Filmi “Krejt e thirrin Rexhën” fiton çmim në një festival filmi në Itali
Filmi “Krejt e thirrin Rexhën” i regjisorit Ibër Deari është shpërblyer me çmimin për Filmin më të Mirë në kategorinë ‘Meridiana’ të festivalit prestigjioz Bari International Film Festival në Itali.
Kështu ka njoftuar vet regjisori Deari, i cili ka thënë se janë të lumtur dhe krenarë për këtë çmim.
“Kjo kategori është e dedikuar për filma nga vendet e rajonit të Mesdheut dhe përzgjedhja jonë në mesin e veprave të tjera të fuqishme ishte një nder i madh. Faleminderit jurisë, festivalit, publikut dhe të gjithë atyre që besuan në këtë film dhe në zërin që ai përfaqëson. Rroftë kinemaja!” – ka shkruar Deari në Facebook, më 29.03.2025.
Në në një intervistë për RTK, Deari kishte treguar se filmi flet për migrimin e njerëzve.
“Filmi në përgjithësi flet edhe për këtë hipokrizinë e shoqërisë, po flas për në Maqedoni, p.sh nuk ka asnjë rebelim, as nuk zgjohen të bëjnë një protestë për dallim për juve këtu për shembull më ndryshe edhe poltika edhe shoqëria. Tek ne janë sikur të pasivizuar edhe janë komod, janë vendosur në disa vende të punës dhe nuk ka më shqetësim, por në anën tjetër çdo ditë mbushen autobusat dhe njerëzit largohen nga vendi” – kishte thënë Deari.
“Kemi marrë këtë temën e një fshati ku vetëm një Rexhep ka mbetur, një mjeshtër, edhe ai shkon në të gjitha shtëpitë ku ka njerëz më të moshuar të punojë diçka dhe normal përmes tij ne shohim ngjarjet, storiet që ndodhin tek ne” – kishte shtuar ai.