Burri dyshohet se plagosi me thikë gruan dhe vajzën e mitur në Prizren
Një rast i rëndë i dhunës në familje ka ndodhur më 17.10.2025 në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren, ku një burrë dyshohet se ka plagosur me thikë gruan dhe vajzën e tij të mitur. Të dyja thuhet se janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Lajmi është konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, e cila përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 00:20 pas mesnate.
“Policia ka pranuar informatën për një rast të dhunës në familje. Patrulla policore iu është përgjigjur menjëherë thirrjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshortja e të pandehurit) e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë – thikë”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas njoftimit, viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në momentin kur ka mbërritur ekipi i emergjencës mjekësore.
“Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë”- thuhet në njoftim.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet policore dhe forenzike, në koordinim me prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda.
“Gjatë intervenimit, në hyrje të banesës është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme”- thekson prokuroria.
Ndaj të dyshuarit është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
“Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Vrasja e rëndë në tentativë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”- thuhet në komunikatë.
Prokuroria njofton se brenda afateve ligjore do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
“Prokuroria Themelore në Prizren, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të plota të rastit”- përfundon njoftimi.
Në lidhje me rastin, detaje kanë dhënë edhe nga Policia e Kosovës.
“Më datë 17 tetor 2025, rreth orës 00:20, policia në Prizren ka pranuar një informacion për një rast lëndimi trupor Patrullat policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku kanë hasur dy viktima – një grua 49-vjeçare dhe vajzën e saj 12-vjeçare – të cilat kishin pësuar lëndime të rënda trupore nga goditjet me thikë” – tha për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë, Shaqir Bytyqi.
Sipas PK-së, të dy viktimave u është dhënë ndihma e parë në vendngjarje dhe më pas janë dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku ndodhen në gjendje të rëndë dhe po marrin trajtim mjekësor.
I dyshuari 51-vjeçar, partneri i viktimës, është arrestuar në vendngjarje.
Ndaj tij është filluar hetimi për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje apo posedim i paautorizuar i armës”.
“Hetimet lidhur me rastin janë duke u zhvilluar nga Sektori Rajonal I Hetimeve në Prizren”- thekson Policia.