Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Auditori gjeti se Komuna e Lipjanit përdori emra të prodhuesve në Dosje të tenderëve
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Lipjanit në vitin 2024 kishte përdorur llojin dhe emrin e prodhuesit në Dosje të tenderëve për pesë Kontrata, në vlerë totale 1,315,277 euro.
Në bazë të Rregullores Nr.001/2022 për Prokurimin Publik parashihet se “asnjë specifikim nuk do të lëshohet me referencë ndaj një marke të caktuar tregtare, emër të brendit, patentë, dizajn, lloj, origjinë specifike, prodhues, montues, katalog, ose artikull me numër”.
Sipas Raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2024 për Komunën e Lipjanit Zyra e Prokurimit në këtë Komunë ka përdorur llojin dhe emrin e prodhuesit në projektin “Furnizimi dhe vendosja me bari sintetik dhe infrastruktura të tjera në fushat sportive në Magurë dhe Dobrajë” – projekt në vlerë 1,198,386 euro.
“Në pozicionin ‘Furnzimi dhe montimi i dyerve të brendshme’ është përdorur materiali: Hörmann ose prodhues i cilësisë së njëjtë. Po ashtu, te pozicioni ‘Furnizimi, transporti dhe monitimi i dyerve PVC’ është kërkuar prodhuesi (Salamander, Aluplast, Trocal, Rehau, apo ndonjë prodhues tjetër me karakter të ngjashëm).” – thuhet në Raportin e ZKA-së.
Kurse, në Projektin “Ndërtimi i infrastrukturës në Sallat e sporteve në fshatin Gllogoc dhe Rufc të ri” me vlerë 106,607 euro Zyra e Prokurorimit të Komunës së Lipjanit ka kërkuar: pompa prodhim “Grundfos” (apo ekuivalent), prodhim “Ari Armaturen”, si dhe montim të radiatorëve të tipit panel prodhim “Fabrika e radiatorëve” – Gjilan dhe për një tjetër produkt është kërkuar “Anemostatetose Prodhim S&P” – Spanjë.
Dhe, në Projektin “Rregullimi i kuzhinës me pajisje përcjellëse të amvisërisë për shtëpinë me bazë në komunitet – Lipjan”, në vlerë 10,284 euro për furrë elektrike shtëpiake është kërkuar prodhues “Samsung”, “Beko”, ose të ngjashme.
“Enëlarëse shtëpiake montuese është kërkuar prodhuesi LG, Beko ose të ngjashme, pozicioni i aspiratorit është kërkuar prodhuesi Beko ose ngjashëm.” – ka thënë ZKA në Raportin e saj.
ZKA ka shtuar se përdorimi i llojit e materialit dhe emri i prodhuesit nga Zyra e Prokurimit në Komunën e udhëhequr nga Imri Ahmeti ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve të kësaj Zyre për ta parandaluar specifikimin e emrit të prodhuesit në paramasën dhe parallogarinë.
“Specifikimi i emrit të prodhuesit në paramasën dhe parallogarinë mund të ndikojë në dëmtimin e konkurrencës dhe trajtimit jo të barabartë të Operatorëve Ekonomik.” – është ndikimi që ka gjetur ZKA në këtë rast.
Për rrjedhojë ZKA i ka rekomanduar Komunës së Lipjanit që Kryetari duhet të sigurojë se Zyra e Prokurimit zbaton kontrollet e duhura dhe nuk do ta lëshojë Dosjen e tenderit – nëse në paramasën dhe parallogarinë specifikohet emri i prodhuesit.
Komuna e Lipjanit nuk është pajtuar me këtë gjetje të auditorit.
Në përgjigjen e tyre për këtë çështje të ZKA-së Komuna e Lipjanit ka thënë se Autoriteti Kontraktues nuk ka bërë kufizimin e brendeve, duke shtuar apo plotësuar me të ngjashme, ekuivalente apo edhe të tjera – çka do të thotë sipas tyre se nuk ka pasur kufizim të konkurrencës, sepse Operatorët Ekonomik kanë mundur të ofertojnë me të gjitha brendet.
“Edhe gjatë sqarimit me ju gjatë auditimit është konstatuar që nuk ka pasur asnjë Operator Ekonomik të eliminuar, nëse ka paraqitur në ofertë pajisje të tjera që nuk kanë qenë të përmendura dhe nuk ka pasur dëmtim të buxhetit, ose parasë publike në asnjë rast”.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) i ka dhënë Opinion të kualifikuar Komunës së Lipjanit në Raportin e auditimit për Pasqyrat financiare për vitin 2024. Opinioni i kualifikuar është Opinioni i dytë më i mirë që iu jepet institucioneve pas Opinionit të pamodifikuar. Ky Opinion jepet kur ka keqdeklarime dhe mospajtueshmëri në Pasqyrat financiare.
Baza e Opinionit të kualifikuar të ZKA-së për Komunën e Lipjanit kanë qenë gjetjet, si: keqklasifikimi i shpenzimeve, mangësi në prokurim, dobësi në menaxhim me të hyra, mosraportim i përfituesit për subvencionin e marrë, mbivlerësim të pasurive, menaxhim jo të mirë të Kontratave, vonesa në pagesën e faturave.
Në Raportin e vitit 2024 Komuna e Lipjanit ka marrë 15 Rekomandime: prej tyre 8 Rekomandime të reja, 5 të përsëritura dhe 2 janë pjesërisht të përsëritura.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në vitin 2023 i kishte dhënë Komunës së Lipjanit 9 Rekomandime. Deri në fund të auditimit 2 Rekomandime ishin zbatuar, 5 Rekomandime nuk ishin zbatuar ende, si dhe 2 Rekomandime ishin zbatuar pjesërisht.
Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Komunën e Lipjanit mund ta gjeni këtu.