Ilustrim. Foto: Federata Japoneze e Sumos
Kryeministrja japoneze para dilemës: A do ta sfidojë ndalimin e grave në sportin e ‘sumos’?
Grave u ndalohet pjesëmarrje në dohyon “e shenjtë”. Kryeministrja Sanae Takaichi ende nuk e ka ndarë mendjen nëse do të marrë pjesë në ndarjen e trofeut më vonë gjatë këtij muaji, shkruan britanikja “The Guardian”.
Tifozët e sumos në Japoni mezi po presin ta marrin vesh nëse kryeministrja e parë grua e vendit, Sanae Takaichi, do të sfidojë traditat shekullore dhe do të hyjë në ringun e sumos që të ndajë një trofe në gjysmën e dytë të nëntorit.
Kur kanë mbetur edhe 11 ditë nga turneu aktual 15-ditor në Fukuoka në Japoninë jugperëndimore, zyrtarët qeveritarë i kanë lënë me dy mendje adhuruesit e sportit me komente të paqarta mbi mundësinë e përplasjes ndërmjet Takaichi dhe Federatës Japoneze të Sumos.
Grave u ndalohet hyrja, apo edhe prekja, e dohyos “së shenjtë”, ose arenës, për shkak të besimit në Shinto, fenë indigjene të Japonisë, se ato janë “të papastra” për shkak të gjakut të ciklit menstrual.
Kur u pyet nëse Takaichi do të kërkonte leje për ta ndarë trofeun e kryeministres fituesit, sekretari kryesor i kabinetit, Minoru Kihara, nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare.
“Kryeministrja dëshiron të respektojë traditën dhe kulturën e sumos”, u ka thënë ai gazetarëve gjatë javës, raporton agjencia e lajmeve, Jiji Press. “Qeveria ende nuk ka marrë vendim për këtë çështje. Ne do të shqyrtojmë një përgjigje të përshtatshme bazuar në vullnetin e kryeministres”.
Polemika
Referenca e Kiharës ndaj traditës sugjeron që Takaichi, konservatore sociale, do të shmangë ri-ndezjen e polemikave mbi ndalimin e grave në sumon profesionale. Aktualisht, grave u lejohet të hyjnë në arenë, si konkurrente dhe gjyqtare, vetëm në sumon amatore.
Polemika daton që nga viti 1990, kur Mayumi Moriyama, sekretarja e parë grua e kabinetit në Japoni, tregoi se donte ta ndante trofeun në emër të kryeministrit. Federata e Sumos ia hodhi poshtë kërkesën.
Një dekadë më vonë, guvernatorja e atëhershme i Osakës, Fuse Ohta, u detyrua t’ia ndante çmim kampionit të turneut vjetor të Osakës në një shteg pranë dohyos, pasi Federata e Sumos i hodhi poshtë kërkesat e saj të përsëritura që t’i lejohej ngjitja në arenë dyluftimit.
Çështja u rishfaq në vitin 2018 gjatë një turneu ekspozite në Maizuru afër Kiotos, kur kryetari lokal, Ryozo Tatami, u rrëzua ndërsa po mbante një fjalim në qendër të dohyos.
Disa spektatore gra, përfshirë një infermiere, nxituan në ring që t’i ofronin ndihmën e parë Tatamit, i cili kishte pësuar goditje në tru, derisa gjyqtari kërkonte vazhdimisht largimin e grave. Gratë refuzuan të largoheshin.
Zyrtarët hodhën kripë “spastruese” në sipërfaqen e mundjes pasi gratë i ofruan ndihmë Tatamit, megjithëse zyrtarët e sumos mohuan se kjo ishte bërë për shkak të pranisë së grave në arenë e dyluftimit. Kripa zakonisht shpërndahet para duleve dhe pas lëndimit të ndonjë mundësi.
Protestat
Incidenti shkaktoi protesta, duke e detyruar kryetarin e Federatës së Sumos, Hakkaku, të kërkonte falje për “veprimet e papërshtatshme” të gjyqtarit.
Megjithatë, disa ditë më vonë, mbrojtësit e sportit u kritikuan përsëri pasi refuzuan të lejonin Tomoko Nakagawan, kryetaren e atëhershme të Takarazukës, të mbante fjalim nga dohyo para një turneu ekspozues. E detyruar të mbante fjalimin anash ringut, Nakagawa u duartrokit nga spektatorët kur tha se ndihej “e turpëruar” nga trajtimi i saj si grua.
Në vitin 2019, Federata e Sumos do të formonte një panel ekspertësh të jashtëm për shqyrtimin e ndalimit të grave, por ende nuk ka nxjerrë ndonjë përfundim, ka raportuar gjatë muajit Asahi.
Disa kryeministra – së fundmi Shigeru Ishiba – kanë ndarë trofe fituesit së divizionit elitar makuuchi, ndërsa të tjerë janë përfaqësuar nga zyrtarë qeveritarë.
Imazhi i Takaichit duke shkelur në dohyo nuk do të ishte vetëm fitore simbolike për aktivistët e të drejtave të grave; nuk do t’i bënte dëm asaj politikisht ndërsa përpiqet të ringjallë fatin politik të partisë së saj.
Shumë nga ndjekësit e sumos besojnë se sporti ka hyrë në një epokë të artë pasi u trondit nga skandalet, duke përfshirë akuzat për ngacmim dhe dhunë në stallat e sumos, ku mundësit jetojnë, hanë dhe stërviten së bashku nën syrin vigjilent të drejtuesit të stallës së tyre.
Biletat për gjashtë turnetë vjetorë shiten shpejt, ndërsa tifozët vendas festuan këtë vit kur Onosato u bë kampioni i parë i madh i jokozunas i lindur në Japoni pas tetë vjetësh. Sporti, për të cilin disa thonë se daton më shumë se 1.500 vjet, po shijon gjithashtu shkëlqimin e një turneu jashtëzakonisht të suksesshëm në Royal Albert Hall – shfaqja e tij e parë në Mbretërinë e Bashkuar pas 34 vjetësh.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com