Qentë endacakë, Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com
"Biznes" me 50 euro në muaj nga Komuna e Prishtinës për adoptimin e qenve endacakë
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Komuna e Prishtinës ofron 50 euro në muaj për këdo që është i gatshëm të strehojë një qen endacak, por në vend që të gjejnë një shtëpi të dashur, qentë endacakë po adoptohen masivisht dhe mbahen në kushte shpesh të papërshtatshme dhe johigjienike.
Një burrë i quajtur Premtim Gashi, sipas të dhënave nga Komuna e Prishtinës, adoptoi 301 qenë endacakë nga Komuna dhe i mbajti ata në një depo të braktisur në një fshat pranë Ferizajit.
Video të lokacionit ku u mbajtën këta qenë, të siguruara nga BIRN-i, tregojnë kushte të mjerueshme brenda dhe jashtë ndërtesës së vjetër, që ka një dysheme prej dheu dhe është e ndarë me tela që krijojnë rrethoja të veçanta, ku qentë ushqeheshin nga lugjet; jashtë, kolibet janë improvizuar nga dru i hollë i llojit që përdoret për të bërë arka frutash dhe perimesh, por që janë shqyer nga qentë.
Sipas një Projekti, që u bë publik në mesin e vitit 2023, për të trajtuar problemin e qenve endacakë në Prishtinë, kushdo që adopton një qen endacak ka të drejtë për një subvencion mujor prej 50 eurosh.
“Duam t’i strehojmë të gjithë të mos kemi qenë pa shtëpi.” – deklaroi kryetari i Komunës Përparim Rama, në hapjen e Qendrës për Trajtim dhe Strehim të Qenve Endacakë në Prishtinë, në shtator të vitit të kaluar.
Megjithatë, disa njerëz e kanë shndërruar në një biznes dhe aktivistët e të drejtave të kafshëve janë të alarmuar.
Birësimi i 301 qenve nga Gashi i dha atij të drejtën për rreth 15,000 euro subvencione në muaj nga Komuna e Prishtinës. Pavarësisht numrit të madh të qenve të cilët figurojnë në të dhënat e Komunës si të adoptuar prej tij, ai nuk kishte licensë për Strehimore të qenve.
Sipas Ligjeve në fuqi Strehimoret për qenë duhet të ndërtohen në një mënyrë të tillë që të “sigurojnë mirëmbajtje, pastrim, larje dhe dezinfektim efektiv të pajisjeve dhe mjedisit të Strehimores” dhe të sigurojnë ventilim dhe dritë të mjaftueshme për qentë.
Ky sigurisht nuk ishte rasti në “Strehimoren” e Gashit.

“Strehimorja nuk është e licensuar nga AUV, nuk operon me kohë të plotë, nuk ka turn nate dhe është e paarritshme për qytetarët.” – shkroi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV), më 15 korrik, në një Vendim për ta mbyllur Strehimoren.
Rreth 30 qenë mbaheshin jashtë – thuhet në Vendimin e parë nga BIRN-i – “në rreze të diellit dhe pa mbulojë, pa ujë të pijshëm dhe pa ushqim”. Një inspektor pa disa qenë duke u ushqyer me mbetjet e një qeni tjetër, ndërsa fermerët vendas thanë se qentë e ngordhur ishin groposur në të njëjtën parcelë, duke krijuar një “kundërmim të rëndë”.
Kur inspektorët e vizituan në maj Gashi kishte 181 qenë, megjithatë deri në korrik kishte vetëm 132. Ai nuk kishte asnjë shpjegim se ku kishin shkuar 49 të tjerët.
Aktivistët e të drejtave të kafshëve thonë se raste si ai i Gashit dëshmojnë mangësi të konsiderueshme në politikën e Komunës për qentë endacakë.
“Dhënia e 50 eurove në muaj ka dalë jashtë kontrollit, sepse po strehohen e adoptohen qenë në masë.” – tha Elza Ramadani, Drejtoreshë e OJQ-së “Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve”. Fondacioni ka dorëzuar një Kallëzim penal kundër zyrtarëve komunalë më 9 korrik.
“Nuk është e këndshme të shohësh tufa qensh në rrugë, por kjo duhet të bëhet ligjërisht; duke respektuar çdo standard të mirëqenies së kafshëve.” – tha Ramadani për BIRN.
Gashi ishte i paqasshëm për koment.
Pa limit

