Basha dhe Malaj diskutojnë për mundësinë e krijimit të një Zyre Ndërlidhëse mes dy parlamenteve
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Petrit Malaj.
Siç njofton Kuvendi, Basha ka përgëzuar zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi dhe ambasadorit Malaj i ka shprehur urime.
Kuvendi i Kosovës, ka njoftuar se gjatë takimit u diskutua ideja e mundësisë së krijimi të një Zyreje Ndërlidhëse në Kuvendet e të dy shteteve.
Në një zyre të tillë, deputetët do të infomoheshin në kohë reale për zhvillimet brenda institucioneve përkatëse dhe do të shkëmbeheshin njoftimet për qëndrimet e Kuvendeve në raport me tematë caktuara.
Ideja është se përmes kësaj zyreje do të përditësoheshin edhe lajmet lidhur me procedurat dhe iniciativat në zhvillim me rëndësi për dy vendet.
“Kjo do të ndihmonte edhe në mësim reciprok nga përvoja e komisioneve parlamentare dhe trupat punuese të dyja shteteve, ku shkëmbimi i praktikave më të mira dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional do të lehtësonte adresimin e çështjeve të përbashkëta për të avancuar agjendat e zhvillimit të dy kuvendeve” – thuhet mes tjerash në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.
Basha citohet të ketë folur për rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Shqipërisë për integrimin e Kosovës në Bashkim Evropian.
I pari i Kuvendit të Kosovës ka uruar ambasadorin edhe për hapjen e katër kapitujve të Shqipërisë në negociatat për anëtarësim në BE.
“Në këtë kuadër, Kryeparlamentari Basha kërkoi gjithashtu mbështetje të mëtejshme nga Shqipëria për t’u përballur me sfidat që Kosova po kalon, sidomos përballë agresionit të vazhdueshëm nga Serbia, e cila, në forma të ndryshme ndërmerr sulme diplomatike, propagandistike dhe destabilizuese ndaj Kosovës” – thuhet tutje në komunikatë.
Basha ka kërkuar nga Shqipëria që në takime me partnerë ndërkombëtarë, të insistoj për largimin e masave ndaj Kosovës.
Ambasadori Malaj u falënderua për angazhimin dhe kontributin e tij për bashkëpunim mes dy shteteve, ai ka shtuar se ka nevojë për sinkron më të madh mes institucioneve të dy vendeve, në të gjitha nivelet.