Pallati i Drejtësisë, Prishtinë. Foto: BIRN.
MPB-së i kërkohet të ndërmarrë masa për përmirësimin e kushteve të punës në Pallatin e Drejtësisë
Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë shprehur “shqetësimin e thellë” lidhur me kushtet e rënda të punës në Pallatin e Drejtësisë, konkretisht në ambientet e Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të shkaktuara nga mosfunksionimi i sistemit të ftohjes dhe temperaturave të larta.
“Për shkak të mosfunksionimit të sistemit të ftohjes dhe temperaturave jashtëzakonisht të larta, temperaturat brenda zyrave të këtyre prokurorive po arrijnë nivele mbi 35°C, duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të punës dhe duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve.”-thuhet në reagimin e bërë më 07.07.2025.
KPK dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit u kanë bërë thirrje kryeprokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë që, në kuadër të kompetencave të tyre, të marrin masa, përfshirë edhe reduktimin e orarit të punës, deri në përmirësimin e kushteve.
Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit tutje në këtë reagim kanë informuar opinionin se lidhur me kërkesat e përsëritura për ndërhyrje dhe rregullim të sistemit të ftohjes nuk kanë marrë përgjigje për vite me radhë.
“KPK dhe ZKPSH, gjithashtu informojnë opinionin se kërkesat e përsëritura për ndërhyrje dhe rregullim të sistemit të ftohjes nuk kanë marrë përgjigje për vite me radhë, ndonëse objekti i Pallatit të Drejtësisë është nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila ka përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe funksionalitetin e këtij objekti.”-thuhet në reagim.
Lidhur me këtë situatë KPK dhe ZKPSH i kanë bërë thirrje të qartë dhe të drejtpërdrejtë Ministrisë së Punëve të Brendshme që të ndërmarrë menjëherë masa konkrete dhe efektive për përmirësimin e kushteve elementare të punës në këtë objekt, në mënyrë që të garantohen siguria dhe mirëqenia e punonjësve të sistemit prokurorial.