Nobeli për Kimi u ndahet shkencëtarëve për materialet e reja që mund ta ndihmojnë planetin
Çmimi Nobel për Kimi u është ndarë të mërkurën (08.10.2025) Susumu Kitagawas, Richard Robsonit dhe Omar M Yaghit për punën e tyre mbi strukturat metalo-organike, raporton BBC.
Puna shkencore e tre shkencëtarëve mund të trajtojë disa nga problemet më të mëdha në planetin tonë, duke përfshirë kapjen e dyoksidit të karbonit për të ndihmuar përballimin e ndryshimeve klimatike ose uljen e ndotjes plastike duke përdorur kiminë.
“Jam thellësisht i nderuar dhe i kënaqur, faleminderit shumë”, ka theksuar profesori Kitagawa në telefon në një konferencë për shtyp pasi iu kumtua lajmi.
“Sa kohë duhet të qëndroj këtu? Sepse duhet të dal për një takim”, ka shtuar ai.
Tre fituesit do të ndajnë çmimin prej 11 milionë kronorësh suedez, apo prej rreth 872 mijë funtesh britanike).
Puna e tre shkencëtarëve fokusohet në mënyrën sesi molekulat mund të ndërtohen së bashku në struktura. Komiteti i Nobelit e quajti atë “arkitekturë molekulare”.
Shkencëtarët përpunuan sesi të ndërtojnë konstruksione me hapësira të mëdha midis molekulave, përmes të cilave mund të rrjedhin gazra dhe kimikate të tjera.
Këto “dhoma” mund të përdoren për të kapur dhe ruajtur kimikate që njerëzit duan t’i heqin qafe, duke përfshirë dyoksidin e karbonit në atmosferë ose të ashtuquajturat kimikate të përhershme, të njohura edhe si PFAS.
Shkencëtarët filluan të punonin në mënyrë të pavarur në struktura në vitet 1970 dhe 1980. Profesor Robson i kërkoi universitetit të hapte vrima në sipërfaqet e punës së laboratorit në mënyrë që topat prej druri – që përfaqësojnë atomet – të mund të bashkangjiteshin në shufra druri, duke përbërë lidhje kimike.
Deri më tani, ato janë përdorur vetëm në shkallë të vogël, por kompanitë po shqyrtojnë nëse ato mund të prodhohen në masë.
Një aplikim i mundshëm është zbërthimi i gazrave të dëmshëm, duke përfshirë ato të përdorura në armët bërthamore.
Kompanitë po testojnë gjithashtu nëse ato mund të përdoren për të kapur dyoksidin e karbonit nga termocentralet dhe fabrikat.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com