Bedri Hamza dhe Fahri Jashari, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Gjykata i cakton masën e arrestit shtëpiak, Fahri Jasharit, ish drejtorit të Kulturës në Mitrovicë të Jugut
Gjykata e Mitrovicës ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjajtje prej një muaji, Fahri Jasharit, ish drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës së Jugut, i dyshuar për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Kështu ka njoftuar Hateme Haxhaj, zëdhënese në këtë gjykatë, sot më 10.09.2025.
“Ndaj të pandehurit F.J. është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej një muaji, deri më 08.10.2025”- tha Haxhaj për KALLXO.com.
Kjo masë erdhi një ditë pas kërkesës së Prokurorisë së Mitrovicës drejtuar Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Jasharit.
Arrestimi e shkarkimi i Fahri Jasharit
Jashari është arrestuar, më 08.09.2025 nga Policia e Kosovës nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.
Arrestimi i ish drejtorit ndodhi pas denoncimit nga Kryetari Bedri Hamza, i cili edhe e shkarkoi atë.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë procedurave hetimore janë siguruar prova që lidhen me një kontratë të subvencionimit.
Lajmin për shkarkimin e drejtorit, e kishte bërë të ditur për KALLXO.com, kryetari i kësaj komune, Bedri Hamza, i cili tha se Jashari ka shmangur procedurat ligjore dhe ka bërë ndryshim të shumave në një kontratë.
Ai madje kishte thënë se rastin e ka denoncuar në Polici dhe potencoi se bëhet fjalë për një “kontratë me subvencione”.
“E kam shkarkuar nën dyshimin e bazuar se ka mundur të ketë shkelje ligjore. Janë marrë të gjitha masat e nevojshme. Rasti është i denoncuar. Në raport me ligjin nuk kam kompromis me askënd. Janë marr të gjitha masat e nevojshme që buxheti i Komunës mos të dëmtohet, mirëpo ka të bëjë me një kontratë për subvencione që mendoj se ka pasur shmangie prej procedurave ligjore dhe ka pasur ndryshim të shumave në kontratë”- kishte thënë Hamza.
Se për çfarë kontrate bëhet fjalë, Hamza nuk dha detaje, mirëpo KALLXO.com dërgoi kërkesë me shkrim në komunë për të marrë informacion më të detajuar rreth shkeljes së pretenduar.
https://kallxo.com/lajm/bedri-hamza-e-shkarkon-dhe-e-denoncon-ne-polici-drejtorin-e-kultures-fahri-jasharin/