IPK: Eprorët e policisë në Pejë u arrestuan për keqpërdorim të detyrës
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Inspektorati i Policisë së Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Pejë kanë dalë me komunikatë të përbashkët për media në lidhje me arrestimin e dy eprorëve të policisë, Prek Tunaj e Nexhat Gutiqi.
Sipas njoftimit, hetuesit e IPK-së në koordinim dhe me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, kanë vazhduar ndërmarrjen e veprimeve hetimore ndaj personave të dyshuar të inkriminuar në elemente të veprave penale.
“Veprimet hetimore kanë përfshirë përveç tjerash edhe intervistimin e personave të përfshirë në këtë rast si dhe të dyshuarve”- thuhet në njoftim.
Në komunikatë bëhet e ditur se dy zyrtarët policorë janë arrestuar si të dyshuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe me vendim të prokurorit, të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
KALLXO.com raportoi ekskluzivisht të shtunën në mbrëmje, se janë arrestuar dy eprorët e Policisë së Kosovës në Pejë.
Tutje në njoftim thuhet se, hetuesit e IPK-së me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.
KALLXO.com ka raportuar për situatën, në të cilën kishte shpëtuar me një kundërvajtje biznesmeni Sali Devolli më 28.05.2025, për lirimin e të cilit po dyshohen se ndikuan dy eprorët e policisë.
Raportimi i Kallxo.com
Kapiteni Prekë Tunaj dhe nënkoloneli Nexhat Gutiq janë suspenduar nga puna pas dyshimeve të ngritura për lirimin e biznesmenit, Sali Devolli.
Devolli ishte shoqëruar në Stacionin e Policisë së Pejës më datë 28 maj 2025, ndërsa eprorët e Policisë dyshohet që e liruan atë pa një vendim të prokurorit.
Sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com më datë 28.05.2025, Sali Devolli ishte ndaluar rreth orës 14:35 në rrugën “Shpetim Bojku” në Pejë.
Devolli në bazë të tiketës të cilën e ka siguruar KALLXO.comm dyshohet se sulmoi verbalisht zyrtarët policorë fillimisht duke mos u prezantuar dokumentet e veturës te zyrtarja policore e më pas edhe duke ju thënë “polic k****** të k****”, “nuk më njihni ju mua hala, e merrni vesh ju shpejt se kush jam unë.”
Me këto veprime, Devolli dyshohet se ka kryer sulm verbal, por që rasti i tij u referua për gjykatë meqenëse kundërvajtja u krye ndaj personave zyrtarë apo personave që mbrojnë rendin dhe qetësinë publike dhe se si veprim është i dënueshëm me gjobë prej 100 deri në 700 euro apo me burg deri në 50 ditë.
KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e Prokurorisë së Pejës në lidhje me këtë çështje. Ata në një përgjigje për KALLXO.com kanë deklaruar se nuk kanë pranuar asnjë rast apo nuk janë njoftuar në lidhje me rastin.
“Ju njoftojmë se lidhur me kërkesën tuaj, Prokuroria Themelore në Pejë nuk ka pranuar asnjë rast nga Policia e Kosovës lidhur me këtë rast. Gjithashtu, as Kryeprokurorja dhe as prokuroret kujdestar nuk janë njoftuar me raporte të veçanta nga asnjë zyrtarë policorë për rastin që keni parashtruar pyetje”- ka thënë në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
Po si erdhi deri te shqiptimi i kundërvajtjes e cila iu referua Devollit për në gjykatë. Informacionet të cilat posedon KALLXO.com flasin për mundësi të “amnistisë” ndaj Sali Devollit.
Në po të njëjtën datë kur është shqiptuar tiketa, në Peje ishte regjistruar një aksident trafiku me dëme materiale. Burimet tutje tregojnë se në afërsi të vendit të ngjarjes kishte shkuar Sali Devolli. Ky i fundit kishte parkuar veturën ndërsa zyrtarët policorë që ishin duke u marrë me aksidentin e që ishin dërguar në asistencë, i kishin kërkuar Devollit të largohej me veturë, e që i njëjti kishte refuzuar.
Tutje në bazë të informacioneve që ka KALLXO.com, Sali Devolli është shoqëruar në Stacion Policor nga zyrtarët policorë, e aty nis edhe ofendon të njëjtit. Rasti lajmërohet brenda stacionit dhe hetimet e brendshme nisin ta trajtojnë situatën.
Ndërkohë me rastin pretendohet se nis të merret edhe kapiteni Prek Tunaj me nënkolonelin Nexhat Gutiq. Të dy flasin me Sali Devollin e më pas i njëjti lirohet, ndërsa Tunaj e Gutiq pretendohet se i kanë udhëzuar policët që të mos merren me rastin sepse nuk ka rast.
Zyrtarët policorë që shoqëruan Sali Devollin në Stacion Policor nisin dhe bëjnë raportet për situatën ndërsa hetimet më pas kërkojnë intervistimin e të dyshuarit por që ai paraprakisht ishte liruar.
Sali Devolli ftohet nga Prek Tunaj në Stacion Policor i shqiptohet edhe kundërvajtja pra disa orë pasi veçse kishte ndodhur ngjarja.
Ajo çka KALLXO.com mëson është se në Drejtorinë Rajonale të Pejës, u iniciua rast hetimi edhe ndaj zyrtarëve policorë që shoqëruan në Polici Sali Devollin.
Edhe me këtë çështje tashmë po merren organet kompetente. KALLXO.com ka biseduar përmes telefonit me komandantin e Stacionit Policor në Pejë, Idriz Atashi.
