim të avancimit të tij”
Profesori Enver Hasani pretendon se rektori i UP-së, Arben Hajrullahu në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit ishte përfshirë në vazhdimësi në procesin e avancimit të tij akademik – duke marrë pjesë dhe votuar nga data 04.05.2022 deri më 21.06.2022 në Këshillin e Fakultetit Filozofik në UP.
Sipas Hasanit, Hajrullahu ka kryer gjithashtu shkelje të rënda disiplinore të përcaktuara në Nenin 6 të Rregullores nr. 857 për Masat dhe Procedurat Disiplinore ndaj Personelit akademik të UP-së, duke iu referuar Paragrafëve: 1.1. Shkelja e rëndë e Kodit të Etikës, 1.6. Përfitim i paligjshëm dhe i qëllimshëm pasuror nga procesi i vlerësimit të punës akademike dhe 1.16 Dështim i deklarimit ose dhënia e deklaratës së rrejshme në lidhje me konfliktin e interesit.
Hasani thotë se më 04.05.2022 ishte shpallur një Konkurs në Fakultetin Filozofik të UP-së, në të cilin Hajrullahu kishte aplikuar për Pozitën Nr. 3.
Hajrullahu duke qenë Shef i Departamentit të Shkencave Politike dhe anëtar i Këshillit të Fakultetit Filozofik në atë kohë, Hasani shton se Komisioni vlerësues për Konkursin në fjalë ishte formuar e votuar në mbledhjen e Këshillit të Fakultetit Filozofik, më 19.05.2022.
“Hapi i radhës ka qenë mbledhja tjetër e Këshillit të Fakultetit Filozofik, mbajtur më 26.05.2022, ku është votuar formimi i referateve për buletin. Faza përfundimtare ka qenë mbledhja e Këshillit të Fakultetit Filozofik, mbajtur më 21.06.2022, ku është votuar për referatet që do të kalonin në Senatin e Universitetit.” – ka thënë Hasani.
Pasi Senatit të UP-së i kanë shkuar Raportet e Komisioneve vlerësuese të Këshillave të fakulteteve, sepse Konkursi ka qenë i hapur edhe për Fakultetet e tjera të UP-së, Hasani potencon se Hajrullahu nuk ishte tërhequr megjithatë nga procedura. Në këto Raporte, Këshillat e fakulteteve propozojnë kandidatët meritor të Konkursit që të avancohen.
“I dyshuari (Arben Hajrullahu) në vend që të tërhiqet nga procedura e përlyer fund e krye më konflikt të interesit – si vepër penale dhe shkelje e rëndë disiplinore – ka heshtur dhe ka lejuar që votimi në Senat të finalizojë marrjen e thirrjes së tij akademike ‘profesor i rregullt’.” – është shprehur Hasani.
E, sipas Hasanit, Hajrullahu në të gjitha fazat e sipërpërmendura “ka marrë pjesë dhe ka votuar për vetveten, me qëllim të avancimit të tij në thirrjen e profesorit të rregullt!”.
“Në fakt, ai ka marrë pjesë, ka udhëhequr dhe ka votuar edhe në Katedrën/Degën e Shkencave Politike të Fakultetit Filozofik, duke ndikuar në formimin e Komisionit të tij recensues, në përcaktimin e numrit të orëve dhe në aspekte të tjera të procesit që më pas kanë kaluar për miratim në Këshillin e Fakultetit Filozofik dhe tutje në Senatin e UP – siç u përshkrua më sipër. Për këtë ekzistojnë provat në Arkivin e Fakultetit Filozofik, të nënshkruara nga vetë i dyshuari Hajrullahu.” – ka shtuar Hasani.
Para se t’ia propozojë masat disiplinore që Këshilli i Etikës i UP-së t’i rekomandojë ndaj Hajrullahut, Hasani kërkon diçka shtesë – që të zhvillohet “një hetim i pavarur” nga Këshilli i Etikës në këtë rast.
“Arben Hajrullahu aktualisht mban postin e Rektorit të Universitetit të Prishtinës. Akti minimal moral që do të duhej të ndërmerrej nga ana e tij është dorëheqja e menjëhershme nga kjo pozitë. Ky hap do t’i mundësonte Këshillit të Etikës të zhvillojë një hetim të pavarur dhe të pandikuar – duke garantuar transparencën dhe integritetin në trajtimin e kësaj çështjeje.” – ka theksuar Hasani.
