Flamuri i Bashkimit Europian - Foto: REL/Shutterstock
BE-ja diskuton zhbllokimin e 140 miliardë eurove të aseteve të ngrira ruse për financimin e Ukrainës
Ministrat e Financave të vendeve anëtare të BE-së takohen sot (13.11.2025) në Bruksel që të diskutojnë agjendën ekonomike dhe financiare të bllokut, duke përfshirë çështjen gjithnjë e më urgjente të financimit për Ukrainën, raporton “The Guardian”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar në një intervistë për Bloombergun se mbijetesa e vendit varet nga sigurimi i më shumë fondeve nga aleatët.
“Shpresoj, dashtë Zoti, që ta marrim këtë vendim”, i ka deklaruar ai televizionit Bloomberg. Nëse jo, “do të duhet të gjejmë një alternativë, është çështje e mbijetesës sonë. Kjo është arsyeja pse kemi shumë nevojë për të. Dhe unë mbështetem te partnerët”.
Komisioni Europian shpreson se ende mund t’i bindë shtetet anëtare – dhe Belgjikën, në veçanti, ndërsa vazhdon të bllokojë propozimin për shkak të frikës ligjore – që të ndajnë një kredi dëmshpërblimi prej 140 miliardë eurosh bazuar në asetet e ngrira ruse.
Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, ka këmbëngulur këtë mëngjes se kjo do të ishte “mënyra më efektive për mbështetjen e mbrojtjes dhe ekonomisë së Ukrainës”.
Vendimi përfundimtar për këtë çështje është shtyrë deri në samitin e udhëheqësve të BE-së në dhjetor, me financimin e nevojshëm në fillim të vitit të ardhshëm.
Por bisedimet mbahen në një moment të vështirë për Kievin, pasi Zelensky u desh të vepronte për të frenuar zemërimin në rritje të publikut në Ukrainë për shkak të skandalit të korrupsionit në sektorin e energjisë, duke shkarkuar dy ministra të cilët akuzohen për përfshirje në një skemë të madhe ryshfeti.
Ministrja daneze e Çështjeve Ekonomike, Stephanie Lose, u pyet për reagimin e saj ndaj skandalit dhe këmbënguli se ka vendosmëri për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën.
“Sigurisht, Ukraina do të duhet të punojë vazhdimisht me reformat, duke forcuar të gjitha pjesët e shoqërisë së saj dhe kjo vlen edhe për antikorrupsionin… por nuk duhet të ketë asnjë dyshim se ka një mbështetje të fortë europiane pas Ukrainës”, ka theksuar ajo.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com