Qendrat për Punë Sociale në Kosovë, në kushte që kërkojnë ndihmë vetë
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 13 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 14 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 15 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Qendrat për Punë Sociale në Kosovë përbëjnë një pjesë thelbësore të sistemit të kujdesit social, të krijuara për të mbrojtur qytetarët në nevojë dhe për të ofruar një gamë të gjerë shërbimesh, që nga trajtimi i rasteve të dhunës në familje deri te mbikëqyrja e kujdesit prindëror. Megjithatë, gjendja aktuale në terren paraqet shqetësime serioze.
Mungesa e stafit, objektet që nuk i plotësojnë standardet, si dhe mungesa e hapësirave adekuate për trajtimin e rasteve të ndjeshme janë disa prej problemeve që KALLXO.com ka evidentuar gjatë hulumtimit për QPS-të.
Nga dhjetë qendra që vizitoi KALLXO.com, disa nuk kanë ashensor dhe nuk janë të qasshme për personat me aftësi të kufizuara, gjë që e vështirëson lëvizjen e qytetarëve dhe të vetë punonjësve brenda ambienteve.
Edhe në objektet që janë në proces rinovimi, kushtet e punës mbeten të papërshtatshme, pa respektuar standardet minimale të sigurisë dhe komoditetit për stafin dhe qytetarët.
Gjatë hulumtimit, ekipi i KALLXO.com ka vizituar tetë qendra sociale për të parë nga afër kushtet në të cilat punojnë zyrtarët e shërbimeve dhe asistencës sociale.
Në Prishtinë, njëra nga tri njësitë e QPS-së ndodhet te “Qafa”. Objekti i kësaj qendre është i vjetër dhe, siç është raportuar më herët nga KALLXO.com, përballet me probleme gjatë reshjeve të shiut. Pamjet e transmetuara në emisionin Kallxo Pernime tregojnë se në hyrje të qendrës mungon pajisja detektuese dhe nuk ka sigurim fizik.

Udhëheqësja e kësaj njësie, Naime Azemi, e shoqëroi ekipin e KALLXO.com brenda hapësirave të qendrës dhe tregoi nga afër kushtet në të cilat punojnë. Zyrat janë të vogla dhe mungon hapësira e mjaftueshme për zhvillimin e punëve të përditshme, pritjen e qytetarëve dhe intervistimin e tyre.
Korridoret janë të ngushta, dritaret të vogla e pa ndriçim natyral, ndërsa mungesa e liftit e bën të pamundur qasjen për personat me aftësi të kufizuara. Njëri nga punëtorët i pranishëm gjatë vizitës tha: “Përveç që nuk ka hapësirë të mjaftueshme, na e kemi gjysmë burgu, shikoj dritaret”, duke përshkruar kushtet e vështira të punës.
Naime Azemi tha se është diskutuar disa herë vendosja e pajisjeve të sigurisë, por ende nuk është realizuar.
“Është diskutuar disa herë me u vendos pajisjet e sigurisë por ndoshta ka mbete pak çështje e kohës dhe çështje e aranzhimit të komunës, po janë diskutuar, është në diskutim e sipër”- thotë ajo gjatë kohës sa po zhvillohej edhe diskutimi për këtë qendër.
Në këtë qendër ofrohen 74 shërbime sociale për kategori të ndryshme të qytetarëve.
“Është lehtë me u bo puntor social por për me punu duhesh me qenë i përgatitur profesionalisht” – tha Azemi.
Ajo shtoi se pavarësisht kushteve të vështira, shpreson për përmirësim.
“Përndryshe në këto kushte kemi punuar deri tani, po besoj që ka me shku ma mirë jemi në pritje të ndërtimit të qendrës së re”.
Gjatë vizitës, ekipi i KALLXO.com vërejti se qendra nuk ka hapësira të përshtatura për persona me aftësi të kufizuara, si lift apo pjerrina. “Puna e infrastrukturës nuk është për momentin, nuk është e rregulluar, gjithë herë është folur dhe është diskutuar por nuk është arritur akoma me i bë” – u shpreh Azemi.
Në Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë mungon një dhomë e veçantë për këndin e lojërave për fëmijë dhe një hapësirë për intervista konfidenciale. Punëtorët socialë janë të detyruar të përdorin zyrat e tyre për të zhvilluar intervistat me viktimat në mënyrë konfidenciale.
Po ashtu, në njësinë “Qafa” punojnë më shumë se 10 punëtorë, por në dispozicion kanë vetëm tri vetura zyrtare për t’iu përgjigjur rasteve që regjistrohen.
Në Komunën e Vitisë, Qendra për Punë Sociale ndodhet disa kilometra larg objektit komunal, duke e bërë më të vështirë qasjen e qytetarëve në shërbimet sociale.

