Makina e gazetarit serb dëmtohet gjatë operacionit policor në veri
Gazetari serb Zoran Maksimoviq tha se makina e tij ishte dëmtuar rëndë nga automjetet e Policisë së Kosovës ndërsa ai po mbulonte ngjarjen e djeshme ndaj të dyshuarve për krimin e organizuar në veriun e vendit.
Zoran Maksimoviq tha për BIRN se Policia dëmtoi rëndë makinën e tij, derisa ata përpiqeshin t’i largonin një nga barrikadat e ngritura nga serbët në veri të Kosovës, pavarësisht faktit se automjeti i gazetarit u identifikua me një kartë të shtypit.
“Po vozisja nëpër rrugë, dhe pranë fshatit Uglar [afër Graçanicës] pashë barrikada, serbë dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës në anën e kundërt. Kështu që unë u ndala për të marrë disa pamje. Por pastaj Policia e Kosovës nisi punën e tyre për të prishur barrikadat dhe ata filluan të qëllonin në drejtim ku isha “, tha Maksimoviq për BIRN, i cili punon me stacionin televiziv serb Prva.
Ai shtoi se kur kuptoi se jeta e tij ishte në rrezik, ai u kthye në makinën e tij dhe u përpoq të largohej përsëri.
“Por policia e Kosovës vazhdoi të gjuante në të njëjtën drejtim ndërsa voziste automjete të blinduara dhe shkatërroi gjithçka që i dilte përpara, kështu që vendosa të ndal makinën dhe të arratisem në pyje”, shpjegoi Maksimoviq.
Ai ishte fshehur në pyll për rreth 10 minuta, pastaj vendosi që të afrohet në makinën e tij përsëri.
“Por pashë automjetet e policisë së Kosovës, gjithashtu, makina të dëmtuara, aty ishte edhe e imja. Dhe unë kisha një kartë të shtypit në të, dhe ishte më së e qartë sepse më panë edhe me një aparat fotografik”, tha gazetari.
I pyetur nëse ai u përpoq të fliste me Policinë e Kosovës, Maksimoviq tha jo, duke shtuar se ai ishte i frikësuar.
BIRN ka kërkuar një koment nga ana Policisë së Kosovës por nuk mori asnjë përgjigje të menjëhershme.
Maksimoviq tha gjithashtu se do të raportojë në Shoqatën e Gazetarëve Serbë, e cila tashmë e dënoi incidentin dhe kërkoi nga EULEX dhe KFOR t’i mbrojnë gazetarët.
Në të kaluarën, BIRN ka bashkëpunuar me Maksimoviq në disa hetime.
Dje gjatë operacionit në veri kundër të dyshuarve për krimin e organizuar, Policia e Kosovës arrestoi 19 policë.