Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Ahmeti: Do të ndërtohet një lagje e re në Lipjan, 100 banesa do t'u jepen kategorive të dala nga lufta
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka njoftuar se sot, 31.07.2025, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e një lagje të re dhe rreth 100 njësi banesore do t’u jepen falas familjeve të kategorive të dala nga lufta.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti bëri të ditur se do të ndërtohet një lagje me rreth 45,000 m2, prej të cilave 100 njësi banesore do t’u jepen falas për shfrytëzim afatgjatë familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së.
“Jam i lumtur që sot nënshkruam kontratën për ndërtimin e lagjes së re, ku do të përfitojnë kategoritë e dala nga lufta! Ky është një lajm i shkëlqyer për Lipjanin tonë, një projekt i madh që sjell mundësi për banim dhe dinjitet për ata që kanë dhënë shumë për vendin, por edhe për ata që kanë më shumë nevojë”- ka thënë Ahmeti.
“Do të ndërtohet një lagje me rreth 45,000 m² (katrorë), prej të cilave rreth 100 njësi banesore, të cilat do t’u jepen falas për shfrytëzim afatgjatë familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së.”- ka bëtë të ditur kryetari Ahmeti
Ahmeti ka thënë se kjo lagje e re do të jetë me kushte moderne, dhe si e tillë jo vetëm do t’i japë qytetit pamje më të mirë, por mbi të gjitha, siç është shprehur ai, do të sjellë qetësi dhe siguri për shumë familje.