Edhe pse aktualisht është duke u zhvilluar renovimi i jashtëm i objektit, gjendja e brendshme që hasi ekipi i KALLXO.com ishte tejet e mjerueshme. Brenda ndërtesës, tualetet nuk plotësonin as standardet minimale të përdorimit, ndërsa nëpër zyra ishin shpërndarë me dhjetëra dosje që përmbanin të dhëna personale dhe konfidenciale, pa asnjë mbikëqyrje dhe me qasje të lehtë për këdo që hynte në objekt.
Gjatë vizitës më 09.10.2025, ekipi i KALLXO.com nuk gjeti asnjë zyrtar në punë, madje edhe drejtoresha e qendrës ishte në pushim. Objekti ishte pa sigurim, me xhama të thyer, mure të plasaritura dhe banjo në gjendje të mjerueshme, me mungesë të mjeteve higjienike bazike. Dyer të amortizuara, papastërti, hapësira kaotike dhe mungesë e dollapëve për ruajtjen e dokumenteve ishin pamje të zakonshme. Këto kushte jo vetëm që cënojnë dinjitetin e punonjësve, por edhe sigurinë e të dhënave të qytetarëve që marrin shërbime nga kjo qendër.

Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Viti, Merrushe Ahmeti, në përgjigje për gjetjet e KALLXO.com, pranoi se dokumentet e shpërndara ishin të vjetra.
“Shumica e dokumenteve janë mbi pesë vite dhe nëse e shikojmë me procedura ligjore mbi 5 vite, e ka të drejtën e asgjësimit po meqenëse përmes komunës nuk kemi arritë me kriju marrëveshje me kompanitë që me asgjësu kanë mbetur, përndryshe ato dokumente janë i relevante, dokumentet relevante ndodhen në zyrat e individëve që e ushtrojnë profesionin dhe janë të mbyllura nëpër arkiva në qelës dhe kanë siguri të madhe. Përndryshe ato dokumente që ju po i shihni e kanë kalu periudhën mbi 5 vjeçare, kështu që nëse e shikojmë me procedura ato duhet me u asgjësu kshtu që nuk është diçka sekrete”.
Ajo gjithashtu pranoi se infrastruktura kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
“Ndërsa sa i përket infrastrukturës shihet që është e vjetër dhe kemi pasur të pamundur ndonjë intervenim për shkak të financave dhe pajtohem plotësisht që duhet një investim i brendshëm”.
Nga Vitia, ekipi i KALLXO.com vazhdoi në Gjilan, ku situata nuk është më e mirë. Objekti i Qendrës për Punë Sociale është i vjetruar dhe pa izolim adekuat, gjë që bën që gjatë dimrit punonjësit dhe qytetarët të përballen me të ftohtë e kushte të pakëndshme.

Mungojnë zyrat e intervistave konfidenciale dhe këndi i lojërave për fëmijë, ndërsa dhoma e kontaktit prind-fëmijë është shumë e vogël dhe ngrohet me nxehëse elektrike, duke mos përmbushur standardet bazë të sigurisë dhe komoditetit.
Për shkak të mungesës së hapësirave konfidenciale, punëtorët social detyrohen të dalin nga zyra për t’i lënë vend kolegut që realizon intervistën me palën. Në objekt nuk ka sigurim fizik, ndërsa detektori i sigurisë që është pranuar së fundmi ende nuk është vënë në funksion.

Kushtet e qasjes për persona me aftësi të kufizuara janë gjithashtu të papranueshme. Në këtë qendër punojnë dy zyrtarë me aftësi të kufizuara, të cilët janë detyruar të punojnë në katin e parë për shkak të mungesës së liftit dhe pjerrinave brenda objektit.
Gjilani përballet edhe me mungesë të mjeteve për terren. 15 punëtorë social kanë në dispozicion vetëm një veturë zyrtare, pavarësisht kërkesave të përsëritura për shtim të mjeteve të transportit.