Arben Hajrullahu ka deklaruar në Këshill të Etikës se “pohimet shpifëse dhe çorinetuese” të Hasanit ndaj tij kanë një traditë të gjatë kohore. Ai ka kujtuar shkurtin e vitit 2017, kur Hasani sipas tij në një intervistë kishte pohuar se Hajrullahu “ka gënjyer” kur ishte zgjedhur më 2006 profesor në UP, se ka të përfunduara studimet bachelor.

Hajrullahu e ka mohuar se ka qenë prezent në mbledhjen e Senatit të UP-së, më 05.09.2022, në të cilën ishte votuar avancimi i tij në profesor i rregullt. KALLXO.com ka siguruar Ekstraktin e Procesverbalit të kësaj mbledhjeje të Senatit të UP-së, në të cilën nuk shkruan se ka qenë pjesë e mbledhjes Hajrullahu.
Në Ekstrakt të Procesverbalit të mbledhjes së Senatit të UP-së, më 05.09.2022, thuhet se “Senati njëzëri mori Vendim që kandidati Arben Hajrullahu të avancohet në thirrjen profesor i rregullt”.
“Siç dëshmohet në Ekstraktin e Procesverbalit të mbledhjes së Senatit, më 05.09.2022, unë para se të marrë detyrën e Rektorit të UP-së në tetor 2024, as në mbledhjen e Senatit, më 05.09.2022 e asnjëherë tjetër, në asnjë lloj cilësie, nuk kam marrë pjesë apo qenë prezent, as fizikisht e as virtualisht në ndonjë mbledhje të Senatit të UP-së.” – ka thënë Hajrullahu në deklarimin e tij me shkrim për Këshillin e Etikës.
Hajrullahu ka përmendur një intervistë të Hasanit në Radio Televizionin e Kosovës, më 20.08.2024, në të cilën kishte deklaruar mbështetjen e tij për ardhjen e Hajrullahut në UP.
“Unë e kam mbështet ardhjen e tij dhe kam qenë në Komision për avancim. Në aspektin profesional, është siç duhet me qenë një profesor universiteti, në çdo vend në Europë. Aty s’kam asnjë dyshim. Shihen publikmet serioze. Për këto tjerat, si Menaxher mbetet me u pa, sepse kjo është një botë tjetër. Është pak problem. Jo domosodo përputhen.” – kishte deklaruar Hasani në intervistën e RTK-së, më 20.08.2024.
Si rrjedhojë, Hajrullahu teksa pyet se ka mbetur profesori i njëjtë, por çka ndryshoi, përmend mbledhjen e Senatit të UP-së, më 27.11.2024, kur porpozoi që Hasanit t’i hiqej titulli i profesorit të rregullt, për shkak të dyshimit se kishte emëruar veten në këtë pozitë, sa kishte qenë Rektor i UP-së – në kundërshtim me Statutin e UP-së.
Por, heqja e titullit të Hasanit u shty për mbledhjen e radhës të Senatit të UP-së, e më 23.12.2024, Hajrullahu thotë se ua ka kumtuar Senatit opinonin ligjor të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) se ka pasur konflikt interesi në procesin e trajtimit të rastit të Hasanit në Këshill të Etikës. Këtë opinion të APK-së, Hasani e ka përdorur për denoncimin në Këshill të Etikës ndaj Iset Morinës.
“Reagimet publike, kallximet penale e njoftimet për padi civile, si dhe vetë ky denoncim i z. Hasani në Këshillin e Etikës së UP-së erdhën pas këtyre veprimeve të Senatit nën kryesimin tim. Është e dukshme se me këto veprime denoncuese ndaj meje dhe jo vetëm z. Hasani tenton të më shantazhojë, të më frikësojë dhe të më çorientojë gjatë ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive të mia në funksionin e Rektorit të UP-së.” – ka thënë Hajrullahu.
Tutje, Hajrullahu përmend se Hasani ka një histori të “personalizimeve” të tilla me kolegë të tjerë në UP, e përtej. Me këtë rast, ai i referohet një letre publike të Hasanit ndaj Iset Morinës.
