Ministri i Shtetit të Gjermanisë, Gunther Krichbaum. Foto: Bundestagu gjerman.
Ministri gjerman me kërkesa ndaj Kosovës dhe Serbisë në lidhje me arrestimin e Spahiut dhe Popoviqit
Ministri i Shtetit i Gjermanisë, Gunther Krichbaum, pas takimit me Përfaqësuesin Special të BE-së, Peter Sorensen, në Berlin më 29 korrik 2025, ka thënë se Qeveria gjermane është duke ndjekur për së afërmi rastet e arrestimeve e fundit- të shtetasit kosovar Arbnor Spahiu në Serbi, dhe të shtetasit të Serbisë Igor Popoviq në Kosovë.
Për rastin e ish-policit Spahiu, Krichbaum ka deklaruar se nga autoritetet serbe presin që të sigurojnë plotësisht dhe shpejt zbatimin e duhur të procedurave ligjore, të respektojnë të drejtat themelore dhe të garantojnë një proces të drejtë ligjor – në përputhje me Marrëveshjen e Dialogut për Drejtësinë, e cila e përcakton se procedurat për veprat penale në Kosovë duhet të zhvillohen në parim në Kosovë.
Gjykata e Lartë e Suboticës ia ka vazhduar edhe për 30 ditë të tjera masën e paraburgimit Arbnor Spahiut, i cili u arrestua dhe po mbahet nga autoritetet serbe prej datës 07.06.2025.
Spahiu ishte arrestuar më 7 qershor 2025 dhe ndaj tij u shqiptua masa fillestare e paraburgimit më 9 qershor.
Ndërsa, për arrestimin e zëvendësdrejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Igor Popviq në Kosovë, ai ka thënë se po e monitorojnë nga afër këtë arrestim dhe se çdo masë e privimit nga liria duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale.
Popoviq është dërguar në paraburgim njëmujor pasi më 18 korrik, gjatë shënimit të përvjetorit të vrasjes së serbëve në Rahovec, e kishte quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) “organizatë terroriste”. Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji. Ai dyshohet në Kosovë për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Ministri Krichbaum i ka bërë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura pa vonesë të mëtejshme dhe të përmbahen nga çdo deklaratë ose veprim përshkallëzues.
“I bëj thirrje të dy vendeve të rifillojnë angazhimin e tyre të plotë në procesin e dialogut”- ka deklaruar Krichbaum pas takimit të tij me Përfaqësuesin Special të BE-së Peter Sorensen.
Qeveria Gjermane, ka rikujtuar se mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, duke përgëzuar plotësisht përpjekjet e Sorensenit.
“Kjo përfshin mundësimin e lëvizjes së lirë dhe të sigurt, edhe për negociatorët dhe ekipet e tyre, si dhe një moderim kritik në deklaratat publike në dijeni të mandateve të tyre përkatëse. Gjermania është e gatshme të mbështesë të dy vendet në avancimin e një procesi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe paqësor të normalizimit”- shkruan në deklaratën e Krichbaum.
Ai tha se sheh të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor këtu. Dialogu dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një shtyllë e një Bashkimi Europian të fortë”- ka deklaruar ai.
Ministri ua ka kujtuar të gjithë aktorëve të përfshirë, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, se respektimi i standardeve dhe vlerave themelore evropiane, në veçanti sundimi i ligjit, është jetik për procesin e pranimit në BE.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve, proces që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.