Ai shkurt tha se ka iniciuar trajtimin e rastit ndërsa rekomandoi që për përgjigje shtesë të drejtohemi me kërkesë zyrtare.
Nga Zyra për Informim në Pejë, KALLXO.com ka marrë një sugjerim që për përgjigje të drejtohemi në Zyrën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.
Për krejt këtë situatë KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Sali Devollin.
Ai për KALLXO.com rrëfeu se çka ndodhi duke thënë se me fjalë ofenduese fillimisht i ishte drejtuar dikujt tjetër, por që zyrtarët policorë e kishin marrë për vete atë ofendim.
“Kam pasur një thirrje prej shtëpisë për shkak të nanës që ishte keq me shëndet, shkova në një rrugë dhe kish ndodhë një aksident dhe i pyeta a i kanë thirrë Policinë, më thanë po dhe i kam thirrë unë disa herë Policinë ju thash e kam një urgjencë është blloku rruga dy vetura kanë bo ndeshje a mundeni me dërgu një patrullë sepse më duhet me shku urgjent në spita. Pas 1 orë e dicka kanë ardhë dhe ju kam thanë kjo veturë që është e parkuar ilegalisht, është i kolegut të juj cdo ditë kem problem a mundeni me lut kolegun e juj me largu këtë veturë, polici më tha shko në Polici lajmroje rastin, mu drejtu polici shko në Polici. Ju thash a ka mundësi me u largu ta fotografoj kerrin dhe ta dërgoj në IPK”- nis të tregoj për nismën e kësaj situatë.
E prej kësaj situatë Devolli thot se nisi edhe fjalosja me policin që ishte dërguar në vendin e ngjarjes.
“Unë ju kam drejtu policit por jo për të, i kam thënë qaj k****** ka faj, as ti as unë”- pretendon Sali Devolli që i kishte thënë zyrtarit policor për kolegun e tij që kishte parkuar një veturë skaj rrugës të cilën ishte duke e frekuentuar atë moment Devolli.
Ai pranoi se kishte refuzuar që të legjitimohej nga policia dhe më pas zyrtarët policorë e kishin arrestuar dhe dërguar në Stacion Policor.
“Më kanë thanë që të arrestojmë ju thash po, kur më derguan në stacion avokatin nuk ma kanë lanë me ardhë brenda, edhe ju thash policëve mas pari ju nuk më keni identifiku, unë jam Sali Devolli. Një polic më tha çka ka lidhje kush je ti, unë i thash o zotni ju nuk ma keni marrë emrin, nuk e dini kënd e keni marrë në momentin që e ndaloni dikë duhet me ditë kënd e keni marrë”- shtoi ai.
Tutje ai pranon faktin se kapiteni Tunë Preka i ka thënë që të mos e bëjë rastin më të madh dhe le të përfundojë kjo situatë me një tiketë kundrvajtjesë.
“Është rreshter apo toger nuk e di Preka, është shumë burrë i mirë, më ka marrë e i thash qeshtu-qeshtu me duhet me çu nanën në spital me tha okej, çoje në spital u ktheva pastaj më tha duhet me ta shqiptu dënimin dhe ju thash që du me i njoftu edhe standardet edhe IPK-në sepse mu ka bë e padrejtë. Ai më tha që ka mundësi me u kalu kjo me një tiketë që mos mu bo e madhe dhe as unë nuk dashta me bo të madhe sepse po duhet ka 2-3 herë me shku në IPK”- shton tutje Devolli.
“Tha le ta kryejmë me kaq, krejt ishin aty disa policë të rinj e tha këta policët e rinj po nguten dhe nime nuk dashta me bo të madhe”- tha tutje Devolli.
Në lidhje me nënkolonelin Gutiqi, Devolli thotë se nënkoloneli në kohën kur është arrestuar ka hyrë brenda dhe ka dalë pas 5-6 minutave.
“Intervistë më kanë bë disa policë tjerë në prezencë të Prekës, kur jam intervistu ai nuk ka qenë në zyrë”- shtoi tutje Devolli.
Këtë ngjarje tashmë po e trajton edhe Inspektorati Policor i Kosovës. Në bazë të informacioneve që posedon KALLXO.com, tashmë IPK posedon dosjen e plotë të ngjarjes që ka ndodhur ndërsa pritet të ketë edhe masa.
Inspektoratit Policor i Kosovës (IPK) ka filluar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar pas pranimit të informacioneve nga mediat për një rast ku dyshohej se ishin përshirë dy zyrtarë policorë (një nënkolonel dhe një kapiten policor) në Drejtorinë Rajonale të Pejës.
“Hetuesit e IPK në bazë të njoftimit, menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe kanë ndërmarrë veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë e Shtetit. Pas ndërmarrjes dhe veprime paraprake, dyshohet se dy zyrtarët policorë janë të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
“Incidenti fillestar raportohet të ketë ndodhur më 28.05.2025 kur disa zyrtarë policorë në Pejë ishin njoftuar për një aksident trafiku në rrugën “Shpëtim Bojku” dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë shoqëruar në stacion policor edhe një të dyshuar i cili nuk ishte përfshirë fare në aksident por që ka penguar zyrtarët policorë në realizimin e detyrave të tyre.
Nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohet se kanë ndërhyrë në këtë rast (shoqërimin e të dyshuarit në stacion) duke mos përcjellë rastin për hetim dhe nuk është njoftuar Prokuroria për rast (në kundërshtim me procedurat standarde të veprimit të policisë në raste të tilla), duke i shqiptuar të dyshuarit një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike”- thuhet në përgjigjen e IPK-së.
https://kallxo.com/lajm/dyshime-serioze-qe-eproret-e-policise-se-pejes-liruan-biznesmenin/