A kishte votuar Hajrullahu për avancimin e tij në profesor të rregullt në Filozofik?
Rektori Arben Hajrullahu i deklaron me përgjegjësi morale e etike Këshillit të Etikës të UP-së se as në mbledhjen e Këshillit të Fakultetit Filozofik për procesin e Konkursit të 4 majit 2022 dhe asnjëherë më parë nuk ka votuar kur është marrë ndonjë Vendim për të.
Për rektorin Hajrullahu, rrethanat e pretenduara nga Enver Hasani se ka pasur konflikt interesi para datës 16.05.2022, në kohën e Konkursit të datës 04.05.2022 në Fakultetin Filozofik në UP, Këshilli i Etikës duhet t’i përjashtojë nga shqyrtimi si “të papërshtatshme dhe të pabazuara”.
Kjo pasi, Hajrullahu në deklarimin e tij për Këshillin e Etikës të UP-së për këtë rast tregon se kishte aplikuar në Konkursin e 4 majit 2022 në Fakultetin Filozofik, më 16.05.2022.
“Në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Fakultetit Filozofik, nuk kam votuar – as fizikisht e as virtualisht – asnjëherë kur drejtpërsëdrejti apo tërthorazi është vendosur për veten time. Shënimet në Ekstraktet e mbledhjeve të Këshillit të Fakultetit Filozofik, që të tri mbledhjet e apostrofuara në këtë rast, janë mbajtur virtualisht. Se ,,Komisionet u miratuan njëzëri” nuk pasqyrojnë asnjë realitet faktik për votime individuale.” – ka deklaruar Hajrullahu.
Hajrullahu ka bashkangjitur në deklarimin e tij një komunikim përmes e-mail, më 27.12.2024, me u.d. sekretarin e Fakultetit Filozofik në UP, Jeton Hyseni, të cilit i ka kërkuar qasje në Ekstraktet e Procesverbaleve dhe incizimeve të mbledhjeve të Këshillit të Fakultetit Filozofik, të datave 19.05.2022, 26.02.2022 dhe 21.06.2022, por këto incizime i është thënë se nuk janë gjetur.
Hajrullahu kritikon Dekanin e asaj kohe të Fakultetit Filozofik në UP, Dashamir Bërxulli, sepse thotë se mungesa e incizimeve të mbledhjeve të Këshillit të Fakultetit Filozofik përbën “një hendek të madh në këtë proces”.
“Kjo formë, en block, jo vetëm e mosshënimit të votave, po edhe e fuzionimit të të gjitha rasteve së bashku, tregon joprofesionalizmin, përtacinë e Sekretarisë së Fakultetit për të nxjerrë Ekstrakte me të dhëna precize, si dhe, para së gjithash, paaftësinë e udhëheqësit të Fakultetit – Dekanit, për të udhëhequr dhe për të raportuar mbi mbledhjet e Këshillit të Fakultetit – konform kërkesave të normave në fuqi.” – ka thënë Hajrullahu.
KALLXO.com e ka pyetur ish-dekanin Bërxulli, më 24.02.2025, lidhur me çështjen, nëse i kishin regjistruar apo jo mbledhjet e Këshillit të Fakultetit Filozofik, të datave 19.05.2022, 26.05.2022 dhe 21.06.2022,… a ishte vetëpërjashtuar ndonjë anëtar i Këshillit në mbledhjet kur është diskutuar për Pozitat në të cilat kanë aplikuar – sipas Konkursit të 4 majit 2022, por ai nuk është përgjigjur.
Kurse, dekani i Fakultetit Filozofik në UP, Bekim Baliqi në pyetjet dhe kërkesën e KALLXO.com për qasje në audio-incizimet e mbledhjeve të Këshillit të Fakultetit Filozofik, të datave 19.05.2022, 26.05.2022 dhe 21.06.2022, ka thënë se nuk i kanë të trashëguara materialet e kërkuara. Asnjë prej këtyre materialeve nuk është dërguar nga Fakulteti për KALLXO.com.
