Foto: KALLXO.com
Çfarë provash prezantoi Prokuroria në gjykimin e Dibran Hoxhës dhe të tjerëve?
Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar edhe sot, më 27.05.2025, gjykimi ndaj Dibran Hoxhës dhe të akuzuarve të tjerë.
Dibran Hoxha po akuzohet për veprën penale – vrasje e rëndë ndaj viktimës V.C. dhe për – armëmbajtje pa leje, ndërsa katër të akuzuarit e tjerë, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badallaj po akuzohen për pjesëmarrje në rrahje, për manipulim me prova, dhe për armëmbajtje pa leje.
Seanca e sotme ishte paraparë të vazhdonte me dëgjimin e dëshmitares Alketa Sadiku pasi e njëjta ka filluar dëshminë në seancën e datës 15.04.2025.
Mirëpo e njëjta nuk ishte prezente në gjykatore dhe prezencën e saj nuk e kishte arsyetuar.
Andaj kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi propozoi që të vazhdohet me rrjedhën e procedurës dhe i njëjti propozoi që të vazhdohet me leximin e provave materiale.
Me këtë propozim u pajtua prokurorja speciale, Merita Bina- Rugova, dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Emrush Kastrati, mirëpo avokatët e të akuzuarve nuk u pajtuan që sot të bëhet leximi i provave materiale para se të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitares Alketa Sadiku.
Pas konsultimit me kolegët e tij avokatë, avokati Florent Latifaj deklaroi se qëndrimi i përbashkët është që të mos ndryshohet rrjedha e procedurës së provave para dëgjimit të dëshmitares Alketa Sadiku.
Mirëpo trupi gjykues mori aktvendim që seanca e sotme të vazhdojë me leximin e provave materiale nga Prokuroria.
Andaj seanca e sotme vazhdoi me leximin dhe elaborimin e provave materiale nga prokurorja Merita Bina Rugova.
Pas leximit të provave materiale nga Prokuroria seanca vazhdoi me prezantimin e provave nga rreshteri Faton Morina, i cili paraqiti disa foto dhe skica të marra nga video-incizimet të cilat janë të paraqitura si prova në aktakuzë.
Sipas tij, në këto video-incizime shihet Dibran Hoxha në natën kritike duke hyrë dhe dalë nga lokali ‘Stop’, i cili gjendet në Gjilan, ku kishte qenë së bashku me vëllanë e tij dhe një vajzë tjetër për të cilën tha se është e paidentifikuar për ata. Po ashtu, sipas tij, në këto foto shihet vetura e shtetasve të Shqipërisë duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Lidhur me këto prova kishte kundërshtime nga ana e mbrojtjes.
Avokati Florent Latifaj tha se rreshteri Morina po jep konstatime e kjo, sipas tij, nuk është aspak punë e tij.
“Ky është thirrur këtu me na i tregu video-incizimet sepse prokurorja tha ma lehtë e kam në mënyrë teknike dhe duhet me lu rolin teknik të tij. Nuk është ekspert për me na dhënë konstatime” – tha Latifaj.
Avokati Latifaj tha se me këto foto të prezantuara nuk është vërtetuar asgjë. I njëjti po ashtu propozoi që në gjykatore të shfaqen edhe video-incizimet.
“Nga këto foto të prezantuara nga ajo që pamë nga rreshteri Faton Morina nuk u vërtetu asgjë sepse përpos fotografisë të Dibran Hoxhës duke hyrë ne lokalin “Stop” tjera fotografi janë vetëm dyshime, se mund të jetë vetura Q7, mund të jetë Dibrani në të, mund edhe mos të jetë, sepse nuk shihet asgjë” – tha avokati Florent Latifaj.
Po ashtu në seancën e sotme trupi gjykues mori aktvendim lidhur me dy dëshmitarët G.J. dhe A.B. që të lexohen deklaratat e tyre.
Seanca e sotme u ndërpre ndërsa e radhës është caktuar të mbahet më 04.06.2025.
Sa i përket dëshmitares Alketa Sadiku gjyqtari Kujtim Krasniqi për të njëjtën tha se do urdhërojë sjelljen e saj përmes Policisë.
Kujtojmë se në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 07.03.2024 secili prej të akuzuarve ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale të cilat u vihen në barrë.
Kjo çështje penale është duke u trajtuar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Kujtim Krasniqi, kryetar i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni dhe Vesel Ismaili, anëtarë.
Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Merita Bina-Rugova.
DOSJA E PROKURORISË
Dibran Hoxha po akuzohet për vrasjen e rëndë të viktimës V. C., më 03.01.2023, në afërsi të lokalit të të akuzuarit “Cobra City”, në Prizren.
Sipas aktakuzës, vrasja ka ndodhur për motive të ulëta të demonstrimit të forcës së paskrupullt, për të gjithë ata që e kundërshtojnë atë.
Dosja thotë se deri te vrasja çoi një faturë e lartë në lokal, e cila rezultoi me rrahje mes punëtorëve të lokalit dhe viktimës e të dëmtuarve, Rutgen Tsvyatkova dhe Arben Basha. Këta të fundit, sipas dosjes, kanë hyrë në veturë për t’u larguar, por në atë kohë arrin Dibran Hoxha – Kobra, i cili ishte njoftuar për ngjarjen.
Kështu, në dosje thuhet se vetura me viktimën ka qenë duke u nisur dhe në atë moment Dibran Hoxha e ka hapur derën e shoferit, ku me pistoletë e ka goditur të dëmtuarin Rutgen Tsvyatkova.
Më pas, dosja thotë se i akuzuari Hoxhaj ka shtënë edhe katër herë, me ç’rast ka goditur viktimën V. C., i cili ka qenë ulur në pjesën e pasme të makinës dhe i cili rrugës për në Spital kishte ndërruar jetë.
Për këtë, Prokuroria e ngarkon me veprat penale – vrasje e rëndë, dhe – armëmbajtje pa leje.
Roland Susuri dhe Burim Mazreku akuzohen për manipulim me prova. Po ashtu, Roland Susuri, Jesmir Badallaj dhe Arben Vezaj akuzohen për pjesëmarrje në rrahje. Ndërsa, Roland Susuri dhe Jesmir Badallaj po akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.
Raportimet e KALLXO.com për këtë rast i gjeni në këtë link .