Foto:Reporter.al
"Demokracia vdes në errësirë" - thirret protestë nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë pas aksionit policor në zyrat e News 24
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka ftuar gazetarët, organizatat e qytetarët të marrin pjesë në protestën që do të organizohet të hënën, më 11.08.2025, pas largimit të gazetarëve dhe zbrazjen e hapësirës së mediumit News 24.
Protesta do të mbahet me fillim nga ora 12:00, përpara objektit të Fokus Media Group.
“Fikja e sinjalit të News 24 dhe rrethimi me forca policie i redaksive të News 24, Gazeta Panorama, Gazeta Shqiptare dhe BalkanWeb është një alarm i fortë për gjendjen e demokracisë dhe lirisë së medias në Shqipëri”- thuhet në njoftimin e tyre.
Këtë veprim, nga AGSH e cilësojnë si ekstrem dhe u bëjnë thirrje urgjente Këshillit të Ministrave, Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Mbrojtjes të sqarojnë me dokumente pozicionet e tyre dhe bazën ligjore, sepse siç thonë ata heshtja nuk është opsion.
“Ky nuk është thjesht një konflikt mes një institucioni dhe një kompanie, ky është një akt i rëndë që prek të drejtën e qytetarëve për t’u informuar dhe i dërgon një mesazh frikësues çdo gazetari”- përfundojnë nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.
Mëngjesin e 09.08.2025, rreth orës 07:00 të mëngjesit, disa njësi policore u shfaqën në mjediset e televizionit News 24, në ish-Uzinën e Autotraktorëve, në lagjen Shkozë të Tiranës, duke kërkuar largimin e gazetarëve dhe zbrazjen e hapësirës në të cilën punon ky television.
Sipas gazetës Panorama, e cila është pjesë e të njëjtit grup mediatik, policia po ndalon futjen e gazetarëve në ndërtesë, ndërsa kërkon lirimin e ambienteve ku aktualisht ndodhen redaksitë e News 24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, për t’ia transferuar kompanisë shtetërore “KAYO”. Panorama gjithashtu raporton se televizionit i është prerë energjia elektrike.
Në orën 07:36, sinjali i News 24 u ndërpre. Në anën tjetër rrjeti për mbrojtjen e gazetarëve ka reaguar duke thënë se janë thellësisht të shqetësuar nga operacioni policor që ka nisur nga orët e mëngjesit. “Sipas komunikimit zyrtar nga Focus Media Group, në orët e para të mëngjesit të 9 gushtit 2025, Policia e Shtetit rrethoi ndërtesën ku operojnë këto media, ndërpreu furnizimin me energji elektrike dhe kështu e la News24 pa sinjal transmetimi. Gazetarëve iu pengua hyrja në dhomat e tyre të lajmeve, duke ndaluar në mënyrë efektive punën e shumë ekipeve editoriale dhe duke i privuar publikut aksesin në përmbajtjen e tyre në transmetim. Nga ora 10:00 e mëngjesit, News24 rifilloi transmetimet përmes kanalit të tij në YouTube”- thuhet në reagimin e ‘SafeJournalists”.
Sipas njoftimit të “Safe Journalists”, se ndërtesa thuhet se është objekt i një mosmarrëveshjeje pronësore që përfshin kompaninë shtetërore të armëve KAYO, së cilës iu dha pronësia në fillim të këtij viti.
“Rrjeti SafeJournalists kujton se, ndërsa mosmarrëveshje të tilla mund të ndodhin, çdo veprim që ndikon në media duhet të ndjekë procesin e duhur ligjor, të bazohet në një mandat të qartë ligjor dhe të sigurojë ndërhyrje minimale në punën gazetareske dhe të drejtën e publikut për të ditur. Gjithashtu, medias duhet t’i jepet kohë e mjaftueshme për t’u zhvendosur dhe për të siguruar ambiente alternative, në mënyrë që të sigurohet vazhdimi i qetë i operacioneve të saj dhe të shmanget ndërprerja e punës së gazetarëve”- thuhet tutje në reagim.
Sipas reagimit, përfaqësuesit e Focus Media Group, nuk ka pasur asnjë njoftim paraprak për mediat, asnjë vendim gjykate të disponueshëm publikisht apo urdhër ligjor për të justifikuar ndërprerjen dhe bllokimin e energjisë elektrike, dhe operacioni u krye herët të shtunën në mëngjes, kur nivelet e personelit dhe vëmendja e publikut janë zakonisht të ulëta.
“Në kohën e lëshimit të kësaj deklarate, nuk është bërë asnjë deklaratë ose njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit apo ndonjë autoritet tjetër në lidhje me bazën ligjore, motivet ose kohëzgjatjen e veprimit”- vazhdon reagimi.
https://kallxo.com/lajm/policia-rrethon-ambientet-e-news-24-nderpritet-sinjali-i-televizionit-informativ/