“Nuk i kam të trashëguara në zyrë materialet dhe e kam të pamundur që t’i sigurojë këto materiale, prandaj e kam lutur Sekretarin që brenda mundësive dhe kohës së nevojshme t’ju përcjell materialet e kërkuara – nëse janë të arkivuara.” – është përgjigjur Baliqi, më 24.02.2025.
Në një komunikim tjetër të Hajrullahut në cilësinë e Profesorit, jo të Rektorit aktual, më 30.12.2024, i ka pyetur Dekanatin e tanishëm në Fakultetin Filozofik dhe Rektoratin e UP-së nëse kishte pasur ndonjë Ankesë për Pozitën të cilën e kishte fituar – sipas Konkursit të 4 majit 2022, por i është thënë se nuk ka pasur ndonjë Ankesë.
“Nuk ka pasur ndonjëherë nga kushdoqoftë ndonjë Ankesë në procesin e emërimit tim. Kjo është me rëndësi, sepse nga procesi i atij emërimi, prandaj nuk është dëmtuar paligjshëm askush, asnjë njeri dhe as interesi publik.” – ka shpjeguar Hajrullahu.
Sipas Ekstraktit të Procesverbalit të mbledhjes së datës 19.05.2022 të Këshillit të Fakultetit Filozofik në UP, të mbajtur online, Hajrullahu kishte qenë njëri nga 27 anëtarët e Këshillit të Fakultetit pjesëmarrës në këtë mbledhje dhe ishin miratuar njëzëri Komisionet vlerësuese për Pozitat në Konkursin e 4 majit 2022. Në këtë Ekstrakt të Procesverbalit nuk përmendet nëse ndonjë anëtar i Këshillit është vetëpërjashtuar nga mbledhja, apo nuk ka miratuar ndonjë Komision vlerësues.
Sipas Raportit të Komisionit vlerësues të majit 2022, për Pozitën Nr. 3 të Konkursit të 4 majit 2022, përveç Hajrullahut kishte aplikuar edhe një profesor tjetër, i cili nuk i kishte plotësuar kushtet minimale sipas Statutit të UP-së dhe Komisioni e kishte propozuar njëzëri Hajrullahun për këtë Pozitë.
Më 26.05.2022, Këshilli i Fakultetit Filozofik ka mbajtur mbledhjen e radhës online – në Ekstraktin e Procesverbalit të të cilës thuhet se janë miratuar njëzëri Raportet vlerësuese për Pozitat e Konkursit të 4 majit 2022. Në këtë mbledhje, përveç Hajrullahut, sipas Ekstraktit të Procesverbalit, pjesëmarrës figurojnë edhe 30 anëtarë të Këshillit të Fakultetit: 9 prej të cilëve kanë qenë po ashtu kandidatë në Konkurs dhe u është pozitiv Raporti pozitiv.
Në Pikën e parë të mbledhjes të datës 26.05.2022 bëhet e ditur se janë miratuar Ekstraktet e Prosesverbaleve, nga mbledhjet e datave 26.04.2022, 19.05.2022 të Këshillit të Fakultetit Filozofik.
“U miratuan Ekstraktet pa ndryshime.” – thuhet në Ekstraktin e Procesverbalit të mbledhjes së datës 26.05.2022 të Këshillit.
Bazuar në Ekstraktin e Procesverbalit të mbledhjes së datës 26.05.2022 të Këshillit të Fakultetit Filozofik, katër profesorëve asistentë pjesëmarrës në këtë mbledhje: Blerim Latifi, Adem Beha, Bardhok Bashota dhe Kaltrina Kelmendi u është miratuar Raporti pozitiv për avancim në Profesor të asocuar, në Pozitat e Konkursit të 4 majit 2022.
Sipas Ekstraktit të Procesverbalit të mbledhjes të datës 26.05.2022 janë miratuar pozitive këto Raporte, për Pozitat e Konkursit të 4 majit 2022: Blerim Latifi për Pozitën Nr. 6, Kaltrina Kelmendi për Pozitën Nr. 7, Adem Beha për Pozitën Nr. 8, Bardhok Bashota për Pozitën Nr. 9.
Në Ekstraktin e Procesverbalit të mbledhjes të datës 26.05.2022 të Këshillit të Fakultetit Filozofik, katër asistentëve pjesëmarrës në këtë mbledhje: Mentor Hasani, Dorajet Imeri, Avdyl Gashi dhe Durim Abdullahu u është miratuar pozitiv Raporti për riemërim Asistent në Pozitat e Konkursit të 4 majit 2022.
