Foto: Policia e Kosovës
Leposaviq, gruaja lajmëron bashkëshortin për kanosje, në shtëpinë e të dyshuarit Policia gjen armë e municione
Një grua është ankuar në Polici se është kanosur nga bashkëshorti i saj dhe ka lajmëruar se ai posedonte armë.
Rasti raportohet se ka ndodhur në fshatin Mekinicë të Leposaviqit sot më 15.10.2025.
Siç mësohet nga Policia, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kontaktuar me të dyshuarin i cili e ka pranuar se posedon armë.
Ndërsa, gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit Policia ka gjetur dhe konfiskuar tre pushkë automatike AK-47, një pushkë ajrore, një revole, një shkrepëse (në formë të revoles), 55 fishekë, një bajonetë, dy thika, pesë karikatorë të armës AK-47, një karikator të revoles, një këllëf të revoles, një xhaketë ushtarake dhe dy këmisha të Policisë serbe.
“Ndaj personit të dyshuar ekziston urdhri mbrojtës lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë lidhur me një rast të mëhershëm i cili urdhër është në fuqi nga data 15.10.2024 deri sot me datë 15.10.2025”- thuhet në njoftimin e lëshuar nga Policia e Kosovës.
Ndërsa, Policia bën të ditur se i dyshauri i këtij rasti S.T. 49-vjeç është arrestuar dhe se është informuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rasteve – kanosje, – mospërfillja e urdhrit të gjykatës, dhe -armëmbajtje pa leje.
I dyshuari njoftohet se është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Tutje, Policia shton se gjatë rocesit të kontrollit të shtëpisë, prindi i të dyshuarit ka deklaruar se njëra armë AK-47, pushka ajrore, bajoneta dhe uniforma janë të tij.
“Ndaj të dyshuarit N.T 70 vjeç është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, i njëjti pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Shtetit është liruar në procedurë të rregullt”- njofton Policia.