Ilustrim
Në Hajvali gjenden mbetjet mortore të tre personave, dyshohet se u përkasin luftës së fundit
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 20.10.2025 në Hajvali të Prishtinës janë gjetur mbetje mortore të tre personave, që dyshohet se i përkasin luftës së fundit në Kosovë.
Sipas njoftimit, gërmimet janë zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në koordinim me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, pas urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Mbetjet eshtërore janë tërhequr nga IML-ja për ekzaminime mjeko-ligjore. Punimet pritet të vazhdojnë edhe ditëve në vijim. Rasti në proces hetimi” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Edhe në shtator të këtij viti, në “Bjeshkët e Strellcit” në Deçan u gjetën mbetje mortore të personave që dyshohet se i përkasin luftës së fundit.
Përmes një njoftimi, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur bëri të ditur se deri tek gërmimet dhe gjetja e mbetjeve mortore atje, është arritur pas informatave të pranuara nga qytetarët, të cilat ishin adresuar te Policia e Kosovës.
https://kallxo.com/lajm/gjenden-mbetje-mortore-ne-bjeshket-e-strellcit-dyshohet-se-i-perkasin-personave-te-zhdukur-nga-lufta/