Mitrovicë e Veriut, Foto: KALLXO.com
"Kushdo që prish rendin edhe qetësinë do të dënohet", Policia në Mitrovicë të Veriut iu bën thirrje bizneseve
Policia në Mitrovicë të Veriut i ka paralajmëruar të gjithë pronarët dhe menaxherët e bizneseve se janë të obliguar të respektojnë oraret e përcaktuara për përdorimin e muzikës, siç parashihen në Ligjin për Rendin dhe Qetësinë Publike.
Në njoftimin e datës 09.08.2025 thuhet se kushdo që nuk e respekton orarin, do të dënohet për kundërvajtje.
“Kushdo që shkakton zhurmë të panevojshme dhe të padurueshme që dëgjohet të banorët për rreth apo në rrugë dhe që shqetësojnë personat tjerë nga ora 22:00 e deri në orën 07:00 gjatë ditëve të javës dhe prej orës 23:00 e deri në orën 07:00 të shtunave dhe të dielave, dënohet për kundërvajtje”- theksohet në njoftim.
Qëllimi i kësaj mase sipas organeve të rendit është ruajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike.
Policia fton të gjitha bizneset të bashkëpunojnë për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Respektimi i ligjit është detyrim dhe përgjegjësi e përbashkët”- përfundon Policia e Kosovës.
Kujtojmë se më 08.08.2025, dy persona janë arrestuar në Mitrovicë të Veriut pasi dyshohen se kanë prishur rendin dhe qetësinë publike, pas përfundimit të “Mitrovica Jazz Days”.
Kështu kishte njoftuar, shefi i operativës rajonale, Petrit Fejza, i cili tregoi veprimet që bën këta dy persona, njëri ndaj kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq e tjetri ndaj një polici.
“Në momentin që ka përfundu kryetari është largu dhe një kamarier i një lokali i është drejtuar me disa fjalë atij, sipas përcjellësve. Është marr në stacion për me u sqaru situata. Një tjetër qytetar i drejtohet policit me “dorë në fyt”. I njëjti është arrestu, kanë filluar turmat të mblidhen. Këta dy persona janë ndaluar”- kishte thënë Fejza për KALLXO.com.