Në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ekipi i KALLXO.com nuk u lejua të xhirojë brenda hapësirave, por edhe nga jashtë ishte e dukshme se kushtet janë të ngjashme me ato të komunave tjera. Edhe këtu mungojnë hapësirat e përshtatshme për persona me aftësi të kufizuara, duke treguar një neglizhencë të vazhdueshme institucionale ndaj standardeve themelore të shërbimeve sociale.

Në Klinë, Qendra për Punë Sociale funksionon në një objekt që përfshin jo vetëm hapësirat e punës së punëtorëve social në katin e parë, por edhe banesa private në katin e dytë, një situatë që vetvetiu cenon privatësinë dhe profesionalizmin e institucionit.
Kjo përzierje e hapësirave banesore me ato institucionale është shembull i qartë i mungesës së standardeve në planifikimin dhe funksionimin e objekteve publike që kanë mision mbrojtjen dhe mbështetjen e qytetarëve në nevojë.

Në këtë qendër mungon dhoma për intervista konfidenciale, këndi i lojërave për fëmijë dhe hapësirat e përshtatura për persona me aftësi të kufizuara. Po ashtu, numri i veturave zyrtare është i pamjaftueshëm, ndërsa objekti është i vjetruar dhe kërkon investime urgjente.
Drejtori i QPS në Klinë, Ilir Bacaj, pranon se janë bërë disa përpjekje për përmirësim.
“Sa i përket gjendjes infrastrukturore kemi bërë përpjekje që të kemi kushte të përshtatshme për punë, janë bërë disa renovime qoftë nga organizata të ndryshme jo qeveritare dhe nga komuna dhe kemi tentu me kriju kushte të përshtatshme për punë. Janë gjithsej tash 5 punëtorë social, QPS funksionon me dy sektorë, të asistencës dhe shërbimeve sociale. Në asistencë sociale janë gjithashtu 5 punëtorë të angazhuar”- thotë ai.

Megjithatë, gjendja mbetet e brishtë, Bacaj thekson se nevojiten ndërhyrje shtesë për përmirësimin e hapësirave të punës.
“Nuk është në gjendje të keqe sigurisht që ne kemi bërë përpjekje që të sigurojmë edhe dollapa shtesë për dokumente”- tregon tutje Bacaj.
Ai shton se mungesa e hapësirës brenda objektit e bën të pamundur krijimin e një dhome të përshtatshme për kontakt prind-fëmijë.
“Realisht këndin e lojërave ne nuk e kemi brenda objektit, kuptohet që është e nevojshme por duke parë parasysh edhe hapësirën fizike e kemi të pamundur të krijojmë vend të posaçëm për lojëra. Po kërkesat ne i kemi të vazhdueshme por realisht ne siç e dini, ne nuk kemi buxhet të mjaftueshëm në Qendrat për Punë Sociale, kaniher kërkesat hasin në vesh të shurdhër dhe kjo është çështje e prioritetit, nuk i japin të gjithë prioritet shërbimeve sociale”- shton ai.
Nga Klina, ekipi i KALLXO.com vazhdoi drejt Deçanit, ku situata nuk është më e mirë. Objekti i Qendrës për Punë Sociale, i ndërtuar në vitet ’70, pavarësisht renovimeve të pjesshme, mbetet i amortizuar.

Dyshemeja është kthyer në laminat vetëm pas shumë vitesh, ndërsa muret ende kanë nevojë për lyerje dhe përmirësime të tjera. KALLXO.com konstatoi mungesë të dollapëve për ruajtjen e dokumenteve konfidenciale dhe hapësira të papërshtatshme pune.
Edhe kushtet higjienike janë nën çdo standard, banjat janë të ngushta dhe të vjetruara, hapësirat e zyrave janë të vogla dhe nuk ka kushte të përshtatshme për persona me aftësi të kufizuara.

Pamja e parë e objektit nuk të jep përshtypjen e një institucioni social, podrumi ka xhama të thyer, ndërsa i gjithë objekti është pa sigurim fizik dhe dixhital, duke e bërë edhe më të pasigurt ruajtjen e të dhënave dhe mirëqenien e punonjësve.
Në Drenas, situata është po aq alarmuese. Edhe aty mungon dhoma e intervistave konfidenciale dhe këndi i lojërave për fëmijë, ndërsa banjot janë në gjendje të mjerueshme me xhama të thyer dhe tavane të dëmtuara.

