Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Likovës dënon atentatin ndaj Zekirja Shahinit
Kandidati për kryetar të Komunës së Likovës, në Maqedoni të Veriut, nga radhët e koalicionit VLEN, Nexhmedin Sadiku, ka dënuar ashpër plagosjen e bartësit të listës të koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) për Kuvendin Komunal të Likovës, Zekirja Shahini.
Shahini u plagos me armë zjarri në një atentat që u krye ndaj tij në Kumanovë më 07.10.2025.
Në një prononcim për KALLXO.com, Sadiku tha se dhuna nuk ka vend në fushatë dhe se qytetarët duhet të mobilizohen për një proces zgjedhor të qetë e demokratik.
“Për hir të së vërtetës, kjo ngjarje ka ndodhur dje gjatë pasdites. Jemi trishtuar të gjithë. E kemi pranuar këtë lajm me një indinjatë të thellë dhe menjëherë ne kemi reaguar. Përndryshe, është bashkëfshatari im, ish-nxënës imi, me të cilin kemi raporte të shkëlqyera” – tha Nexhmedin Sadiku.
Ai hodhi poshtë pretendimet se plagosja e Zekirja Shahinit ka motive politike.
“Sa i takon fshatit tonë, ne e kemi treguar në të kaluarën, sidomos gjatë luftës së vitit 2001, se të gjithë jemi një, të gjithë jemi bashkë. Kur vjen në pyetje politika ose diçka tjetër, ne bëhemi bashkë. Unë do të jem i pari që do të shkoj ta vizitoj kur të kthehet në shtëpi, dhe nuk duam t’i japim fare ngjyrë politike” – tha Sadiku.
Organet e rendit në Maqedoni të Veriut kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorëve të atentatit.
Rastin e rëndë e kanë dënuar pothuajse të gjitha partitë politike dhe ka ngjallur reagime në opinionin publik.
Zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut do të mbahen më 19 tetor.