Sipas Ekstraktit të Procesverbalit të mbledhjes të datës 26.05.2022, asistentëve u janë miratuar Raportet pozitive, sipas këtyre Pozitave të Konkursit të 4 majit 2022: Mentor Hasani në Pozitën Nr. 12, Dorajet Imeri në Pozitën Nr. 14, Avdyl Gashi në Pozitën Nr. 15, Durim Abdullahu në Pozitën Nr. 16.
Gjithmonë sipas Ekstraktit të Procesverbalit të mbledhjes të datës 26.05.2022, edhe lektores Meliha Brestovci, pjesëmarrëse në mbledhjen e Këshillit të datës 26.05.2022, i është miratuar Raporti pozitiv në Pozitën Nr. 17 në Konkursin e 4 majit 2022, për emërimin e saj në Profesor asistent.
Ndërsa, në Ekstraktin e Procesverbalit të mbledhjes së Këshillit të Fakultetit Filozofik të datës 21.06.2022, të mbajtur online, ishte miratuar Ekstrakti i Procesverbalit të mbledhjes të datës 26.05.2022 të Këshillit, me një plotësim për një Pikë tjetër të asaj mbledhjeje.
Tutje, në Ekstraktin e Procesverbalit të mbledhjes të datës 21.06.2022 bëhet e ditur se “Pika Nr. 2 e mbledhjes u miratua njëzëri”, në të cilën është bërë shqyrtimi dhe miratimi i propozimeve të Këshillit të Fakultetit Filozofik për Senatin e UP-së për Pozitat e Konkursit për staf akademik të rregullt.
Përveç Hajrullahut, në Ekstrakt të Procesverbalit të mbledhjes së Këshillit të Fakultetit Filozofik të datës 21.06.2022 figurojnë se kanë qenë pjesëmarrës edhe 27 anëtarë të Këshillit në këtë mbledhje – përfshirë edhe profesorët kandidatë të Konkursit: Blerim Latifi, Adem Beha, Bardhok Bashota, Kaltrina Kelmendi, Mentor Hasani, Dorajet Imeri dhe Meliha Brestovci. E, kanë munguar anëtarët, po ashtu kandidatë në Konkurs: Avdyl Gashi dhe Durim Abdullahu.
Gjithashtu, në Ekstraktin e Procesverbalit të mbledhjes së Këshillit të Fakultetit Filozofik të datës 19.05.2022, kur janë emëruar Komisionet vlerësuese për Pozitat e Konkursit – përveç Hajrullahut – thuhet se pjesëmarrës në mbledhje kanë qenë edhe pesë profesorët: Adem Beha, Kaltrina Kelmendi, Mentor Hasani, Dorajet Imeri dhe Avdyl Gashi.
KALLXO.com i ka kontaktuar profesorët e përmendur, të cilët kanë qenë kandidatë të Konkursit të 4 majit 2022, por nuk kanë dhënë përgjigje nëse kanë votuar apo janë vetëpërjashtuar nga mbledhjet e Këshillit të Fakultetit Filozofik, kur është folur për avancimin, emërimin dhe riemërimin e tyre – sipas Konkursit.
Ndaj Dorajet Imerit, Avdyl Gashit e Mentor Hasanit së fundmi është kërkuar Rishqyrtim nga Senati i UP-së për avancimin e tyre në Profesor asistent sipas Konkursit të datës 31.05.2023.
Rishqyrtimi u kërkua pasi APK më 08.08.2024 dha një opinion se ekziston konflikti i interesit në Konkursin e datës 31.05.2023, pasi në procedurat e rekrutimit të Konkursit: Dorajet Imeri, Avdyl Gashi e Mentor Hasani, si anëtarë të Këshillit të Fakultetit Filozofik, morën pjesë në vendimmarrje të Konkursit ku vetë ishin zgjedhur në pozita akademike.
Avdyl Gashit e Mentor Hasanit në mbledhjen e Senatit të UP-së të datës 29.01.2025 u janë miratuar njëzëri Pozitat sipas Konkursit të datës 31.05.2023. Kurse, Pozita e Dorajet Imerit është kthyer mbrapsht për një Rishqyrtim të dytë. Imerit nuk i është miratuar ende avancimi në Profesor asistent.
