Ilustrim
Evidentohen rreth 65 mijë nxënës më pak në shkollat fillore dhe të mesme të ulët, në krahasim me vitin 2014
Sipas Raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2024, në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë janë evidentuar 65 mijë e 134 nxënës më pak se në vitin 2014.
Në raportin Vjetari i Statistikave për vitin 2025, thuhet se në vitin shkollor 2014/2015 në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët janë evidentuar 273 mijë e 649 nxënës, ndërsa në vitin shkollor 2024/2025, 208 mijë e 515 nxënës. Pra, rreth 65 mijë më pak për 10 vite.
Edhe në arsimin e mesëm të lartë, sipas ASK-së, ka pësuar ulje numri i nxënësve.
Sipas këtij Raporti, në vitin shkollor 2014/2015 në shkollat e mesme të larta kanë qenë të evidentuar 83 mijë e 743 nxënës, kurse në vitin shkollor 2024/2025 kanë qenë të evidentuar 63 mijë e 551 nxënës. Pra, 20 mijë e 192 nxënës më pak për 10 vite.
Po ashtu, edhe numri i studentëve të regjistruar në universitetet publike dhe kolegjet private ka pësuar ulje, por shumë më pak se në krahasim me nxënësit nëpër shkollat fillore dhe të mesme.
Sipas ASK-së, në vitin akademik 2014/2015 kanë qenë të evidentuar 69 mijë e 220 studentë, kurse në vitin akademik 2024/2025 numri i studentëve ka qenë 64 mijë e 817. Ajo që bie në sy është se në vitin 2017 janë evidentuar më së shumti studentë të regjistruar, 123 mijë e 988 të tillë. Por që nga ai vit, numri i tyre ka shkuar kryesisht duke rënë.
Për dallim nga nxënësit dhe studentët, numri i fëmijëve të evidentuar në çerdhe dhe parashkollorë në 10 vitet e fundit ka shënuar rritje. Sipas Raportit, në vitin 2014/2015 janë evidentuar 25 mijë e 928 fëmijë në parashkollorë apo çerdhe, ndërsa në vitin shkollor 2024/2025 janë evidentuar 34 mijë e 38 fëmijë, duke shënuar një rritje prej rreth 8 mijë.
Për çdo vit, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon Raportin e njohur si “Vjetari Statistikor”, i cili ofron të dhëna themelore statistikore për Kosovën, si në fushën demografike, ekonomike, bujqësore.
Aty përfshihen statistika për popullsinë, ekonomitë familjare, lindjet, vdekjet, arsimin, kulturën, shëndetësinë, mirëqenien sociale apo energjinë.
Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.
https://kallxo.com/lajm/popullsia-rezidente-ne-kosove-zvogelohet-me-mbi-200-mije-banore-per-10-vite/