Kancelari gjerman, Friedrich Merz. Foto: Facebooku i tij
Debati për ndryshimet pensionale kërcënon koalicionin qeveritar të Gjermanisë
Debati për ndryshimet në skemën e pensioneve po kërcënon të ardhmen e qeverisë së koalicionit gjerman, me krahun rinor të konservatorëve të kancelarit Friedrich Merz, që po merr mbështetje për përpjekjen për bllokimin e legjislacionit, i cili, sipas tyre, do t’i lërë gjermanët e rinj në dorë të brezit të vjetër, ka raportuar gazeta “The Guardian”.
Një grup prej 18 deputetësh të rinj, Unioni i të Rinjve, po akuzohet se po e mban pezull qeverinë e koalicionit të Merzit për shkak të kërkesave për rishikimin e ndryshimeve të propozuara të pensioneve, të cilat do të garantonin rritje të pensioneve për gjashtë vitet e ardhshme.
Midis rebelëve që refuzojnë të votojnë për legjislacionin është nipi 28-vjeçar i ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl. Johannes Volkmann, deputet i rajonit Lahn-Dill në Gjermaninë perëndimore, argumenton se brezat e rinj do të etyrohen të bartin barrën për pensionistët aktualë dhe ata që do të dalin në pension.
Kritikat e “rebelëve”
Merz, i cili ka një shumicë të vogël prej vetëm 12 deputetësh në Bundestagun me 630 mandate, përballet me bllokim të mundshëm para votimit që pritet të bëhet në dhjetor. Volkmann, i cili është kthyer në kundërshtuesin më të zëshëm jo vetëm të grupit, por edhe të një numri gjithnjë e në rritje të votuesve konservatorë të pakënaqur, ka thënë se propozimet e Merzit për të garantuar nivelet aktuale të pensioneve do të çonin në kosto shtesë prej rreth 120 miliardë eurosh deri në vitin 2040, “të cilat do të duhet t’i mbulojë brezi im… kjo është thjesht e paqëndrueshme nga ana fiskale”.
“Rebelë” të tjerë, përfshirë deputetë të vjetër që thonë se duhet të rishikohen planet, mund ta çojnë numrin e përgjithshëm të deputetëve t’i dalë kundër Merz në 40 apo 50 syresh.
Merz ka shtuar pakënaqësinë në mesin e të rinjve ndërsa iu drejtua një takimi të Unionit të të Rinjve – ku dikur ishte anëtar – në Gjermaninë jugore gjatë fundjavës, duke deklaruar para tyre se do të “votojë në favor të kësaj pakete pensionesh me ndërgjegje të pastër”.
Ai ka theksuar se pakoja është një nga rregullimet e shumta që duhen ndërmarrë në fushën gjermane të mirëqenies në përmirësim. Problemet e Gjermanisë nuk janë specifike për ekonominë më të madhe të Europës, megjithëse po përkeqësohen nga madhësia e vendit dhe popullsia që po plaket më shpejt se në shumicën e vendeve të tjera në Europë.
Vetëm dy punëtorë për një pensionist
Tani ka vetëm rreth dy punëtorë që mbështesin çdo pensionist, kur vetëm pak vite më parë ishin tre, dhe në vitet 1950 deri në gjashtë syresh.
Kontributet e detyrueshme të pensioneve, të ndara ndërmjet punëdhënësve dhe punonjësve, janë rritur në pothuajse 19 për qind të pagave dhe përballen me rritjen edhe më të lartë sipas planeve aktuale.
Pensionistët aktualisht marrin rreth 48 për qind të pagës së tyre si pension. Ndërsa duken bujarë sipas standardeve në vendet e tjera, grupet lobuese të pensionistëve argumentojnë se është në nivelin më të ulët të asaj që u nevojitet dhe gjithsesi duhet të pasqyrojë atë që kanë paguar në sistem. Megjithatë, kjo i krijon qeverisë boshllëk të madh për ta mbushur midis pensioneve që paguhen dhe kontributeve.
Ekspertët thonë gjithashtu se popullsia në moshë pune po mban barrën e panevojshme, veçanërisht ndërsa popullsia po plaket. Deputetët e rinj argumentojnë se kërkohet një ulje prej vetëm 1 për qind, pra në 47 për qind të pagës mesatare, një çmim i vogël që brezi i vjetër duhet ta paguajë për lehtësimin e barrës për të rinjtë.
Çka thonë sondazhet?
Shqetësimi i shprehur nga zgjedhësit e deputetëve të rinj pasqyrohet në rezultatet e sondazheve, të cilat tregojnë mungesën e besimit që gjermanët në të gjitha grupmoshat kanë për pensionet e tyre të ardhshme.
Një numër gjithnjë e në rritje gjermanësh ose besojnë ose e pranojnë se do të duhet të punojnë përtej moshës së daljes në pension, e cila gradualisht po rritet në 67 vjeç.
Qeverisë gjermane po i kërkohet të fillojë me fushata informimi publik që të inkurajohen gjermanët të kërkojnë burime shtesë të ardhurash, të tilla si hise në tregun e aksioneve për të financuar pensionet private. Aktualisht vetëm 60 për qind e gjermanëve kanë burime të tjera financimi për mbulim shpenzimesh pas daljes në pension.
Volkmann ka thënë se ka folur me kancelarin Merz, i cili duket se e ka pranuar se kërkesat e grupit të tij “kanë kuptim”. Megjithëse pas komenteve të tij në fundjavë ka dyshime se sa do të jetë i përgatitur t’i pranojë.
Kancelari Merz përballet me sprovën se nëse nuk ka ndonjë ndryshim në çështjen e pensioneve, do të ngecin edhe ndryshimet e tjera popullore që ka premtuar t’i sjellë në kohën kur Gjermania po përballet me sfida të panumërta, përfshirë planin e kohëve të fundit që të nxiten pensionistët që të vazhdojnë të punojnë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com