Foto: KALLXO.com Ilustrim
Kush janë dy të arrestuarit për shpërndarje të ideologjive për organizata terroriste, njëri nga ta ka dy familjarë të vrarë në Siri
Dy persona janë arrestuar në mëngjesin 22 majit 2025, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer vepra penale të cilat ndërlidhen me terrorizëm.
Dy të dyshuarit, Alban Bibaj dhe Muhamet Musliu, janë arrestuar me Urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, ndërsa KALLXO.com mëson se të njëjtit kishin shfrytëzuar rrjetet sociale për shpërndarjen e propagandës dhe thirrjeve për nxitje të përçarjes e mosdurimit.
Burime të KALLXO.com tregojnë edhe se njëri nga të arrestuarit ka dy vëllezër të vrarë në konfliktin në Siri, e tjetri është i njohur për Policinë.
Për arrestimin e tyre ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës. Operacioni policor ka përfshirë dy raste të ndara, që kanë rezultuar me tri kontrolle të vendbanimeve në Fushë Kosovë dhe Malishëvë.
“Dy arrestime të personave të dyshuar, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në ‘nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’ dhe ‘shpërndarje e propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste’ – duke përdorur rrjetet sociale.” – thuhet në Njoftim.
Ky operacion është kryer nga zyrtarët e Drejtorisë Kundër Terrorizmit të Policisë së Republikës së Kosovës, në koordinim me Prokurorin kompetent të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.