Vetura e policisë izraelite, ilustrim: Pixabay
Familjet e pengjeve izraelite bllokojnë rrugët në ditën e protestave
Protesta po mbahen në mbarë Izraelin derisa grupi kryesor që avokon për lirimin e pengjeve në Gazë po mban protestë me kërkesën për kthimin e të dashurve të tyre në vendlindje, raporton BBC.
Pamjet tregojnë se rrugët kryesore të vendit janë bllokuar nga Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve para se marshime të mëdha të mbahen më vonë gjatë ditës brenda qyteteve.
Rreth 1.200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng në Gazë në sulmin e 07.10.2023 nga “Hamasi”, 20 pengje raportohet se ende janë gjallë derisa po mbahen nga militantët e grupit palestinez.
Izraeli do të kundërpërgjigjej me një ofensivë të madhe ushtarake, që ka lënë të vrarë më shumë se 62 mijë palestinezë, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë të udhëhequr nga “Hamasi”.
Protestat e fundit po mbahen pas sulmit të djeshëm izraelit, i cili la të vdekur 20 persona, përfshirë edhe pesë gazetarë në jug të Gazës, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se sulmet ajrore mbi spitalin e Gazës ndodhën gabimisht dhe ka shprehur zotimin për hetim të hollësishëm.
Izraeli nuk po lejon organizatat ndërkombëtare të informacionit, përfshirë BBC-në, që të futen lirisht në Gazë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com