Hoti kërkon nga mediat të kenë kujdes në raportimet për të pagjeturit: Nuk ka nevojë për glorifikim mediatik
Kryetari i Komisionit Qeveriat për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka kërkuar nga mediat në Kosovë që të kenë kujdes me publikimet për të pagjeturit, duke thënë se gërmimet e autoriteteve të Kosovës nuk përbëjnë lajm.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka reaguar për lajmet e sotit që në afërsi të Burgut të Dubravës kanë filluar gërmimet, nën dyshimin për trupa nga lufta e fundit në Kosovë.
Hoti ka thënë se nuk ka nevojë për glorifikim mediatik, siç e ka konsideruar ai raportimet e mediave, por ka nevojë për rezultate konkrete.
“Familjet e personave të zhdukur nuk kanë nevojë të tronditen dhjetëra herë nga tituj bombastikë, por të informohen saktësisht dhe në kohë, vetëm kur ka të dhëna të verifikuara.Kosova ka ndërmarrë mbi 2,800 gërmime në lokacione të ndryshme gjatë viteve në kërkim të të zhdukurve. Ky është një proces serioz, i ndjeshëm dhe i dhimbshëm për familjarët, ndaj është e papranueshme që të krijohen ankth dhe pritshmëri të pa përfunduar ende procesi i gërmimit”– thuhet në reagimin e Hotit.
Tutje, ai ka thënë se si Komision nuk i njofton familjet dhe opinionin publik para se të ketë gjetje konkrete, pasi sipas tij, gërmimi i një lokacioni nuk është lajm, por gjetja.
“I bëj thirrje të gjitha institucioneve relevante, qytetarëve dhe mediave të ndalojnë praktikën e përhapjes së panikut dhe të presin informimin zyrtar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.Siç është theksuar në një prononcim për media sot, nga Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit z. Gara, ky është lokacioni i dhjetë i trajtuar në kuptim të gërmimit vlerësues vetëm gjatë këtij viti” – thuhet në reagimin e Hotit.
Autoritetet e Kosovës sot më 29.05.2025 kanë filluar gërmime të reja në afërsi të Burgut të Dubravës, pasi kanë dyshime se mund të jenë varrosur njerëz nga lufta e fundit në Kosovë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë Prokuroria e Shtetit, Policia e Kosovës dhe Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur.
Prokurori Special, Ilir Morina, ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dalë bashkë me një dëshmitar.
https://kallxo.com/lajm/fillojne-germime-ne-afersi-te-burgut-te-dubraves-dyshohet-per-trupa-nga-lufta-e-fundit/