Indiferenca në kohë krize: Qytetarët mes zhgënjimit dhe mosreagimit publik
Kanë kaluar rreth tre muaj e gjysmë qëkur Kosova është futur në krizë institucionale si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit. Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur një sërë zhvillimesh me ndikim të drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve, duke nisur nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike dhe produkteve bazë, rastet tragjike të humbjes së jetës në vendin e punës, e deri te veprimet e diskutueshme të pjesëtarëve të Policisë.
Megjithatë, me pak përjashtime, është vërejtur një mungesë e theksuar e reagimit qytetar përballë këtyre fenomeneve. Një sjellje e tillë ndërlidhet me zhgënjimin e akumuluar ndaj institucioneve, mungesën e besimit në efektin e reagimit, fragmentimin shoqëror dhe me frikën nga pasojat personale. Profesorët e Sociologjisë, Fadil Maloku dhe Jeton Brajshori, shpjegojnë pse ka ardhur deri te kjo gjendje dhe cilat janë pasojat e indiferencës qytetare në kohë krize.
Maloku thekson për Kallxo.com se indiferenca dhe neglizhenca e qytetarisë për të adresuar pakënaqësinë mund të shpjegohet përmes teorive sociologjike. Shembull ai e merr “sindromën e zhgënjimit të përsëritur”, ku qytetarët “të stërngopur nga premtimet e mëdha” që nuk janë mbajtur, siç janë premtimet mbi korrupsionin sistematik dhe tranzicionin e stërgjatur, krijojnë gjendjen e mosbesimit të përgjithshëm, me ç’rast edhe përpjekjet për të ndryshuar diçka perceptohen si angazhim i kotë.
“Pastaj [kemi] paradigmën e konsumimit të kapitalit shoqëror, ku shoqëria kosovare duke pësuar një ‘shkurorëzim’ të shpejtë dhe të pahetueshëm nga ndjenja e solidaritetit komunitar, e sidomos nga lidhjet familjare dhe ndjenja e përkatësisë, ka bërë që sot [qytetarët] të jenë indiferentë dhe shumë empatikë!”, shpjegon ai.
Maloku konsideron se “hise” në këtë indiferencë qytetare ka edhe procesi i asaj që shquhet si “fragmentim identitar”, apo mungesë e një lloj solidaritetit klasor, ku ndjesia “për të mobilizuar njerëzit me ndonjë kauzë psh. të pabarazisë, drejtësisë kolektive, dhe të sigurisë kolektive, zbehet aq shumë sa që apatia e ‘neve’ (të fuqizuar) shndërrohet me atomatizëm në ‘unë’ (të frikësuar)” – ka deklaruar Maloku.
Profesor Brajshori, në anën tjetër deklaron se pasiviteti i shoqërisë kosovare lidhet me zhgënjimin e akumuluar ndër vite ndaj institucioneve dhe klasës politike. Sipas tij, secili që do të jap kontribut, nuk e sheh efektin e përpjekjeve të tij, sado të mëdha qofshin ato. “Shto kësaj edhe drejtësinë selektive në vendin tonë, atëherë protestat, peticionet apo pjesëmarrja në diskutime publike duket të jetë e kotë sepse në fund përsëri po vendos dikush tjetër për interesa vetanake apo partiake e jo në emër të së mirës së përgjithshme” – ka deklaruar Brajshori.
Në këtë kontekst, Brajshori ka theksuar edhe mungesën e besimit në organizatat e shoqërisë civile, të cilat shpesh sipas tij, shihen si të politizuara dhe shërbejnë si trampolinë për futje në politikë. “Ekziston po ashtu frika nga humbja e vendit të punës si ndëshkim për ngritjen e zërit gjë që ndodhë shpesh tek ne” – ka shtuar Brajshori.
Efektet e pasivitetit qytetar
Dy profesorët kanë folur edhe për efektet e pasivitetit shoqëror duke shpjeguar se si ndikojnë ato në vendimmarrjen e autoriteteve të larta. Brajshori ka thënë për KALLXO.com se mosreagimi qytetar ndaj fenomeneve negative krijon mjedis të favorshëm për abuzim me pushtetin. Kur nuk ka presion nga qytetarët, sipas tij, politikanët dhe vendimmarrësit e tjerë ndihen të lirë të veprojnë pa përgjegjësi.
“Kjo na dërgon në keqqeverisje, nepotizëm, korrupsion dhe rritje të pabarazisë sociale. Fatkeqësisht tek ne, klasa e mesme është në zhdukje e sipër dhe në të ardhmen do të kemi vetëm klasën e lartë dhe atë të ulët- ku e para do ta ketë nën kontroll total të dytën. Normalisht që një gjë e tillë do të rrisë trendin e migrimeve dhe këta çka mbesin këtu do të jenë të nënshtruar ndaj konformizmit” – ka thënë profesori Brajshori.
E sipas profesorit Maloku pasojat e mosreagimit qytetar mund të jenë të ndryshme. “Duke u dobësuar ndjenja e solidaritetit kolektiv, aktivizohet dhe ngritet si standard e si e drejtë, ndjenja individualiste, ajo konzumeriste në shoqëri” – ka deklaruar ai, mes tjerash. Sipas tij, konsumimi i tepruar i së drejtës individuale e ka kompromituar edhe zbehur ndjesinë e komunitetit dhe familjes si institucion.
