Komisioni Europian - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com
KE-ja për Kosovën: Vonesa në formimin e institucioneve ngadalësoi progresin e reformave
Komisioni Europian ka vlerësuar se Kosova ka mbetur e përkushtuar në rrugës së saj europiane, me një nivel të lartë mbështetjeje publike, mirëpo vonesa në formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit ngadalësoi progresin e reformave që lidhen me BE-në.
Më 04.11.2025, Komisioni Europian miratoi Pakon e vjetore të Zgjerimit, duke paraqitur një vlerësim gjithëpërfshirës të progresit të bërë nga partnerët e zgjerimit gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit.
“Forcimi i bashkëpunimit ndërpartiak dhe ripërcaktimi i përparësive të këtyre reformave është i nevojshëm që Kosova të rikthehet në rrugën e saj drejt BE-së”- shkruan në komunikatën e Komisionit Europian.
Sipas KE-së, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i angazhimeve të Dialogut mbeten pjesë integrale e perspektivës europiane të Kosovës.
Komisioni është shprehur i gatshëm të përgatisë një Opinion mbi kërkesën e anëtarësimit të Kosovës, nëse kërkohet nga Këshilli.
“Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë për të hequr gradualisht masat kundër Kosovës që janë në fuqi nga maji 2025”, thuhet në komunikatë.
“Hapat e ardhshëm mbeten të kushtëzuar nga deeskalimi i qëndrueshëm në veri. Komisioni synon t’i heqë më tej këto masa me kusht që të arrihet një transferim i rregullt i qeverisjes lokale në veri pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe deeskalimi të jetë i qëndrueshëm”- shkruan më tej në komunikatë.
Paketa vjetore e Zgjerimit e këtij viti riafirmon se momenti për zgjerim qëndron lart në axhendën prioritare të BE-së. Gjithashtu konfirmon se pranimi i Shteteve të reja Anëtare është gjithnjë e më i arritshëm.
Komisioni thotë se Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina, Republika e Moldavisë, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Turqia dhe Gjeorgjia vazhdojnë rrugët e tyre përkatëse drejt BE-së.
“Ritmi i reformave të tyre, veçanërisht në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, ndikon drejtpërdrejt në shpejtësinë e pranimit. Këto përparime u sjellin dobi si Shteteve Anëtare aspirante ashtu edhe Shteteve Anëtare aktuale të BE-së, duke nxitur prosperitetin, demokracinë, sigurinë dhe stabilitetin, ndërsa zhbllokojnë mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset, të tilla si investimet strategjike dhe hapja e Tregut të Përbashkët”- shkruan tutje.
Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian, tha se janë më të përkushtuar se kurrë për ta kthyer zgjerimin e BE-së në realitet.
“Sepse një Bashkim më i madh do të thotë një Europë më e fortë dhe më me ndikim në skenën globale. Por ai duhet dhe do të mbetet një proces i bazuar në meritë. Paketa jonë ofron rekomandime specifike për të gjithë partnerët tanë. Dhe të gjithëve u themi: Hyrja në BE është një ofertë unike. Një premtim paqeje, prosperiteti dhe solidariteti. Me reformat e duhura dhe një vullnet të fortë politik, ju të gjithë mund ta shfrytëzoni këtë mundësi”- tha ajo.
Për Shqipërinë, vlerësohet se ka bërë përparim të konsiderueshëm, me katër grupe të hapura gjatë vitit të kaluar.
Sipas Komisionit, përgatitjet për hapjen e grupit të fundit këtë vit kanë përparuar mirë dhe është arritur përparim në bazat, veçanërisht në reformën në drejtësi dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Tani nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të përmbushur standardet e ndërmjetme sipas bazave, të cilat do të hapin rrugën për të filluar mbylljen e kapitujve negociues pasi të jenë bërë reformat e nevojshme sektoriale”- shkruan tutje.
Për Serbinë, Komisioni Europian ka potencuar se polarizimi në shoqërinë serbe është thelluar në sfondin e protestave masive që po zhvillohen në të gjithë Serbinë që nga nëntori i vitit 2024, duke reflektuar zhgënjimin e qytetarëve për shkak, ndër të tjera, të korrupsionit dhe mungesës së perceptuar të llogaridhënies dhe transparencës, së bashku me raste të përdorimit të tepërt të forcës kundër protestuesve dhe presionit mbi shoqërinë civile.
Sipas tyre, kjo ka çuar në një mjedis gjithnjë e më të vështirë ku retorika përçarëse ka çuar në një erozion serioz të besimit midis palëve të interesuara, gjë që, nga ana tjetër, ndikon në procesin e pranimit.
“Reformat janë ngadalësuar ndjeshëm”- shkruan Komisioni Europian.
Sipas vlerësimit të Komisionit, Serbia pritet të kapërcejë ngecjen në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore në përgjithësi dhe të përmbysë urgjentisht kthimin prapa në lirinë e shprehjes dhe erozionin e lirisë akademike.
“Vlerësimi i Komisionit nga viti 2021 se Serbia kishte përmbushur kriteret e hapjes për grupin 3 (konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse) mbetet i vlefshëm”- shkruan tuje.