Hamasi do të lejojë ndihmat për pengjet nëse Izraeli ndal sulmet dhe hap korridoret e përhershme humanitare
“Hamasi” ka thënë se është i gatshëm të koordinohet me Kryqin e Kuq që t’u dërgohen ndihma pengjeve izraelite në Gazë nëse Izraeli përmbush disa kushte, pasi u kritikua ashpër nga fuqitë perëndimore për një video-xhirim ku shihej një peng në gjendje të dobët shëndetësore, raporton Reuters.
“Hamasi” ka thënë se çfarëdo koordinimi me Kryqin e Kuq lidhet me hapjen e përhershme të korridoreve humanitare dhe ndaljen e sulmeve ajrore gjatë kohës së shpërndarjes së ndihmave.
Sipas zyrtarëve izraelitë, 50 pengje mbesin në Gazë, vetëm 20 prej të cilëve besohen se janë gjallë. “Hamasi”, në anën tjetër, ua ka ndaluar organizatave bamirëse çfarëdo mundësie për qasje te pengjet, dhe familjet e tyre kanë shumë pak njohuri për gjendjen e tyre.
Të shtunën “Hamasi” ka publikuar videon e dytë brenda dy ditësh të pengut izraelit, Evyatar David. Në të, Davidi, i dobësuar fort, shihet duke gërmuar një vrimë, që në xhirim ai thotë se po e bën për ta hapur varrin e tij. Krahu i një individi që mban kamerën, është i një njeriu që duket në gjendje të mirë.
Xhirimi i Davidit ka shkaktuar kritika të ashpra në mesin e fuqive perëndimore dhe ka tmerruar izraelitët. Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë në mesin e vendeve kryesore që kanë shprehur zemërimin e tyre, derisa Izraeli ka bërë të ditur se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një seancë të veçantë të martën në mëngjes lidhur me gjendjen e pengjeve në Gazë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com