Objekti, njëkatësh, paraqet një ambient pune që e tejkalon nivelin e papërshtatshmërisë, dollapët mbahen mbyllur me ngjitës dhe lidhëse këpucësh, muret janë të palyera, hapësirat të ngushta dhe përreth objektit shihen mbeturina.
Pamja që jepet nga terreni është e njëjtë në shumicën e komunave, qendra të ndërtuara për të ndihmuar më të brishtët e shoqërisë, por që vetë janë lënë në mëshirë të kohës, pa kushte bazike, pa siguri dhe pa dinjitet institucional.


Qendra për Punë Sociale në Han të Elezit përballet me kushte të rënda pune dhe mungesa thelbësore në infrastrukturë. E themeluar në vitin 2010, kjo qendër sot funksionon me vetëm tre zyrtarë dhe operon në një objekt që, ndonëse relativisht i ri, është lënë pas dore dhe nuk plotëson standardet minimale për ofrimin e shërbimeve sociale.

Hapësirat e vogla të zyrave, mungesa e ngrohjes qëndrore dhe pamundësia për të krijuar ambiente të veçanta për këndin e lojërave apo për intervista konfidenciale, e bëjnë punën e punëtorëve social jo vetëm të vështirë, por shpesh edhe të papërshtatshme për natyrën delikate të rasteve që trajtojnë.
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Han të Elezit, Amir Bushi, pranon se mungesa e hapësirës e pengon funksionimin normal të institucionit. Ai tregon se për shkak të zyrave të vogla, janë të detyruar që takimet me delegacione apo zyrtarë t’i zhvillojnë në të njëjtën dhomë që është destinuar për këndin prind-fëmijë dhe për vlerësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta. Ky kombinim i funksioneve në një hapësirë të vetme e cenon qartësisht konfidencialitetin dhe cilësinë e shërbimeve që qendra duhet të ofrojë.
Sipas Bushit, as ngrohja nuk është e zgjidhur në mënyrë adekuate. Dhoma e këndit prind-fëmijë ngrohet me pajisje elektrike, pasi objekti nuk ka sistem qendror ngrohjeje, çka shton kostot dhe rrezikun e sigurisë.
Përveç këtyre problemeve, qendra nuk posedon asnjë veturë zyrtare. Çdo dalje në terren varet nga mundësia për të marrë automjetet komunale, gjë që kërkon ndjekjen e një procesi të gjatë dhe burokratike. Kjo situatë mund të vonoj reagimin në raste urgjente dhe kufizon ndjeshëm aftësinë e punëtorëve social për të vepruar në kohë reale.
Nga Han i Elezit, ekipi i KALLXO.com udhëtoi drejt Kaçanikut, ku gjendja është edhe më alarmuese.

Qendra për Punë Sociale atje nuk ka fare objekt të vetin. Ajo është vendosur përkohësisht në Sallën e Sportit të komunës – një hapësirë që nuk përmbush asnjë kriter profesional apo ligjor për ofrimin e shërbimeve sociale. Kjo gjendje e tregon qartë nivelin e neglizhencës institucionale ndaj sistemit të mbrojtjes sociale dhe mungesën e vullnetit për të krijuar kushte të denja për punonjësit dhe qytetarët që varen nga këto shërbime.
Një hulumtim i kryer në vitin 2021 zbardhte faktin se puntorët social të thirrur për tu marrë me trajtimin e rasteve të dhunës dhe parandalimin e hershëm të saj nuk kanë thirrje të duhura profesionale.
Të dhënat e siguruara na KALLXO.com tregojnë se nga 164 zyrtarë që punonin në atë kohë në Qendrat për Punë Sociale vetëm 6 nga ta kishin shkollim universitar në degën e punëve sociale.
Të tjerët sipas hulumtimit ishin të diplomuar në juridik, histori, ekologji, shkenca polike dhe fakultete të tjera.
https://kallxo.com/gjate/hulumtim/hulumtim-ne-kosove-historianet-i-trajtojne-ne-qendrat-sociale-familjet-qe-kane-probleme/