Ushtria gjermane, Foto: Bundeswehr/ Facebook
Paralajmërimi i sindikatës ushtarake: Mijëra trupa europiane duhen në Ukrainë
Liderët europianë të NATO-s nuk duhet të jenë naivë kur të diskutojnë për një forcë paqeje në Ukrainë, por të përballen me realitetin se do t’u duhet të vendosin dhjetëra mijëra trupa në vend për një afat të gjatë, ka deklaruar udhëheqësi i sindikatës së ushtarëve të Gjermanisë, raporton Reuters.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po mundohet të ndërmjetësojë paqen ndërmjet Moskës dhe Kievit, por ka përjashtuar dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, kanë folur të dy në favor të vendosjes së trupave në kuadër të zgjidhjes pas përfundimit të luftës, si pjesë e një koalicioni të të vullnetshmëve, teksa kancelari gjerman, Friedrich Merz, gjithashtu ka sinjalizuar mundësinë e pjesëmarrjes gjermane.
Koloneli Andre Wuestner, kreu i Shoqatës së Forcave të Armatosura Gjermane, u ka bërë thirrje të enjten udhëheqësve europianë të mos e nënvlerësojnë detyrën ushtarake, por të jenë të sinqertë në lidhje me sfidat, edhe pse çdo armëpushim i shpejtë duket i pamundshëm.
“Nuk do të jetë e mjaftueshme të kesh një grusht gjeneralësh dhe njësi më të vogla ushtarake që drejtojnë një post komande në Ukrainë”, ka theksuar për Reuters Wuestner, organizata e të cilit përfaqëson më shumë se 200 mijë ushtarë aktivë dhe në pension të Gjermanisë.
“Që në fillim, Putinit duhet t’i bëhet e qartë – dhe kjo mbështetur nga forcat ndërkombëtare – se ne jemi plotësisht seriozë në lidhje me garancitë e sigurisë”, ka theksuar ai. “E kemi përnjëmend mbështetjen e Ukrainës, përnjëmend sigurimin e një armëpushimi dhe përnjëmend kundërpërgjigjen tonë nëse Putini përpiqet të sulmojë përsëri Ukrainë”.
Ai ka vlerësuar se secili prej vendeve të mëdha në koalicionin e të vullnetshmëve, si Britania, Franca dhe Gjermania, do të duhej të vendoste të paktën 10 mijë trupa në Ukrainë për një kohë të gjatë, çka përbën sfidë të madhe për forcat e tyre tashmë të sforcuara dhe të papajisura mirë.
Ai ka thënë se mbeten europianët po ngelin prapa në gatishmërinë ushtarake dhe se “tashmë po përpiqen të përmbushin angazhimet e reja të NATO-s që morën në samitin e fundit”, ka theksuar Wuestner. “Europa është ende shumë larg nga të qenit në gjendje të mbrohet në mënyrë të pavarur”.
Prandaj, ekziston nevojë urgjente për përshpejtim të armatimit dhe forcimit të shtyllës europiane të NATO-s.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com