Policia e Kosoves Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com
Përleshje mes dy personave në Drenas, njëri tentoi t’i vërë flakën veturës së tjetrit
08.9.2025 - 10:10
Një mosmarrëveshje mes dy personave në Drenas ka përfunduar me lëndime trupore dhe arrestim.
Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti ka ndodhur mbrëmë më 07.09.2025, rreth orës 18:30, kur një i dyshuar ka tentuar t’i vërë flakën veturës së viktimës.
“Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi që i njëjti, pas një mosmarrëveshje dhe përleshje me viktimën mashkull kosovar, ka tentuar t’ia vejë flakën veturës të cilën e drejtonte viktima” – thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Nga përleshja, sipas Policisë, lëndime kanë pësuar të dy – si viktima ashtu edhe i dyshuari. Të dy janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.
“Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas tretmanit mjekësor është dërguar në mbajtje” – ka bërë të ditur Policia.