Screenshot: Bekim Brestovci/ Facebook
Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë pretendon se kompania “Pastrimi” po dëmton kontenjerët që janë asete të Komunës
Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka pretenduar se Kompania “Pastrimi” po dëmton kontenjerët në kryeqytet.
Ai dje me 01.03.2025 ka shpërndarë një video, në të cilën ka përmendur kryeshefin e kësaj ndërmarrjeje, Petrit Reqica.
“Kontinjeret per mbeturinat janë asete të Komunës së Prishtinës të cilët u blenë nga taksa e qytetareve e po demolohen e shkatrrohen nga mekanizmi totalisht i vjetëruar i ndermarrjes Pastrimi”- thuhet në reagimin e tij.
KALLXO.com ka dërguar pyetje tek Kompania “Pastrimi” për këto pretendime dhe është në pritje të përgjigjeve.
Ndryshe, Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar masa ndaj Ndërmarrjes “Pastrimi”, pasi të njëjtit pretendojnë se kjo Kompani ka dështuar në kryerjen e detyrave të saj.
Përmes një komunikate për media, të lëshuar më 13.02.2025, Komuna akuzon Ndërmarrjen “Pastrimi” se ka dështuar të shpërndajë kontejnerët e rinj për mbeturina, që u janë dorëzuar dhe se ka lënë jashtë funksionit kamionët e rinj që u janë dorëzuar.
Për këtë ata kanë deklaruara se është krijuar një terren i rrezikshëm, që mund të çojë në shpërthim epidemie.
Në komunikatë thuhej se ndonëse Komuna e Prishtinës i ka ndihmuar Kompanisë të menaxhojë mbeturinat, megjithatë, sipas tyre, kjo Kompani “ka prodhuar sabotazhe të paarsyeshme dhe lojëra politike që kanë penguar çdo mundësi për përmirësim të gjendjes në terren”.
Sipas tyre, “Pastrimi” ka vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve dhe ka lënë Kryeqytetin të përballet me një krizë shëndetësore.
Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes “Pastrimi”, Petrit Reçica, përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, kishte deklaruar se Prishtina ka mungesë të theksuar të kontejnerëve, duke iu drejtuar kryetarit Përparim Rama që t’i lirojë nga depoja.
Sipas Reçicës, kontejnerët për mbeturina që janë blerë, po vazhdojnë të mbeten të padorëzuar në malet e Gërmisë.
Ku do t’i paguajnë qytetarët faturat për grumbullimin e mbeturinave?
Më 05.02.2025, Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se nuk janë të detyruar t’i paguajnë faturat për grumbullimin e mbeturinave të lëshuara nga Ndërmarrja KPM “Pastrimi” nga data 1 janar 2025.
Më 03.02.2025, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtori për Shërbime Publike, Bekim Brestovci përmes një Konference për media janë shprehur se gjendja me grumbullim të mbeturinave në Kryeqytet po përkeqesohet dhe se si Komunë do të shohin të gjitha rrugët ligjore për të angazhuar sektorin privat si gjendje emergjente dhe ndihmë për “Pastrimin”, e cila sipas tyre nuk është në gjendje të plotësojë kërkesat e Komunës.
Rama theksonte se votimi në Asamblenë komunale nga PDK-LVV në dhjetor 2024 për ndryshim të një Rregulloreje që mundësonte kyçjen e sektorit privat u bë me qëllim që të dëmtoheshin tentativat e Komunës për një qytet të pastër.
“Na është dashur të shpallim gjendjen emergjente në mars 2024, kemi angazhuar Kompani private të cilat i kanë ndihmuar Kompanisë ‘Pastrimi’ për arsye se, për fat të keq Kompania ‘Pastrimi’ nuk ka qenë në gjendje të mundësojë këtë. Kjo tash duket se dikujt i ka penguar, pra kemi pas formim të Koalicionit PDK-LVV, ku në një seancë (dhjetor 2024) kanë votu të heqin Pikën nga Rregullorja, që janë munduar të pamundësojnë angazhimin e sektorit privat për pastrimin e qytetit.” – ishte shprehur Rama.
Rama theksonte se edhe pse ka përkeqësim të gjendjes, nuk do të bien pre e tentativave politike për përkeqësim të imazhit të Kryeqytetit.“Tash jemi në një pikë ku vetëm po shihet se përkeqësimi prapë ka filluar. Pra, edhe zonat të cilat Kompania ‘Pastrimi’ i ka menaxhuar. Ne nuk biem pre e këtyre tentativave puro politike për përkeqësim të imazhit të Kryeqytetit dhe duhet të vazhdojmë me gjendjen emergjente, ta përdorim tash për angazhimin e Kompanive private që t’i ndihmojmë Kompanisë ‘Pastrimi’, t’i ndihmojmë Kryeqytetit në pastrimin e mirëfilltë.” – shtonte më tej Rama.
Po në këtë ditë, më 03.02.2025 KALLXO.com raportoi se Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” ka reaguar pas Vendimit të Komunës së Prishtinës për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për krizën me mbeturinat në Kryeqytet. Përmes një njoftimi, kjo Kompani pretendon se “Rama po manipulon me mbeturinat për t’ua dhënë tenderët miqve të tij”.
Sipas tyre, kryetari Rama, deri më 03.02.2025, në orën 09:00, nuk ka dorëzuar as kamionët dhe kontejnerët e blerë dhe as dokumentet e tyre për regjistrim.
“Vetëm pak para Konferencës, rreth orës 09:00, ai dorëzoi disa prej tyre, por jo të gjithë, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme. Ky është një tjetër tregues i qartë i manovrave për të bllokuar shërbimet publike dhe për të krijuar kaos të qëllimshëm.” – thuhej në njoftim, më 03.02.2025.
Kompania “Pastrimi” shton se Kryetari i Prshtinës ka kërkuar nga disa punëtorë të kësaj Kompanie që të njëjtit të sabotojnë shërbimin, vetëm “për të krijuar kaos” e siç thonë ata “për t’ia dhënë tenderin për grumbullimin e mbeturinave Kompanisë private”.
“Tani, si justifikim për këto dështime të qëllimshme, Komuna ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave – duke pretenduar se ‘Pastrimi’ nuk po e kryen punën si duhet. Të nderuar qytetarë, ne po punojmë pa pushim në 24 orë për 7 ditë të javës, me gjithë këto sfida dhe nuk dorëzohemi me të vetmin qëllim që Prishtinën ta pastrojmë nga mbeturinat.” – shkruhej në njoftim.
Tutje, Kompania “Pastrimi” kishte akuzuar Komunën e Prishtinës se ka për synim hapjen e një tenderi me negocim, ku sipas tyre ekzistojnë dyshime se fitues është një Kompani që siç thuhet ka tradicionalisht lidhje me pushtetin komunal.
“Nëse ndjekim të njëjtën logjikë, procedurat e hapura do të shmangen. Rregullorja e Kuvendit do të shkelet dhe tenderi do t’u jepet emrave të përzgjedhur, siç ka ndodhur në të kaluarën. Pra, e gjithë kjo nuk ka të bëjë me pastërtinë e qytetit, por me një betejë për tenderët dhe kontrollin mbi paratë publike.” – deklaronte Kompania “Pastrimi”.