Sociologu Brajshori konsideron se shoqëria kosovare është lodhur nga pritjet, premtimet dhe mungesa e rezultateve konkrete. Kjo ka demotivuar qytetarët për reagim. Qytetarët, sipas tij, kanë ardhur në gjendjen që edhe pse janë të vetëdijshëm për problemet, nuk besojnë se mund të sjellin ndryshim.
“Secili i preokupuar me probleme individuale si pasojë e statusit socio-ekonomik, lë pak hapësirë për të reaguar kolektivisht. Kjo është për keqardhje kur shohim se njerëzit organizohen dhe protestojnë për gjëra në dukje të parë banale si për ‘VIP’ të ndryshëm, por që hezitojnë të protestojnë për gjërat më elementare të cilat na përkasin edhe me të drejtë natyrore, pra të jetojmë dinjitetshëm”- ka shtuar Brajshori.
Ndërsa sipas Malokut, mungesa e ‘rebelimit’ qytetar dhe fragmentarizimi i interesave të qytetarëve krijon komoditet tek politikanët, biznesmenët e vendimmarrësit. “Përvec komoditetit dhe sigurisë në përgjegjësitë që kanë marr, qoftë përmes votës (politikanët) apo përgjegjësisë tek punëdhënësit, krijon vijimësi permanente për të vazhduar me skemat e mashtrimit (të politikanit) dhe të eksploatimit (të oligarkëve) maksimal” – ka deklaruar profesori Maloku.
Edhe Brajshori vlerëson se mosreagimi i qytetarëve i bën pushtetarët të ndihen të sigurt që nuk do të përballen me pasoja politike apo shoqërore, pavarësisht vendimeve që marrin. “Kur mungon presioni publik, edhe politikanët edhe biznesmenët ndihen që janë mbi ligjin dhe se çdo ankesë merr fund shumë shpejt, duke i dekurajuar të tjerët për protestat në të ardhmën. Prandaj, pjesëmarrja aktive e qytetarëve është jo vetëm që është e nevojshme, por edhe element kyç i një demokracie funksionale, që ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien dhe dinjitetin tonë shoqëror” – ka thënë profesor Brajshori.
“Kur t’ju bëhet boll, kallëzoni”
Deputetët që i fituan mandatet në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 kanë filluar seancën konstituive më 15.04.2025, por që deri më tani kanë dështuar 51 herë që ta përmbyllin suksesshëm këtë seancë. Dhe, pa konstituimin e Kuvendit nuk mund të zgjidhet as Qeveria e re. Në shenjë revolte për ngërçin politik, avokati Arianit Koci, ka protestuar disa herë para Kuvendit në forma të ndryshme, duke nisur nga vendosja e “shiritit bllokues”, sjellja e gomarëve para “tempullit të demokracisë”, e deri ta rruajtja e flokëve para këtij institucioni. Derisa ka pasur edhe disa raste individuale të reagimit qytetar, disa herë kanë protestuar edhe organizatat e shoqërisë civile, me thirrjet “Kur t’ju bëhet boll, kallëzoni”.
Presidentja Vjosa Osmani ka dërguar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për sqarime në lidhje me pasojat juridike nëse nuk formohet Kuvendi edhe 2 ditë. Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga mungesa e konstituimit të Kuvendit.
Më 11.04.2025 Zyra e Rregullatorit për Energji ka marr vendim për shtrenjtim rreth 16 % të energjisë elektrike teksa kjo Zyre më 01.06.2025 i ka vendosur në tregun e lirë të energjisë rreth 1300 biznese të mëdha në Kosovë. Shtrenjtimi i energjisë elektrike ka sjell edhe shtrenjtim të produkteve në Kosovë, rrjedhimisht shtrenjtim të shportës së konsumatorit.
Ditëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar katër raste të vdekjes së punëtorëve në vendin e punës. Dy persona vdiqën në Gjakovë më 21.07.2025 të cilët ranë nga objekti që ishte duke u ndërtuar, një punëtor tjetër ka vdekur në po të njëjtën datë, një muaj pasi që ishte lënduar në vendin e punës në Istog. Po ashtu një 44 vjeçar ka vdekur në Skenderaj më 22.07.2025 teksa ishte duke punuar.
Në fillim të muajit korrik 2025, u publikua një video në të cilën shihen disa zyrtarë policorë duke ushtruar dhunë fizike ndaj një qytetari në Klinë, të cilin ishin duke e arrestuar. Tre zyrtarët policor u arrestuan më pas dhe tani janë në procedurë të organeve të drejtësisë. Ndërkohë, në orët e para të datës 07.07.2025, në Lipjan vdiq i riu Agon Zejnullahu.
Disa pamje që u publikuan në rrjetet sociale, tregonin veprimin e disa zyrtarëve policorë gjatë arrestimit të tashmë të ndjerit 27-vjeçar. Pesë zyrtarët policorë: Ibrahim Nela, Albian Ratkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri janë suspenduar dhe arrestuar nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia. Për këtë rast, ka pasur një protestë para stacionit të Policisë në Lipjan.