Dyvjetori i luftës: Trump i sheh bisedimet në Egjipt si “mundësi të mirë” për paqe
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u ka deklaruar gazetarëve pas ditës së parë të bisedimeve ndërmjet “Hamasit” dhe Izraelit në Egjipt se ekziston një “shans shumë i mirë” që të arrihet një marrëveshje paqeje, raporton BBC.
“Kemi një shans shumë të mirë për të arritur një marrëveshje. Dhe do të jetë një marrëveshje e qëndrueshme- ne duam të kemi paqe”, u ka thënë Trump reporterëve në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë.
Trump ka shtuar se “Hamasi” është pajtuar për gjëra “shumë të rëndësishme” gjatë bisedimeve.
Një ditë para se të fillonin bisedimet, presidenti i SHBA-së i kishte paralajmëruar të dyja palët të “lëvizin shpejt”, sepse ndryshe do të rrezikonin të ketë më shumë gjakderdhje.
Trump kërkon paqe gjithëpërfshirëse për Lindjen e Mesme
Këto bisedime indirekte po zhvillohen pas dyerve të mbyllura në vendpushimin Sharm el-Sheikh në Detin e Kuq, mes masave të rrepta sigurie. Bisedimet kanë nisur të hënën (06.10.2025), një ditë para dyvjetorit të sulmit të “Hamasit” dhe militantëve të tjerë të lidhur me të në Izrael më 7 tetor 2023. Izraeli pastaj nisi fushatën shtypëse ndaj “Hamasit” në Gazë.
Plani prej 20 pikash i presidentit Trump po konsiderohet mundësia më e mirë që palët të ulin armët dhe të arrihet një marrëveshje paqeje për të ardhmen e Gazës.
Vetëm një muaj më parë, Izraeli u përpoq të vriste negociatorët kryesorë të “Hamasit” në një sulm ndaj Katarit. Diskutimet fillestare – të cilat pritet të zgjasin disa ditë – thuhet se do të përqendrohen në tërheqjen e trupave izraelite nga pjesë të Gazës dhe të burgosurit palestinezë që Izraeli do t’i lirojë në këmbim të pengjeve.
Presidenti Trump ka deklaruar përsëri se mund të arrihet një ujdi armëpushimi: “Kemi një shans shumë të mirë për të arritur një marrëveshje. Dhe do të jetë një marrëveshje e qëndrueshme; duam të kemi paqe. Kjo është përtej Gazës. Gaza është një çështje e madhe, por kjo është vërtet paqe në Lindjen e Mesme”.
Ushtria izraelite në gjendje gatishmërie
Në Izrael, ushtria është në gjendje të lartë gatishmërie për përvjetorin e dytë të sulmit vdekjeprurës të “Hamasit”, i cili përkon me festën hebraike të Sukotit.
Familjet e të afërmve dhe të mbijetuarit kanë filluar të mbajnë aktivitete përkujtimore. Në ditët e fundit, ka pasur më pak sulme ajrore izraelite në Gazë, por bombardimet dhe të shtënat me armë zjarri kanë vazhduar dhe ka pasur më shumë viktima civile.
Vendi i festivalit ishte në shkretëtirën Negev, pranë kibucit Re’im. Nuk ishte shumë larg Rripit të Gazës, nga ku luftëtarët e “Hamasit” kaluan në agim për të nisur sulmin e tyre vdekjeprurës më 7 tetor 2023.
Që atëherë ka shërbyer si një memorial për viktimat dhe njerëzit janë mbledhur atje gjatë gjithë mëngjesit për të bërë homazhe.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, u ka bërë thirrje studentëve të mos marrin pjesë në protestat pro-palestineze në përvjetorin e dytë.
Ai thotë se do të ishte “jo-britanike” që tubimet e planifikuara të mbaheshin, duke shtuar se ato janë përdorur nga disa si “justifikim i neveritshëm për të sulmuar hebrenjtë britanikë”.
Qyteti italian i Bolonjës i ka ndaluar protestat e paralajmëruara për sot për shkak të drojës se mund të përshkallëzohen në aktivitete të dhunshme. Italia është përballur javëve të fundit me protesta e greva të organizuara nga sindikatat e punëtorëve dhe aktivistët që përkrahin palestinezët dhe kërkojnë ndalimin e luftës së Izraelit në Gazë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com