Grafika: BIRN

Grafika: BIRN
_
Sipas Habib Qorrit, zyrtar në Departamentin e Shëndetit Publik në Komunën e Prishtinës, “nuk ka numër të kufizuar” për numrin e qenve endacakë që një individ i vetëm mund të adoptojë, me kusht që ata të kenë “hapësirën, ambientin dhe mundësinë për t’u kujdesur për ta”.
Kjo bie ndesh me një limit prej 5 qensh të specifikuar nga zyrtarët e Komunës, kur Projekti i subvencioneve u njoftua për herë të parë më 20 qershor 2023.
Qorri tha se kontrollet kryhen për këdo që aplikon për të adoptuar një qen endacak.
“Ne i vizitojmë ata për të parë se çfarë kushtesh kanë.” – i tha ai BIRN. “Nëse nuk kanë (kushtet e nevojshme) dhe duan të adoptojnë, ne u themi atyre se çfarë duhet të përmirësojnë; kthehemi për t’i vizituar për të parë nëse kanë bërë atë që duhet të bëjnë dhe pastaj fillon procesi i adoptimit.” Ai specifikoi, megjithatë, se vetëm “dy ose tre” kontrolle të tilla ishin kryer në të vërtetë.
Më 18 qershor Zëdhënësja e Komunës i tha BIRN-it se vizitat monitoruese filluan vetëm së fundmi, pas intervistës së BIRN me Qorrin më 29 maj. “Vizitat në terren kanë filluar tani, pasi më herët kemi pasur vështirësi teknike me automjetet, që kanë pamundësuar angazhimin e Komisionit në këtë drejtim, mirëpo nga vizitat që ka pasur Komisioni në terren nuk ka hasur në keqtrajtime që do të dëmtonin kafshë në çdo aspekt.” – tha Zëdhënësja.
Zyrtarët e Komunës kanë theksuar vazhdimisht se ata të cilët dëshirojnë të adoptojnë një numër të madh qensh duhet të marrin një licensë për Strehimore qensh nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Bazuar në të dhënat nga Komuna e Prishtinës, BIRN llogariti se 59 individë dhe një Strehimore e regjistruar për qenë adoptuan 972 qenë në vitin 2024 dhe në 5 muajt e parë 2025.
Pas krahasimit të të dhënave me Procesverbalet e inspektorëve nga AUV-i, BIRN llogariti se tre individë – përfshirë Gashin – dhe një Strehimore adoptuan të paktën 100 qenë secili; dy individë adoptuan midis 51 dhe 99 qenë secili dhe 10 adoptuan midis 30 dhe 50 qenë secili.
Vetëm 12 individë adoptuan vetëm nga një qen secili.
Strehimorja e licensuar “Qendra për Trajtimin e Kafshëve” kishte fillimisht një Kontratë me Komunën, sipas së cilës ata po mbanin qenë endacakë dhe i përgatitnin ata për adoptim, por Florim Ferati nga kjo Strehimore i tha BIRN se e kishte ndërprerë bashkëpunimin me Komunën, sepse po paguheshin njësoj si ata të cilët adoptonin qentë – 50 euro, që, sipas tij, nuk ishin të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet për funksionimin e Strehimores; duke ngritur kështu pyetje se si të tjerët mund të operojnë Strehimore pa licensë që përmbajnë dhjetëra kafshë, me një subvencion prej 50 eurosh për qen.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk iu përgjigj Kërkesës së BIRN-it për qasje në dokumente apo për informacion, por Procesverbalet në terren të bëra nga inspektorët e Agjencisë, të para nga BIRN-i, tregojnë 5 raste në të cilat ata rekomanduan kushte të përmirësuara higjienike në ambientet e drejtuara nga individë të cilët adoptuan shumë qenë.
Inspektorët përmendën mungesën e dokumentacionit për qentë dhe mospërputhjet midis numrit të qenve që një person kishte adoptuar dhe sa u gjetën në ambiente. Ata përshkruan “Strehimore” të ngjashme me atë të Gashit, me qenë të mbajtur jashtë të pambrojtur nga dielli apo shiu dhe dhanë një sërë Rekomandimesh për të përmirësuar trajtimin dhe socializimin e qenve, për t’i trajtuar ata për parazitët, për t’i ushqyer siç duhet dhe për t’u konsultuar rregullisht me një veteriner. Njëri u gjet se nuk kishte ushqim të gatshëm për qen në depo – duke preferuar t’i ushqente kafshët me mbetjet që i merrte te një Thertore në Podujevë.
Ligji kërkon që qentë e ngordhur të mbahen në një vend të ftohtë të ndarë nga vendi ku jetojnë qentë, por asnjë nga Raportet e inspektimit nuk vëren ekzistencën e ndonjë objekti të tillë në vendet e inspektuara. Po atë ditë që u mbyll “Strehimorja” e Gashit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbylli një tjetër në Ferizaj, duke cituar fermerët vendas të cilët u ankuan për qentë e ngordhur dhe erën nga objekti; 6 qenë ishin të zhdukur, të pagjetur.
Mospërputhje të dhënash

Sipas llogaritjes të vetë BIRN, vitin e kaluar u paguan gjithsej 38,700 euro në subvencione nga Komuna e Prishtinës për 774 qenë.
Shpenzimet u rritën në katër muajt e parë të këtij viti: në 40,750 euro për rreth 815 qenë.
Megjithatë në 24 raste individët morën subvencione, pavarësisht se nuk u shfaqën në Listën e adoptuesve që iu dha BIRN-it nga Komuna.
Qorri, nga Departamenti i Shëndetit Publik të Prishtinës, tha se kontrollet kryhen rregullisht.
“Deri vonë, për shkak të problemeve logjistike, kishim vështirësi, por tani shkojmë në varësi të nevojës.” – tha ai. “Nëse kushtet janë të mira diku shkojmë më rrallë, por aty ku kemi dhënë Rekomandime shkojmë shumë shpejt dhe pa paralajmërim për të parë se si është situata pas vizitës.”
Strehimorja e re e Komunës “Qendra për Trajtimin e Qenve Endacakë” pranon qenë të braktisur ose endacakë dhe i trajton ata në mënyrë që të mund të adoptohen. Kur BIRN-i e vizitoi Qendrën në fund të majit brenda kishte vetëm rreth 6 qenë endacakë. Qendra ka detyrimin të ofrojë kujdes veterinar falas për qentë e adoptuar, por pak nga ata të cilët adoptojnë qenë e kanë shfrytëzuar ndonjëherë shërbimin – tha veterineri i Qendrës Kreshnik Vejsa.
Ramadani tha se skema prej 50 eurosh nuk arrin të adresojë thelbin e problemit.
“Numri (i qenve endacakë) po rritet në mënyrë të pakontrollueshme, kështu që duhet bërë më shumë sesa thjesht trajtimi i simptomës së problemit, pra largimi i qenve nga rrugët”.
Artikulli është publikuar fillimisht në Balkan Insight.