Në afërsi të Novi Pazarit nisin inspektimet në terren, dyshohet për varrezë masive
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, më 10.09.2025, zhvilloi një inspektim e më pas filluan edhe punimet në fshatin Kozhle të komunës së Novi Pazarit në Serbi, pas dyshimeve se në këtë zonë mund të ndodhet një varr masiv me persona të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Sipas Komisionit, ky lokacion ka qenë i planifikuar për t’u trajtuar qysh në vitin e kaluar, por pas disa ditësh përgatitjeje terreni, punimet ishin ndërprerë.
“Lokacioni në Kozhle është një nga lokacionet e adresuara në mënyrë të përsëritur gjatë takimeve zyrtare, krahas kërkesave të vazhdueshme për rikthim me prioritet në Batajnicë dhe lokacionet e tjera tashmë të shënjuara,” – thuhet në njoftimin zyrtar të datës 9 shtator 2025.
Ekipi i KALLXO.com më 10.09.2025 ka qëndruar në vendin i cili gjendet afër një deponie të mbeturinave. Ndonëse ekipi nuk u lejua nga Policia që të afrohet afër punimeve që po kryheshin, nga një pozicion pak më i largët shihej makineria që veçse kishte filluar punimet fillestare, të cilat pritet që të zgjasin rreth dy javë.
Valon Hyseni nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës, për KALLXO.com tha se pritet që të gërmohet 14 deri në 15 metra thellë për t’u gjetur një pjesë e betontë që ka qenë afër një shtëpize, ku edhe dyshohet se mund të jenë mbetjet mortore.
“Këtu shihet që është një deponi e mbeturinave ku Novi Pazari, Tutini dhe Rashka kanë hedhur mbeturina për thuajse 26 vjet rrjesht. Deklaratat nga dëshmitarët janë që gjatë periudhës së luftës kanë pa disa kamionë që kanë ardhë këtu dhe ka dyshime të bazuara që mund të ketë mbetje mortore nga lufta e fundit, në këtë lokacion” – deklaroi Hyseni.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, deklaroi për KALLXO.com se në këtë vend ka pasur edhe zjarre, gjë e cila i ka shtyrë punimet të cilat planifikoheshin të fillonin në korrik të këtij viti.
“Është e domosdoshme dhe kërkesë e vazhdueshme e jona që gërmimet në raste të tilla të shoqërohen gjithmonë me të dhëna nga arkivat përkatëse të institucioneve të Serbisë. Vet fakti që ky lokacion gjendet në afërsi të deponisë së mbeturinave, e bën edhe më të rëndë si rast, është më rënduese edhe për ne, por edhe për familjet e personave të zhdukur, meqë një zonë e tillë po e cënon edhe vet dinjitetin e vet viktimave” – tha Gara.
Inspektimi i datës 10 shtator është përcjellë nga përfaqësues të Delegacionit të Republikës së Kosovës, përkatësisht nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Instituti i Mjekësisë Ligjore, EULEX-i, si dhe pala serbe. Të pranishëm në terren ishin edhe përfaqësues të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar (ICRC).
Kryetari i Komisionit, Andin Hoti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, bëri të ditur se për këtë lokacion është kërkuar në mënyrë të përsëritur që të fillojnë kërkimet.
“Kozhla është një nga lokacionet që në takimet e Grupit Punues i kemi diskutuar disa herë, krahas Batajnicës, Kozharevës dhe lokacioneve të tjera për të cilat kemi kërkuar vazhdimisht që të nisin hulumtimet dhe më pas punimet. Lokacioni ka nisur të vlerësohet që nga viti i kaluar, por më pas është shtyrë nga pala serbe,” shkroi Hoti.
Ai shtoi se vlerësimi ka nisur vetëm pas një presioni të vazhdueshëm ndërkombëtar dhe pas një zjarri që ka përfshirë zonën për gati dy muaj.
Një nga sfidat kryesore në këtë lokacion është fakti se zona është përdorur si deponi mbeturinash që nga viti 1999. Për të arritur te zona e dyshuar, sipas Hotit, kërkohet largimi i mbeturinave në një thellësi mbi 15 metra.
“Të mos lejohet Serbia ta kthejë Kozhljen në një proces të pafund, siç ndodhi me Kizhevakun dhe Rudnicën, duke zvarritur punimet me vite të tëra dhe duke mos dhënë koordinata të sakta.,” theksoi ai.
Hoti i bëri thirrje Serbisë që të nisë punimet edhe në lokacionet e tjera për të cilat ka dhënë zotime, përfshirë Batajnicën dhe 16 lokacionet e tjera të përmendura në raportet zyrtare.
Media dhe portale në Serbi si Euronews rs dhe B92 po ashtu raportuan për kërkimet në afërsi të Novi Pazarit nën dyshimin për mbetje të personave të vrarë në Kosovë.
Sipas raportimit, kërkimi do zhvillohet në zonën e deponisë së mbeturinave “Golo Brdo”.
“Ne duam, në një mënyrë jashtëzakonisht të përgjegjshme dhe transparente, që për hir të familjeve që po presin rezultatet e këtij kërkimi, ta bëjmë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe që, nëse në një moment gjejmë diçka apo jo, t’u bëjmë me dije atyre se kemi bërë gjithçka kemi mundur,” tha Veljko Odaloviq, kryetar i komisionit qeveritar të Serbisë për persona të zhdukur.
Tutje, Odaloviq ishte shprehur se numri i madh i personave të pagjetur nga Kosova është shqetësues.
“Është një numër i madh, që na shqetëson të gjithëve, i shqetëson familjet. Mendoj se është, para së gjithash, një çështje civilizuese dhe humanitare ndaj së cilës të gjithë duhet të japim përgjigje,” tha Odaloviq.
Që nga paslufta në Kosovë ku si pasojë mijëra persona rezultuan të zhdukur, në Serbi në katër varre masive janë gjetur rreth 1,000 trupa, derisa sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur figurojnë ende në listën e të zhdukurve edhe 1,577 persona.
Trupat janë transferuar nga Kosova në Serbi gjatë dhe pas luftës, si pjesë e përpjekjeve për të fshehur krimet e luftës.
Varri më i madh masiv ishte ai në Batajnicë afër Beogradit, gjatë 2001-2002 u gjetën mbi 700 trupa të shqiptarëve të Kosovës.
Në Petrovosellë ne 2001 po ashtu janë gjetur 70 trupa.
Në Kizhevak afër Rashkës me punime nisur nga 2015 janë gjetur dhjetra mbetje mortore dhe në Peruqac ku trupat ishin hedhur në liqe.
Lufta në Kosovë gjatë 1998-1999 rezultoi me 13 mijë viktima, mbi 20 mijë gra të dhunuara seksualisht dhe rreth 1 milionë shqiptarë të përzënë me dhunë.