Më 18.12.2024, UP kishte dhënë një sqarim për pretendimet për konflikt interesi në procesin e avancimeve të personelit akademik – duke siguruar se do të trajtojë me seriozitetin më të madh të gjitha shkresat që pranon nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në lidhje me të.
Ndërsa, sipas Paragrafit 2 të Nenit 22 të Ligjit Nr.06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik: “Inicimi i procedurës për konflikt të interesit në Agjenci nuk mund të fillojë, në qoftë se kanë kaluar dy vjet nga data e kryerjes së veprimit – përveç kur parashihet ndryshe me Ligj”.
Pretendimi 2: “Iset Morina mori vendim të mos e përjashtojë vetveten nga procesi disiplinor ndaj Enver Hasanit?”
Profesori Enver Hasani pretendon se ish-kryesuesi i Këshillit të Etikës të UP-së, Iset Morina kishte marrë pjesë në procesin disiplinor ndaj tij dhe kishte nxjerrë vendim për mospërjashtimin e vetvetes nga ky proces.
Në gusht të vitit 2024, Këshilli i Etikës i UP-së e kishte pranuar denoncimin e dekanit të Fakultetit Juridik në UP, Avni Puka se Enver Hasani kishte bërë shkelje të rënda të Kodit të Etikës të UP-së.
Denoncimi i dekanit Puka ndaj profesorit Hasani përmbante tri pretendime kryesore, në të cilat thuhej: Hasani gjatë gjithë vitit akademik 2023/2024 nuk kishte mbajtur ligjërata, ka marrë thirrje akademike në mënyrë të kundërligjshme, duke mos respektuar kohëzgjatjen e thirrjeve paraprake sipas Statutit të UP-së dhe ka dëmtuar vazhdimisht imazhin e Fakultetit Juridik dhe UP-së, duke dhënë deklarata të ndryshme elektronike dhe audio-vizuele.
Hasani thekson se në vazhdimësi kishte kërkuar nga Këshilli i Etikës i UP-së që në shqyrtimin e këtij rasti të përjashtohet nga procesi Iset Morina.
“Për shkak të bindjes sime të bazuar në ligj se pjesëmarrja dhe vendimmarrja e Iset Morinës në këtë proces përbën konflikt interesi.” – e kishte arsyetuar Hasani kërkesën e përjashtimit të Morinës.
Hasani thotë se i ishte drejtuar zyrtarisht Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) për të marrë një opinion ligjor në çështjen se Morina ndodhej në konflikt interesi me të si palë.
Ai i është referuar Procesverbalit të mbledhjes së Këshillit të Etikës më 25.09.2024, në të cilën Këshilli kishte vendosur njëzëri për masat që do t’i rekomandonte Senatit të UP-së ndaj Hasanit. Sipas Hasanit, Morina kishte marrë pjesë në këtë mbledhje dhe kishte qenë vendimmarrës.
“Rrjedhimisht ashtu siç ka konstatuar edhe APK (Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit), në këtë rast është dashur që Këshilli i Etikës ta trajtojë Kërkesën për përjashtimin e kryesuesit Iset Morina dhe të vendosë për këtë pa pjesëmarrjen e tij.” – ka thënë Hasani.
Profesori Iset Morina i është deklaruar Këshillit të Etikës të UP-së me disa arsyetime, se pse denoncimi i Hasanit ndaj tij dhe Hajrullahut është “i palejueshëm” dhe “i pathemeltë”.
Sipas Morinës, denoncimi i Hasanit është i palejueshëm, meqë “në esencë nuk është denoncim në bazë të rregullativës normative të Universitetit, por është bullizëm dhe sulm kundrejt kolegëve dhe institucionit”.
“Meqë edhe në këtë rast denoncimi përdor gjuhë nënçmuese duke cenuar kompetencën profesionale të kolegëve, meqë edhe në këtë rast denoncuesi me qëllime manipuluese abuzon në mënyrë klasike me të drejtat procedurale – duke bashkuar denoncimet kundër Rektorit dhe një Profesori pa asnjë bazë të përbashkët juridike dhe faktike.” – thotë Morina në deklarimin e tij për Këshillin e Etikës.
