Bajram Hajdari, Kryetar i KKZ-së në Mitrovicë
Kryetari i KKZ-së: Në Mitrovicë janë hasur 75 fletëvotime me problem të numrit serik
75 fletëvotime që kanë pasur problem me numrin serik janë gjetur pas numërimit dhe verifikimit të votave në Mitrovicë të Jugut.
Kështu tha para mediave Bajram Hajdari, kryetar i Komisionit Komunal Zgjedhor, njëherazi menaxher i qendrës.
“Sipas një verifikimi paraprak që kemi bërë janë 75 fletëvotime. Ato u takojnë të dy kandidatëve dhe kanë të bëjnë me gabime teknike. Një pjesë e tyre është kopjuar me kujdes në prani të Policisë dhe më pas janë dorëzuar, ndërsa tani çështja u takon organeve të tjera kompetente” -ka theksuar Hajdari.
Lidhur me pretendimet e komisionerëve të LVV-së se ka pasur fletëvotime të pavulosura, Hajdari tha se nuk ka infomacione nëse ka tilla ndërkaq nëse eventualisht janë vërejtur janë vendosur në zarfin përkatës.
“Nuk e dimë që ka pasur të tilla, nuk kemi marrë prej ekipeve të numërimit edhe pse ne nuk e bëjmë këtë verifikim, si KKZ. Mund të ndodhë që të ketë fletëvotime të pavolosura, këshilli i vendvotimit është dashur (ta verifikojë). Por edhe këtu e verifikojnë, të pavulosurat hyjnë në zarfin përkatës, pra që janë të pavulosura“- tha ai.
Pas pëfundimit të procesit, sipas Hajdarit, po bëhen përgatitjet për dërgimin e materialit zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në Fushë-Kosovë.
Ndërsa, anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilir Gashi, ka deklaruar se edhe pse ka përfunduar procesi i verifikimit dhe numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut, ka defekte të shumta që bien ndesh me rregulloren zgjedhore dhe se kjo “komunë duhet të shkojë në rivotim”.
Madje, ai përmendi mundësinë për një komision hetimor për këtë çështje. “Pothuajse në të gjitha vendvotimet ka defekte që bien ndesh më rregulloren zgjedhore, rregulloren e brendshme të KQZ-së dhe për rrjedhojë ne do të bëjmë një analizë, një komision hetimor për të vërtetuar origjinalitetin e tyre”- tha ai për media më 12.11.2025.
Gashi tha se ky proces duhet të bjerë edhe në duart e organeve të drejtësisë sepse siç kanë vënë re “kemi një defekt serioz të fletëvotimeve” që në njëfarë mënyre e kanë rrënuar besimin e opinonit publik në procesin zgjedhor.
“Si rrjedhojë, ne konsiderojmë që e vetmja mënyrë për ta kthyer besimin në binarë, për ta rikthyer besimin e qytetarëve dhe për t’i dhënë integritet dhe besueshëri është rikthimi edhe një herë i qytetarëve të Mitrovicës në këtë proces- që është rivotimi”- shtoi ai.
Tre ditë pas përfundimit të garës zgjedhore, mes shumë pretendimeve për cenim të zgjedhjeve, deri te përfshirja e Prokurorisë për nisje të hetimeve, përfundoi procesi i numërimit të votave.
Fletëvotimet me numra serikë të ndryshëm që u gjetën në disa kuti, ngritën pretendimet e PDK-së dhe partnerëve të koalicionit në Mitrovicë mbi procesin e zgjedhjeve.
PDK pretendon se në kutitë e votimit janë gjetur fletëvotime që do duhej të ishin në një vendvotim tjetër, e në disa raste kanë pretenduar se janë gjetur edhe fletëvotime që i takonin një qendre tjetër të votimit.
Në anën tjetër, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, nuk u deklarua për media pas përfundimit të numërimit të votave.
“Hiç s‘e kam asnjë informatë. Unë kam qenë dje, hiç kurrgjë s’kam çka me deklaru se s’jam i njoftum”- potencoi ai.
Ditën e parë të nisjes së numërimit të votave, më 10.11.2025, pas ngritjes së pretendimeve të para, Prokuroria e Mitrovicës urdhëroi ndaljen e procesit të numërimit.
Një ditë më vonë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve doli me një komunikatë për media dhe publikoi një letër sqaruese të kompanisë CETIS të cilën thanë se është një gabim teknik që ka ndodhur në procesin e shtypjes së fletëvotimeve.
“CETIS thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit” – thuhet në njoftimin e KQZ-së të lëshuar më 11.11.2025.
Të martën pasdite, Prokuroria e Mitrovicës lëshoi urdhëresë për rifillimin e numërimit të fletëvotimeve, duke marrë për bazë reagimin e KQZ-së, që sipas Prokurorisë ka qartësuar dilemat.
Në anën tjetër përfaqësuesit e PDK-së pretendojnë se procesi tashmë është cenuar dhe më 11.11.2025 kanë dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe kanë kërkuar rivotim.
Pas rifillimit të numërimit të votave në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë, komisionerët e partive politike janë ankuar se kanë hasur në parregullsi të reja gjatë numërimit të votave të balotazhit të mbajtur më 09.11.2025 për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Lajmet për parregullësitë e raportuara dje i gjeni në këtë LINK.
Pas procesit të numërimit të votave, bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, Faton Peci nga LVV ka 53.44 për qind të votave ndërsa Arian Tahiri 46.56 për qind.