Takimi mes presidentëve - Donald Trump, Emmanuel Macron dhe Volodymyr Zelensky, Foto: Volodymyr Zelensky/X
Aleatët e Ukrainës takohen pas dyshimeve për garancitë dhe mbështetjen amerikane
Tridhjetë liderë do të mbajnë të enjten (04.09.2025) me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, lidhur me garancitë e ardhshme të sigurisë për Kievin nëse do të ketë një armëpushim me Rusinë, duke shpresuar se do të kenë bërë mjaftueshëm që t’ua mbushin mendjen Shteteve të Bashkuara për t’ua përkrahur përpjekjet, raporton Reuters.
Samiti i “koalicionit të vullnetshmëve”, që do të zhvillohet personalisht dhe virtualisht, bën bashkë liderët e shumicës së shteteve të Europës, por edhe të Turqisë, Australisë dhe Kanadasë.
Shtetet kanë folur për muaj me radhë në nivele të ndryshme për të përcaktuar kontributet e tyre ushtarake për Ukrainën që ta ndihmojnë të neutralizojë sulmet ruse nëse do të ketë një armëpushim përfundimtar.
Të gjitha përpjekjet kanë ngecur së fundmi pasi qeveritë kanë thënë se çdo rol ushtar europian duhet të shoqërohet me garancitë amerikane të sigurisë si përkrahje vendimtare. Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ka bërë ndonjë koment eksplicit për t’i ofruar konkretisht ato.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të mërkurën krah Zelenskyt në Paris se liderët e koalicionit do të përkrahin të enjten planet për kompletimin e garancive të sigurisë prej ushtrive të tyre.
Dy zyrtarë europianë kanë thënë se planet e hollësishme “teknike” janë finalizuar pa u lëshuar më shumë në detaje se çfarë përfshijnë ato.
“Ne jemi gati, si europianë, që t’i ofrojmë Ukrainës garanci sigurie”, ka thënë Macron. “Kjo na mundëson që të themi se jemi të gatshëm për një paqe të qëndrueshme për Ukrainën dhe europianët, por çështja tani është të shihet sinqeriteti i Rusisë”, ka thënë Macron.
Dy zyrtarë europianë kanë thënë për Reutersit se më këtë synohet që t’i përçohet një mesazh politik presidentit Trump.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com