Arrestimi në Gjilan ka të bëjë me tenderin për të cilin Prokuroria nisi hetimet pas raportimit të KALLXO.com
Personi i arrestuar sot më 14.04.2025 në Gjilan për falsifikim të dokumenteve në prokurim publik, është D. Etemi, personi i autorizuar nga grupi i operatorëve i përbërë nga “Fortesa” SH.P.K. si lidere, “AlbaProject” dhe “Auremont”.
Kjo u konfirmua për KALLXO.com nga avokatja e D. Etemit, Vlora Berisha.
“Diku rreth orës 11:00 D. Etemi në prezencën time ka dhënë një deklaratë për veprën penale ‘keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’ nga neni 415 i Kodit Penal. Por, tani nuk mund të ndaj detaje sepse jemi në fazën fillestare. Unë besoj në pafajesinë e klientit tim dhe si palë kemi ofruar prova shfajësuese”- ka thënë ajo.
Sipas Policisë, ai dyshohet se ka paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme apo të falsifikuara për t’i plotësuar kërkesat në mënyrë që të përfitojë kundërligjshëm në fonde publike sipas ofertës së çmimit nga shuma e përgjithshme e vlerës së parashikuar prej 400 mijë euro.
KALLXO.com kishte raportuar më 31.01.2025 se si kompania “Fortesa” SH.P.K. ishte futur në “listë të zezë” nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik për falsifikim të vulës dhe nënshkrimit në tenderin e Komunës së Gjilanit për “Rregullimin e rrugëve të arave për nevojat e bujqësisë”.
Edhe përkundër kësaj, as Komuna e Gjilanit e cila ishte inicuese e tenderit e as Organi Shqyrtues i Prokurimit, i cili më 08.11.2024 e ka vendosur kompaninë në “listë të zezë” nuk e kanë dërguar këtë rast në Prokurorinë e Shtetit.
Rasti ishte regjistruar nga Prokuroria e Gjilanit dhe i është ndarë një prokurori vetëm pasi KALLXO.com është interesuar dhe ka dërguar pyetje.
https://kallxo.com/gjate/oshp-e-vendosi-ne-liste-te-zeze-per-falsifikim-te-vules-dhe-nenshkrimit-prokuroria-inicion-rast-pas-interesimit-te-kallxo-com/