Presidenti i SHBA-së, Joe Biden
Beteja e Joe Biden me kancerin, ish-presidenti i SHBA-së po i nënshtrohet trajtimit me rrezatim
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, po i nënshtrohet rrezatimit si pjesë e trajtimit kundër kancerit në prostatë, ka bërë të ditur zëdhënësi i tij, raporton BBC.
Sipas tij, Biden, 82 vjeç, po merr gjithashtu trajtim hormonal, megjithëse nuk janë dhënë detaje të tjera. Trajtimi me rrezatim pritet të zgjas rreth pesë javë dhe paraqet një fazë të re në kujdesin mjekësor ndaj ish-presidentit.
Në maj 2025, zyra e Biden kishte njoftuar se ai ishte diagnostikuar me një formë më agresive të sëmundjes, e cila ishte përhapur edhe në kocka. Zbulimi u bë pasi politikani demokrat raportoi simptoma urinare, që çuan mjekët të gjejnë një nyjë të vogël në prostatë.
Biden e përfundoi mandatin e tij në janar 2025 si presidenti më i moshuar në historinë e Shteteve të Bashkuara, ndërsa çështjet e shëndetit të tij e shoqëruan gjatë gjithë mandatit të parë, duke e shtyrë që të tërhiqej nga gara për rizgjedhje pak para fundit të fushatës.
Në vend të tij, ish-nënpresidentja Kamala Harris garoi si kandidate e demokratëve për presidente, por humbi zgjedhjet ndaj republikanit Donald Trump, presidentit aktual amerikan.
Prej vitesh, Biden është një avokat i fortë i kërkimeve për trajtimin e kancerit. Në vitin 2022, ai dhe bashkëshortja e tij, Jill Biden, e rinisën nismën “Cancer Moonshot”, me synimin për të mobilizuar kërkimet shkencore në mënyrë që të parandalohen më shumë se katër milionë vdekje nga kanceri deri në vitin 2047.
Biden ka një lidhje të dhimbshme personale me këtë sëmundje, pasi në vitin 2015 humbi djalin e tij të madh, Beau Biden, nga kanceri në tru.
Në muajt e fundit, ish-presidenti është tërhequr pothuajse plotësisht nga jeta publike. Në maj 2025, ai dha një intervistë për BBC, të parën që nga largimi nga Shtëpia e Bardhë, ku pranoi se vendimi për t’u tërhequr nga gara e vitit 2024 ishte “i vështirë”.
Sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit, kanceri i prostatës është lloji i dytë më i zakonshëm i kancerit që prek burrat, pas kancerit të lëkurës. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) vlerësojnë se 13 nga çdo 100 burra do të preken nga kanceri i prostatës gjatë jetës së tyre, ndërsa mosha mbetet faktori më i zakonshëm i rrezikut.