Shiriti i Policisë së Kosovës. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com
Kryeinfermieri i QMF-së në Llabjan pretendon se u sulmua fizikisht nga punëtori ndihmës
Lulzim Mustafa, teknik shëndetësor në Qendrës së Mjekësisë Familjare në Llabjan të Novobërdës, i cili njëherazi ushtron detyrën e kryeinfermierit, po pretendon se është sulmuar fizikisht me shufër metalike nga Hetem Vllasaliu, punëtor ndihmës, pastrues.
Për rastin që pretendohet se ka ndodhur më 25.07.2025, Mustafa thot se ka ndodhur për shkak se ai kishte kërkuar një zorrë uji dhe kjo kishte çuar deri te konflikti.
“Kam kërkuar nga Hetem Vllasaliu çelësin e shupës ku gjendet gypi për ujitje, na duhej për ujitjen e luleve të cilat që dy vite i mbjell unë dhe kujdesem për to në hapësirat e oborrit të QMF në Llabjan. Pastruesi refuzou me ma dhënë çelësin e hapësirë dhe kërkoi të më largojë me dhunë nga hapësira e depos. Më ka goditur disa herë. Unë jam vetëmbrojtur por pa përdorur dhunë ndaj tij. Ai e ka marrë një shufër metali që e kishte përgatitur dhe më ka goditur me atë”- ka thënë Mustafa.
Për shkak të lëndimeve që ka pësuar Mustafa është duke marrë trajtim mjekësor.
Kryeinfermieri Mustafa thotë se ai kishte raportuar disa herë para rastit për mungesën e Hetem Vllasaliut në vendin e punës.
“Ky frustrim vjen për arsye të raportimit tim për mungesën nga puna të Hetem Vllasaliut si dhe raportet të cilat drejtori i ka dërguar në Komunë për arsye të mungesave të vazhdueshme”- ka deklaruar Mustafa.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia në Gjilan.
Pjesëtarët e Policisë kishin shkuar në vendin e ngjarjes.
“Lidhur me rastin, patrulla nga stacioni policor i Novobërdës ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Rasti ka ndodhur në fshatin Llabjan, në ambulancë, ndërmjet punonjësve — konkretisht një teknik shëndetësor dhe një punëtor ndihmës, pastrues. Mosmarrëveshja ka ndodhur për shkak të ujit, pasi punëtori ndihmës kishte kërkuar një zorrë uji, dhe pas kësaj ka ardhur deri te konflikti fizik”- ka thënë Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Gjilanit.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Novobërdës, Driton Avdyli, shprehu keqardhje për rastin e ndodhur ndërsa tha se të dy personat e përfshirë janë në procedurë disiplinore.
“Kam qenë i kam takuar. Të dy kolegët mes vete kanë pasur probleme. Tash janë në procedura disiplinore. Keq që ka ndodhur”- tha ai.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe drejtorin e QMF-së në Llabjan, Rrahim Veliu, i cili tha se me rekomandimin e Drejtorisë së Shëndetësisë të dy të përfshirët janë proceduar për komision disiplinor në nivel komunal, i cili do të vendosë për masat ndaj të dyve.
Veliu deklaroi se të dy punonjësit e përfshirë në rast janë në pushim mjekësor.
KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Hetem Vllasaliun, i përfshirë në rast, por ai ende nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara me mesazh.
Shënim: Titulli i këtij shkrimi është edituar. Koha e editimit: 29.07.2025, në ora 19:24.