Eurodeputetit Thijs Reuten Foto: Denis Sllovinja
Eurodeputeti Reuten kërkon heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës
Eurodeputeti Thijs Reuten i ka bërë thirrje Komisionit Eurpoian për heqjen e menjëhershme të masave ndaj Kosovës nga shtete anëtare të BE-së.
Reuten, përmes një postimi në rrjetin “X” , po ashtu ka propozuar që të nisin procedimin e kërkesës për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian.
“Komisioni Europian duhet t’u propozojë shteteve anëtare heqjen e menjëhershme të masave kundër Kosovës dhe të fillojë procedimin e kërkesës për anëtarësim në BE”- ka shkruar Reuten më 22.11.2025.
?? The European Commission must propose to the member states the immediate lifting of the measures against Kosovo and also start processing the EU membership application.? @a2_news https://t.co/7iIFtW0UVV
— Thijs Reuten ??? (@thijsreuten) November 21, 2025
I njëjti eurodeputet e kishte bërë thirrjen e njëjtë edhe në maj të vitit 2025.
“A është kjo (mënyra) se si e trajtoni një partner? Hiqni këto masa kufizuese, normalizoni marrëdhëniet midis të gjithë anëtarëve të BE-së dhe Kosovës, njiheni atë dhe pranoni aplikimin. Dhe, edhe pa pranimin e Këshillit, Komisioni tashmë mund të përgatisë Opinionin mbi aplikimin e Kosovës” – ishte drejtuar ai para Parlamentit Europian në maj 2025.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, më 21.11.2025, në Samitin e Planit të Rritjes “Rruga jonë për në BE”, të mbajtur në Tiranë, ka deklaruar se për herë të fundit po adreson që të hiqen masat ndëshkuese të BE-së, dhe po ashtu e ka quajtur “paradoks” lënien anash të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Disa masa kanë filluar të hiqen, por numri i tyre mbetet i kufizuar. Siç tha një zëdhënës i BE-së për KALLXO.com, deri më tani “janë ndërmarrë hapat e parë për heqjen e disa masave.” Kështu tha ai më 09.10.2025, për masat që u vendosen në qershor të vitit 2023 si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në Komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.
Masat ndaj Kosovës janë vendosur në qershor të vitit 2023, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur Kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.
Ndër masat e BE-së ishte edhe suspendimi i përkohshëm i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kosova nuk merrte ftesa, po ashtu, në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale ishin suspenduar, përveç atyre që u fokusuan në adresimin e krizës në veri të Kosovës, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Masat e tjera ishin edhe suspendimi i programimit të fondeve për Kosovën, në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit).
Kosova, aktualisht, është i vetmi vend europian, i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE, por nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Mbetet e vetmja nga dhjetë shtete të përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së pa statusin formal të kandidates.
Kosova ka aplikuar në BE më 15.12.2022 kur Presidencën e mbante Çekia. Kurti tha se asnjë vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e kërkimit të statusit të vendit kandidat sesa Kosova.
Për shkak të zvarritjes për formimin dhe funksionalizimin e institucioneve qendrore, Kosova rrezikon të humbasë një pjesë të fondeve ato të vitit 2024 dhe 2025, nga Plani i Rritjes i Komisionit Europian. Ndërkohë që vendet e tjera të rajonit tashmë kanë përfituar milionat e parë dhe të dytë, Kosova nuk ka arritur të përfitojë 61 milionë euro që, në kushte normale institucionale, do t’i takonin. Koha po shkon e bashkë me të kufizohen edhe mundësitë.
Kosova tashmë ka më shumë se nëntë muaj pa institucione të reja. Më 05.12.2024, është hera e fundit kur është mbajtur seancë plenare.
Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 09.02.2025, të cilat nuk rezultuan me krijim të institucioneve, zgjedhjet e reja parlamentare të jashtëzakonshme janë caktuar të mbahen më 28.12.2025.