Mbledhja e Senatit të UP-së, 20.11.2025, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
Senati i UP-së votoi avancimin e kandidatëve në FIEK dhe FIM, kthehet për rishqyrtim një aplikim
Senati i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e datës 20.11.2025 ka shqyrtuar dhe miratuar propozimet për emërim, riemërim dhe avancim të personelit akademik të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike (FIM) dhe Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK).
Nga këto dy fakultete, vetëm në FIM pati një aplikim që u votua të kthehet për rishqyrtim te Këshilli i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.
Është aplikimi i kandidatit Shpëtim Lajqi për profesor të asociuar dhe në votimin për rishqyrtim të tij pati një abstenim.
Prorektori Adem Beha, tha se sipas Statutit të UP-së dhe Rregullores për emërim, riemërim, avancim të personelit akademik, kërkohet që, Lajqi në këtë rast, të ketë vendim të qartë për mentorim të temës së doktoratës.
“Kandidati në fjalë ka ofru një dëshmi nga universiteti, por ajo dëshmi, nuk është vendim. Rrjedhimisht, për dallim nga komisioni vlerësues [i Fakultetit], i cili propozon që kandidati në fjalë të merr thirrjen profesor i asociuar, propozimi i Trupës Këshilldhënës të Rektorit, pas shqyrtimit të të gjitha materialeve, dokumentacionit në fjalë (nuk kuptohet) rekomandojmë që rasti të kthehet në rishqyrtim në Këshill” – tha prorektori Beha.
Mirlind Bruçi, dekan në FIM, tha se sa i përket atij si dekan dhe Fakultetit që menaxhon është çdo gjë në rregull dhe se vendimet janë kolegjiale në universitet, i takon Senatit, rektorit e Trupës Këshilldhënëse për të vendosur për këtë rast.
Ndërsa, kandidatët tjerë të FIM që Senati i UP-së e votoi avancimin e tyre në profesor të asociuar janë: Ramadan Duraku, Arlinda Rrecaj, Gëzim Hoxha dhe Riad Ramdani.
Kandidatët që Senati i UP-së votoi që të rizgjedhen asistentë në FIM janë: Liridon Sejdiu, Fatjon Beqa, Kaltrinë Jakupi, Besart Berisha, Arlinda Bresa, Haxhi Dacaj, Rifat Krasniqi. Rifat Krasniqi ka qenë anëtarë i Këshillit Drejtues të UP-së.
Gjithashtu u avancua në profesor asistent në FIM, Ilir Murturi, profesor nga Universiteti Teknik i Vjenës përmes Rregullores Brain Gain (për Kthimin e trurit). Rektori Arben Hajrullahu konstatoi se ky është rasti i parë që një kandidat është kthyer me normë të plotë dhe kontratë të rregullt në UP, përmes Rregullores për Kthimin e trurit.
Më 11.07.2023 Murturi përmes profilit të tij në Facebook, kishte njoftuar se komisioni recensues i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike Kompjuterike e kishte refuzuar aplikimin e tij në pozitën profesor asistent.
Rregullorja për transferim, programin “Brain Gain” dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik u miratua në mbledhjen e Senatit të UP-së, më 30.04.2025.
Qëllimi i kësaj Rregulloreje është rekrutimi i kandidatëve të cilët punojnë apo të cilët kanë përfunduar së paku një apo më tepër nivele studimi jashtë vendit, në një Universitet që është në mesin e 400 Universiteteve më të mira në botë – sipas renditjes së bërë nga “Times Higher Education” (Arsimi i Lartë sipas Times) ose “QS World University Rankings” (Renditja Botërore e Universiteteve sipas QS – Quacquarelli Symonds).
Sa i përket Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Senati i UP-së ka votuar avancimin e Kadri Sylejmanit dhe Bujar Krasniqit në profesorë të rregullt në FIEK.
Kurse, këta profesorë asistentë të FIEK u votuan që të avancohen në profesorë të asociuar: Hëna Maloku-Berzati, Zana Limani-Fazliu, Vezir Rexhepi dhe Arben Gjukaj.
Kandidatët e FIEK që u rizgjodhën asistentë me votat e Senatit janë: Valon Veliu, Jeta Dobruna, Mërgim Hoti, Blend Arifaj, Adrian Ymeri, Dalinë Vranovci, Labeat Arbneshi dhe Petrit Emini.
Në këtë mbledhje, u votua hapja e konkurseve për shpalljen e pozitave të reja për personel akademik në 10 njësitë akademike të UP-së: Fakulteti i Arkitekturës, Fakulteti i Edukatës Fizike dhe të Sportit, Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore, Fakulteti Juridik, Fakulteti i Edukimit, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike Kompjuterike, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Fakulteti Filologjik dhe Fakulteti i Arteve.
Por, nuk do të hapen konkurse për pozita të reja në katër njësitë akademike: Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore dhe Fakultetin Filozofik, pasi janë duke u analizuar nga Rektorati se cilat pozita janë të nevojshme të hapen.
Në nenin 154 të Statutit të UP-së flitet për kushtet që kandidati duhet t’i plotësojë për asistent të universitetit, disa prej të cilave janë: të ketë të përfunduara me sukses studimet master në drejtimin përkatës; të jetë jo më i vjetër se 35 vjet kur emërohet për herë të parë; të jetë i regjistruar në studimet e doktoratës me rastin e rizgjedhjes asistent; të ketë notën mesatare në studimet bachelor dhe master jo më pak se 8.
Sipas nenit 155 të Statutit, për titullin profesor asistent kandidati duhet t’i plotësojë këto kushte: të ketë gradën e doktorit të shkencës; të ketë së paku dy publikime në revista ndërkombëtare shkencore si autor i parë ose korrespondent, por së paku në njërin punim duhet të jetë autor i parë.
Kurse, rizgjedhja në këtë titull mund të bëhet vetëm nëse kandidati ka së paku një punim shtesë si autor i parë ose korrespondent të publikuar pas emërimit në titullin aktual.
Për profesor të asociuar kandidati duhet t’i plotësojë kushtet, sipas nenit 156 të Statutit: të ketë gradën e doktorit të shkencës; të ketë një kapitull të zgjedhur të botuar në një tekst të botuar nga shtëpi botuese kredibile ndërkombëtare ose një libër për përdorim të studentëve ose monografi; të ketë të paktën tri punime të publikuara në revista ndërkombëtare shkencore të publikuara pas emërimit në titullin aktual, si autori parë ose korrespondent, nga të cilat së paku një si autor i parë.
Rizgjedhja në profesor i asociuar bëhet vetëm nëse kandidati ka publikuar një punim shtesë si autor i parë ose korrespodent të publikuar pas emërimit në titullin aktual.
Për profesor të rregullt, kandidati duhet t’i ketë dy kushtet e para të profesorit të asociuar si dhe sipas nenit 157 të Statutit kushtet e tjera: katër punime të publikuara në revista ndërkombëtare shkencore të publikuara pas emërimit në titullin paraprak, si autor i parë ose korrespondent, nga të cilat së paku dy si autor i parë; pjesëmarrje e rregullt në konferencat ndërkombëtare dhe kombëtare; mentorim i suksesshëm i së paku tri temave master.