Ilustrim - Aeroplan i llojit, 737 Max, i kompanisë Boeing.
Gjermania anulon mbi 100 fluturime, ambientalistët protestojnë në mbarë Europën
Aeroporti më i madh i Gjermanisë ka anuluar më shumë se 100 fluturime të enjten pasi aktivistët e mjedisit nisën një përpjekje të koordinuar për çrregullimin e trafikut ajror në mbarë Europën në pikun e pushimeve verore për të spikatur kërcënimin që aviacioni përbën për ndryshimin klimatik, raporton Reuters.
Aeroporti i Frankfurtit ka bërë të ditur se fluturimet u anuluan për shkak të arsyeve të sigurisë pasi aktivistët e mjedisit kaluan rrethojat e aeroportit, duke nxitur reagim të policisë, zjarrfikësve dhe zyrtarëve të sigurisë të aeroportit. Të gjitha pistat u kthyen në funksion në orën 07:50. Deri tani është raportuar për 140 fluturime të anuluara, por ndryshim të oraresh pritet të ketë edhe gjatë gjithë ditës, ka bërë të ditur Aeroporti i Frankfurtit.
Grupet e mjedisit kanë thënë se planifikonin të shënjestronin aeroportet anembanë Evropës gjatë kësaj vere për t’ua kujtuar njerëzve lidhjen ndërmjet derivateve të fosileve, si ato që përdoren prej aeroplanëve, dhe ndryshimit klimatik. Grupet po u bëjnë thirrje qeverive anembanë botës që t’i japin nxjerrjes dhe djegies së fosileve deri më 2023.
“Ne dënojmë me vendosmëri këto demonstrata të paautorizuara, dhe ne kemi të drejtën që të marrim veprime legale kundër pjesëmarrësve”, thuhet në reagimin e Aeroportit të Frankfurtit. “Aktivitetet e tyre përbëjnë rrezik serioz për operacionet e fluturimeve – mbase duke rrezikuar edhe jetën e njerëzve”.
Të dhënat mjedisore kanë treguar se e hëna ishte dita më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë derisa ndryshimi klimatik i shkaktuar nga aktiviteti njerëzor po vazhdon të sjellë vapë të pashembullt dhe mot ekstrem. Investimet botërore në gaz dhe naftë që ngrohin planetin pritet të rriten sivjet për shtatë për qind, ka bërë të ditur Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, pavarësisht premtimeve globale për të hequr dorë prej përdorimit të fosileve, shkruan Reuters.
Fluturimet konsiderohen një prej aktiviteteve me shkallën më të lartë të emetimit të karbonit, por industria e aviacionit pritet të rritet theksueshëm gjatë dekadave të ardhshme pavarësisht përpjekjeve për frenimin e krizës klimatike.
Grupi “Gjenerata e fundit”, që organizoi demonstratën në Frankfurt, ka bërë të ditur se gjashtë protestues hapën vrima në rrethojën e aeroportit dhe mësynë pistat në këmbë, me biçikleta dhe me skejtbordë.
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com