Dokumentimi i vjedhjeve të energjisë elektrike në rajonin e Pejës dhe të Mitrovicës
Në pjesën e dytë të edicionit të sotëm të emisionit “Kallxo Përnime”, po transmetohet reportazhi ekskluziv i dokumentimit të vjedhjeve të energjisë elektrike.
Në emision shfaqen pamje të aksionit të ekipeve të KEDS-it, të cilat gjurmojnë vjedhjen e rrymës në dy rajone të Kosovës.
Vjedhja e energjisë elektrike është njëra ndër arsyet e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në mbarë vendin. Në qindra raste brenda vitit ekipet e KEDS-it arrijnë të dokumentojnë që biznese dhe konsumatorë individualë keqpërdorin energjinë elektrike.
Keqpërdorimi i energjisë elektrike është vepër penale, e cila, sipas ligjit, ndiqet në gjykatë. Proceduarat i lejojnë KEDS-it që të ndikojë në çmimin e saj, teksa miliona euro nga energjia e vjedhur në fund paguhen nga të gjithë konsumatorët pa dallim.
Për ta luftuar këtë dukuri një ekip i specializuar i KEDS-it është ndërtuar me kompetenca për të gjurmuar vjedhjet e energjisë elektrike.
Me bazë në njësinë qendrore të KEDS-it, ekipi grumbullon informacione inteligjente nga burime të shumta. Pas analizimit ekipi special ka për detyrë dokumentimin e vjedhjeve të energjisë.
Plane të kontrollit bëhen në baza ditore nga ky ekip ndërsa kontrollet në terren nisin varësisht nga informacionet që janë pranuar.
Në një mëngjes shtatori ekipi i KEDS-it realizoi një operacion për të verifikuar informacionet inteligjente.
Sistemi elektronik i kontrollit të shpenzimeve të energjisë i mundëson KEDS-it të nxjerrë të dhënat dhe nga aty të identifikojë nëse në zonë ka keqpërdorim të energjisë.
Nga zyra në Prishtinë, ekipi që ka kompetenca të veprojë në gjithë Kosovën, kishte vendosur nën llupë disa biznese në rajonin e Pejës.
Disa lokale të natyrave të ndryshme, të cilat ishin të përqendruara në një objekt, ishin cak i kontrollit. Informata inteligjente fliste se një pjesë e energjisë e cila po shpenzohej në atë pjesë nuk po faturohej.
Në momentin e parë, ekipet e KEDS-it dokumentuan dyshimet e tyre: dy njehsorë elektrikë dyshohet se ishin vendosur nga pronari i biznesit në mënyrë ilegale.
Energjia elektrike që shpenzohej përmes atyre dy njehsorëve nuk faturohej, rrjedhimisht sipas KEDS-it – keqpërdorej.
Dy njehsorët u konfiskuan dhe pronari u udhëzua për veprimet që duhet t’i ndërmarrë.
Në pak minuta, ekipi special i KEDS-it arriti të dokumentojë burimin e keqpërdorimit të energjisë elektrike në këtë biznes, teksa sipas procedurës u hartua edhe procesverbali me konstatimet nga tereni.
Informacionet e tjera inteligjente tregonin se një biznes tjetër në zonën e Pejës po e keqpërdorte energjinë elektrike. Dyshimet ishin se ka keqpërdorim të energjisë elektrike.
Pronari i një lokali kishte instaluar lidhje paralele të furnizimit me energji elektrike për disa pajisje. Përmes një kablloje ilegale, e cila nuk kalonte përmes orëmatësit, pronari furnizonte me rrymë aparatin e kafesë dhe pajisje të tjera, që paraqet vjedhje të rrymës. Lidhja ilegale u shkëput.
Sipas rregullit, KEDS harton procesverbal dhe dokumenton secilin veprim me fotografi. Materialet më pas përdoren në procedurën gjyqësore që zhvillohet ndaj abuzuesve.
Për vjedhje të energjisë rreth 1,000 kallëzime penale janë dorëzuar në prokurori që nga janari i vitit 2025. Dënimi për vjedhje të rrymës mund të shkojë deri në 3 vjet burgim.
Në orët e para të një dite shtatori, ekipet speciale për gjurmimin e vjedhjeve, dokumentuan keqpërdorim të energjisë elektrike në dy raste, ndërsa dyshimet flisnin për vjedhje të rrymës edhe në zona më të thella të Pejës.
Sistemi i orëve digjitale i mundëson KEDS-it që nga distanca të shkyçë orët e konsumatorëve që nuk i kanë paguar faturat e energjisë. Një konsumatori energjia i ishte ndalur, por të dhënat inteligjente kishin sinjalizuar se i njëjti kishte rrymë edhe gjatë ditëve kur energjia e tij elektrike ishte zyrtarisht e shkyçur nga sistemi.
Ai kishte instaluar një lidhje direkte për ta furnizuar shtëpinë dhe biznesin e tij. Rryma që shpenzohej në këtë rast nuk faturohej, rrjedhimisht sipas KEDS-it – vidhej.
Nga pesë kontrolle brenda një dite në rajonin e Pejës, ekipi special i KEDS-it arriti të faktojë në tri raste keqpërdorimin e energjisë elektrike.
Keqpërdorim të energjisë elektrike ekipet speciale të KEDS-it, të destinuara për gjurmimin e vjedhjeve, hasën edhe në një biznes në rajonin e Mitrovicës.
Në shoqërim të njësive speciale, ekipi që është i specializuar për t’i hetuar e dokumentuar vjedhjet e energjisë, nisi kontrollet për t’i trajtuar dyshimet. Si rregull, fillimisht rryma ndalet në të gjithë objektin për të parë nëse zona të caktuara vazhdojnë të kenë rrymë.
Pronari i një pishine të mbyllur dhe vilave kishte instaluar dy linja paralele nga shtylla elektrike, teksa njëra furnizonte orëmatësin ilegal. Rryma që kalonte përmes këtij njehsori ilegal nuk faturohej.
Të dy orëmatësit u larguan, kurse biznesit iu vendos një njehsor i vetëm në shtyllë elektrike nga i cili furnizohet i gjithë biznesi. Në këso situata, vjedhja e energjisë është më e vështirë për t’u realizuar.
Paraprakisht, në “Kallxo Përnime” ishin transmetuar aksionet e KEDS-it për gjurmimin dhe dokumentimin e vjedhjeve të rrymës në rajonin e Prishtinës, Gjakovës dhe Prizrenit.