Salla e Kuvendit të Kosovës (21.04.2025), Foto: KALLXO.com
KDI: Ndryshimi i votimit brenda seancës – vendim arbitrar që cenon integritetin e Kuvendit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se propozimi për votim të kryetarit të Kuvendit në mënyrë të fshehtë nga kryesuesi është bërë në mënyrë arbitrare.
Në një reagim në rrjete sociale, KDI thotë se veprimi i sotëm është shkelje e parimeve procedurale.
“Si organizatë e shoqërisë civile që monitoron nga afër punën e Kuvendit dhe promovon transparencën, llogaridhënien dhe standardet demokratike në vendimmarrje, shpreh shqetësim të thellë lidhur me mënyrën e zhvillimit të votimit gjatë vazhdimit të sotëm të seancës konstituive” – thuhet në reagim.
“Ndryshimi i mënyrës së votimit në mes të seancës, në mënyrë arbitrare nga kryesuesi dhe pa bazë në Rregulloren e Punës së Kuvendit, përbën shkelje të parimeve procedurale dhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin e Kuvendit. Ky veprim jo vetëm që bie ndesh me standardet e një legjislature demokratike, por minon edhe besimin publik në rregullsinë dhe integritetin e proceseve parlamentare” – deklaroi KDI.
“Çdo përpjekje për të ndryshuar rregullat gjatë lojës – veçanërisht kur vjen në funksion të kalkulimeve të brendshme politike – dëmton rëndë autoritetin e Kuvendit” – thuhet në reagim.
Kuvendi i Kosovës sot dështoi për herë të nëntë që të konsituohet.
https://kallxo.com/lajm/vazhdimi-i-seances-per-konstituimin-e-kuvendit/