Denoncimi i Hasanit është i pathemeltë, sipas Morinës, meqë “i referohet një çështjeje disiplinore, të trajtuar nga një organ kolegjial i Universitetit dhe të vendosur meritorisht – duke u bazuar në Kornizën përkatëse normative”.
Morina vlerëson se opinioni i AKK – duke nënkuptuar opinioni i APK-së – me konstatimin për konflikt interesi është opinion, pra është pikëpamje dhe nuk është Vendim.
“Nga kjo rezulton se ai nuk ka kurrfarë detyrimi ligjor dhe as siguri të saktësisë absolute. Meqë ky opinion i AKK është juridikisht i paqëndrueshëm dhe huçje e madhe juridike. Edhe me supozimin hipotetik të opinionit të AKK-së si korrekt për konflikt interesi, çështja trajtohet në mekanizma institucional për rishqyrtim e rivendosje dhe nuk krijojnë bazë për procedura të tjera etike apo të tjera.” – ka shtuar Morina.
Senati i UP-së e hodhi dy herë në shqyrtim rastin e Hasanit që u trajtua nga Këshilli i Etikës, por nuk mori vendim për të.

Në mbledhjen e Senatit të UP-së të datës 23.12.2024, rektori Arben Hajrullahu kishte njoftuar për opinionin e APK-së, në lidhje me paraqitjen e konfliktit të interesit mes Morinës e Hasanit.
Hajrullahu kishte propozuar që të shtyhet shqyrtimi i rastit të Hasanit, pasi do t’i kërkonin disa sqarime nga APK që të sigurohen se nuk janë duke gabuar në hapat e marrë ndaj Hasanit.
Në opinionin ligjor të APK-së i kërkohet UP-së që të trajtohet rasti i Hasanit nga një përbërje e Këshillit të Etikës pa konflikt të interesit.
“Agjencia kërkon nga Senati i UPHP-së që të ndërmarrë masat për zgjidhjen e situatës së konfliktit të interesit, konform Nenit 19, Paragrafët 2 (Nënparagrafi 2.5), 3 dhe 4 të LPKI-së – duke revokuar ose shfuqizuar Vendimet dhe veprimet procedurale të Këshillit të Etikës për këtë rast, ashtu që të ndalet procedura dhe procesi disiplinor ndaj z. Enver Hasanit të kthehet në fazën fillestare, si dhe të trajtohet denoncimi nga një përbërje e Këshillit të Etikës pa konflikt të interesit, e të njoftohet Agjencia për masat e ndërmarra.” – thuhet në Pikën 2 të opinionit të APK-së, të datës 17.12.2024.
Arsyeja pse Senati i UP-së nuk i dha zgjidhje rastit të profesorit Hasani në mbledhjen e datës 27.11.2024 doli të jetë një deklarim gjatë mbledhjes nga kryetarja e Parlamentit Studentor të UP-së në atë kohë, Blerta Zeqiraj.
Zeqiraj kishte thënë se dy ditë para mbledhjes kanë marrë edhe kërcënime nga senatorët e UP-së se si të votojnë në Senat për rastin e profesorit Hasani.
Ky rast pritet të trajtohet nga një Komision ad-hoc që u ngrit nga Senati i UP-së më 27.11.2024, i cili do të shqyrtojë ngritjet akademike të të gjithë Rektorëve të UP-së nga viti 1999 e deri më sot.
Rasti i Enver Hasanit ishte trajtuar nga kjo përbërje e ish-Këshillit të Etikës të UP-së, nga katër anëtarët burra: Iset Morina (kryesues) dhe Arben Hajdari, Skender Muji dhe Rrezeart Galica (anëtarë).
Në mbledhjen e Senatit të UP-së të datës 27.11.2024 u votuan anëtarët e rinj të Këshillit të ri të Etikës të UP-së, të cilët janë: Flamur Hyseni (kryesues) dhe Rajmonda Nallbani Komoni, Qëndrim Gashi, Safet Merovci dhe Furtuna Sheremeti (anëtarë). Ky Këshill e trajton denoncimin e Hasanit ndaj Hajrullahut e Morinës.