Ilustrim: Tufë delesh në Opojë.Korrik, 2023. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Murtaja e deleve dhe dhive shfaqet në një fermë në Landovicë- Prizren, AUV e shpallë zonën të infektuar
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se është shfaqur rasti i parë i shpërthimit të sëmundjes PPR (Murtaja e Ruminantëve të Vegjël) në një fermë në fshatin Landovicë të Prizrenit.
Pas konfirmimit, AUV e ka shpallur fshatin Landovicë vatër të infektuar, në perimetër prej 3 km nga ferma e prekur.
Tashmë, kjo zonë është vendosur në masë karantine, ndalim të lëvizjes se çdo kafshe, transport apo qarkullim të produkteve dhe nënprodukteve të kafshëve.
AUV ka bërë të ditur se sëmundja Peste des Petits Ruminants (PPR), e njohur si Murtaja e Ruminantëve të Vegjël, është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë. Ajo karakterizohet nga simptoma të rënda si: temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda dhe sytë, diarre, pneumoni dhe kollitje e fortë.
Kjo sëmundje nuk është zoonotike, që do të thotë se nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve dhe nuk transmetohet nga kafsha tek njeriu.
“Menjëherë janë aktivizuar ekipet e inspektorëve të mjekësisë veterinare. Të cilët kanë vendosur masën e kufizimit të lëvizjes në fermën e dyshuar. Nga e cila janë marrë mostrat për testim. Sot në mëngjese Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar prezencën e sëmundjes në fermën e dyshuar. Mostrat e testuara në fermat përreth kanë rezultuar negativ” – thuhet në njoftimin e AUV, më 03.07.2025.
Kurse, fermat përreth fermës së prekur nga kjo sëmundje në Landovicë, AUV i ka vendosur nën masën e dyshimit për hulumtim epidemiologjitk, hulumtimin e burimit të infektimit dhe kontakteve të mundshme me fermën e infektuar.
“Janë vend në zbatim masat e biosigurisë ne ferma, si dhe dezinfektimi i fermave dhe zonave pëërreth sipas protokolleve veterinare” – kanë njoftuar nga AUV.
Për shkak të këtij rasti, AUV më 03.07.2025 ka nxjerrë një vendim për masat e përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes “Murtaja e Ruminantëve të Vegjël”, duke u bazuar në Ligjin nr. 2004/21 për Veterinarinë.
Sipas AUV, ky vendim do zbatohet në gjithë territorin e Kosovës dhe masat e përgjithshme të përcaktuara në të janë:
1) Ndalimi i lëvizjes së deleve dhe dhive nga fermat, tregtimin në tregjet dhe shitblerjen
2) Fermerët obligohen që menjëherë të njoftojnë veterinarin në rast të ndryshimit të gjendjes shëndetësore të deleve dhe dhive në fermat e tyre
3) Praktikat veterinare janë të obliguar të njoftojnë secilin rast të dyshuar me PPR tek autoriteti zyrtar AUV
4) Kryerjen e inspektimeve të menjëhershme të fermave të dyshuara, marrja e mostrave dhe dërgim në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë
5) Groposja e kafshëve në fermat të cilat rezultojnë të infektuara me PPR
6) Komunat obligohen të përcaktojnë lokacionet për asgjësim të kafshëve të infektuar
7) Dezinfektimi i objekteve dhe zonave përreth, fermave dhe zonave përreth rasteve të shpërthimit të sëmundjes.
Tutje, vendimi i AUV përcakton se lejohet lëvizja e deleve dhe dhive nga fermat e lira nga kjo sëmundje në thertore të licencuara, me pëlqimin paraprak të inspektorit veterinar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
“Urdhërohen të gjithë menaxheret e tregjeve që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi të pezullojnë pranimin e deleve dhe dhive në hapësirat e tyre. Obligohen të gjitha Komunat, Policia e Kosovës, në koordinim dhe bashkëpunim me AUV-në të bëjnë mbikëqyrjen e zbatimit të masave.” – thuhet në vendimin e AUV.
Sëmundja “Murtaja e Ruminantëve të Vegjël” po ashtu shkakton dëme të konsiderueshme në shëndetin e kafshëve, rrit nivelin e ngordhshmërisë dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë blegtorale.