Ish-kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, Foto: KALLXO.com
Dy vjet nga arrestimi i Nagip Krasniqit, KEK-u ende me ushtrues detyre të kryeshefit
Kur kanë kaluar dy vjet nga arrestimi dhe pastaj edhe suspendimi i Nagip Krasniqit, Korporata Energjetike Kosovës vijon të funksionojë me ushtrues detyre. Edhe pse Krasniqi u shkarkua në prill të vitit 2024, tek një vit pas është mbyllur konkursi për kryeshef ekzekutiv. Ndërkohë, KEK-u ende nuk i ka nisur investimet kapitale që me Programin për Zbatimin e Strategjisë së Energjisë do të duhej të përfundonin vitin e kaluar dhe këtë vit.
Për dy vjet të plota, nga prilli i vitit 2023 kur ishte arrestuar Nagip Krasniqi, Korporata Energjetike Kosovës vijon të funksionojë me ushtruese detyre të kryeshefit ekzekutiv.
Derisa thirrja e parë për këtë pozitë, vitin e kaluar kishte dështuar, konkursi i dytë u mbyll në fillim të këtij muaji (prill 2025).
Në KEK nuk dhanë asnjë informacion lidhur me procesin e rekrutimit të kryeshefit të ri të ndërmarrjes.
Sipas Programit për Zbatimin e Strategjisë së Energjisë, vitin e kaluar (2024) dhe këtë vit (2025) KEK-u do të duhej të përfundonte rehabilitimin e thellë të dy njësive të termocentralit Kosova B dhe një në atë Kosova A.
Këto investime me qëllim rritjen e besueshmërisë dhe kapacitetit të prodhimit, krahas jetëgjatësisë, nuk kanë nisur ende, ndërkaq tejkalojnë vlerën 300 milionë e euro.
“Mospasja e mandatit të plotë, ashtu siç përcakton Ligji për ndërmarrjet publike dhe Kodi, ka pasur edhe pasojat e veta në mbarëvajtjen e punës së ndërmarrjeve publike të cilat janë reflektuar në dështim për të arritur objektivat strategjike dhe përmbushjen e planit të biznesit.”– kanë thënë nga “Corrwatch”.
Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti, e vlerësoi absurd funksionimin për kohë kaq të gjatë të ndërmarrjes prodhuese më të madhe të energjisë elektrike në vend, me ushtrues detyre të kryeshefit.
“Nuk e kuptoj se si është e mundur që në një kompani sikur është Korporata Energjetike e Kosovës, ku ka njerëz jashtëzakonisht të zotë që kanë dhënë gjithë djersën e tyre për vite të tëra, nëse s’ke nga jashtë njerëz atëherë merr nga brenda. Angazhoje një person që është ekspert i asaj fushe, që di ta menaxhojë atë ndërmarrje, që themi ne – e di me sy mbyllur menaxhimin e saj. Dhe, mos sjellë njerëz që janë të dështuar ose s’marrin vesh fare në atë proces” – ka thënë Kushtrim Ahmeti.
Referuar investimeve të papërfunduara, të cilat parashihet të rrisin kapacitetin prodhues për rreth 100 megavatë/orë, Ahmeti tha se papërgjegjësinë dhe dështimin po e paguajnë qytetarët dhe ekonomia.
“Sa më shumë prodhim vendor të energjisë që kemi, aq më shumë i ikim importit dhe aq më shumë i ikim arsyetimeve të kompanive në këtë rast KEDS, KESCO dhe të tjera, që duhet të marrim import sepse nuk kemi energji të bollshme brenda” – ka shtuar më tej Kushtrim Ahmeti.
Pas arrestimit të Nagip Krasniqit, në prill të vitit 2023, bordi i KEK-ut fillimisht e kishte suspenduar atë dhe e kishte caktuar Përparim Kabashin ushtrues detyre të kryeshefit.
Në shkurt të vitit 2024, Bordi kishte liruar Kabashin nga detyra duke e caktuar ushtrues detyre, Bekir Gërgurin. Ndërsa dy muaj më vonë e kishte shkarkuar Nagip Krasniqin.
Ndërsa më 28 shkurt të vitit 2025, ky organ vendimmarrës i KEK-ut liroi nga detyra edhe Gërgurin, duke emëruar ushtruesin e tretë të detyrës, Gramos Hashanin. /Dukagjini.com